Deklarata/ Ulet në nivelin rekord të 2.5% norma bazë e interesit të lekut  

0
149

ardian fullaniKëshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.50%. Ky është rekordi minimal i normës bazë në vite.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, ka argumentuar në një dalje publike vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për të ulur në 2.5% normën bazë të interesit. “Vënia në lëvizje të plotë e mekanizmit të kreditimit sot është ‘thembra e Akilit’ dhe e gjithë vëmendja e botës financiare është e përqendruar në këtë element, që është shumë kompleks dhe që kërkon përfshirjen e shumë aktorëve. Në këtë situatë ne po krijojmë të gjitha kushtet që ne të arrijmë maksimalen kur të vijë momenti. Situata varet shumë nga politikat zhvillimore të qeverisë dhe prandaj mendoj se marrëveshja me FMN dhe BB e ka rritur besueshmërinë e qeverisë shqiptare saqë e ka bërë të gatshme të rinovojë kredinë në tregun ndërkombëtar. Ne i japim mundësinë ekonominë shqiptare për të lehtësuar kostot dhe nxitur kreditimin dhe ne jemi të fokusuar plotësisht në këtë drejtim”.

Roli i Bankës së Shqipërisë po funksionon në mënyrë perfekte dhe e njëjta gjë po ndodh, ndoshta jo me të njëjtën madhësi, edhe tek normat e interesit të kredive dhe depozitave çka kjo tregohet më së miri nga qëndrueshmëria e tyre. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë, por duhet që agjentët ekonomikë në vend të kapin momentin e këtyre ndryshimeve që ne po bëjmë. Lëvizja e BSH-së është strategjike në këtë aspekt, tha Fullani.

BSH gjykon se sistemi bankar në vend duhet të adaptojë një sjellje më të drejtë ndaj kreditimit: ulja bazë e interesit, injektimi i likuiditetit nga Banka Qendrore si dhe përshtatja e rregullave duhet të nxisë kreditimin dhe prandaj sistemi bankar duhet të jetë shumë më aktiv në kreditim.

Përmes uljes së normës bazë të interesit synohet t’i jepet shtysë investimit dhe konsumit me qëllim rënien e kostos së financimit për sektorin privat.

Ndërkohë aktiviteti ekonomik pritet të shënojë një rritje ekonomik ndërkohë që hendeku i prodhimit megjithëse do të mbetet negative, do të jetë në përmirësim.

“Presim rritje pozitive të ekonomisë në muajt e parë të vitit, ka pozitivitet nga sektori privat dhe publik. Është shënuar gjithashtu shtim i eksporteve, ndërkohë që ka një rritje edhe të konsumit të investimeve. Megjithatë ecuria e tyre mbetet e ngadaltë duke reflektuar pasigurinë dhe rimëkëmbja e tyre do të jetë përcaktuese për rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit 2014”, – tha guvernatori.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency