AMBASADORËT/ Opozita, Bumçi: Emërime politike në diplomaci

0
154

Florenc Drizari

qirko“Për një tekë, për të bërë karshillëk, ne ulim nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin, i kemi në nivel Ambasadori por vetëm për të çuar tekën ne çojmë personin e pa dekretuar nga Presidenti dhe e lëmë atë marrëdhëniennë nivel të ngarkuarit me punë”

Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi dje dy kandidatuarat e qeverisë për ambasadorë në Republikën e Kroacisë, rezident, Ilir Melo, dhe si ambasador rezident në Suedi dhe jorezident në Finlandë, Islandë dhe Norvegji kandidatin Ilir Abdiu.

Prezantimi i dy kandidaturave riktheu akuzat e opozitës për emërime politike në diplomaci të personave që futen jashtë shërbimit të karrierës. Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, tha se në muajt e fundit shumica e kandidatuarave kanë qenë politike, duke ulur sipas tij imazhin e përfaqësive shqiptarë në botë. “Nga 15 kandidatura të sjella në 8 muaj, 8 janë politike. Pyetja është e thjeshtë, kolegët e zotit Melo me një karrierë të gjatë, me një kontribut të vyer dhe të çmuar, 20 vite, 15 vite në Ministrinë e Jashtme, ku do të shkojnë?”-tha Aldo Bumçi. Gjithashtu deputeti i opozitës riktheu emërimin si të ngarkuar me punë në Vatikan të Ardjan Ndrecës, i cili nuk u dekretua pak ditë më parë nga Presidenti Bujar Nishani për të qenë Ambasador i Shqipërisë atje.

“Për një tekë, për të bërë karshillëk, ne ulim nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin, i kemi në nivel Ambasadori por vetëm për të çuar tekën ne çojmë personin e pa dekretuar nga Presidenti dhe e lëmë atë marrëdhëniennë nivel të ngarkuarit me punë” –deklaroi Bumçi. Në replikë me deputetin demokrat, socialistët vlerësuan figurën e Ndrecës.

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm, sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Qirjako Qirko, prezantoi dy kandidaturat për ambasadorë në Kroaci, Ilir Melo dhe në Mbretërinë e Suedisë Ilir Abdiu, ku sipas tij, dy kandidaturat janë intelektualë të spikatur dhe me një karrierë të pasur në fusha të ndryshme.

Fillimisht anëtarët e komisionit u njohën me prezantimin për ambasadorë në Kroaci të Melo, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe nxitje të mëtejshme në bashkëpunimin parlamentar.

Gjithashtu, Melo tha se do të bashkëpunojë edhe në fushën e integrimit ndërmjet dy vendeve. “Kroacia ka nënshkruar letrën mbështetëse në dhjetor dhe nëse përsërit të njëjtën gjë Kroacia edhe në qershor do të mbajë të njëjtin qëndrim dhe të njëjtin pozicion mbështetës”,-deklaroi Melo.

Nga ana tjetër, kandidati për ambasador në Mbretërinë e Suedisë Ilir Abdiu bëri një ekspoze të objektivave në detyrën e tij dhe u shpreh se do të punojë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Suedinë dhe në të gjitha fushat me interes reciprok.

Ndër të tjera, tha Abdiu, rëndësi të veçantë do të ketë nxitja e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fusha të ndryshme si, bujqësi, tregti, politikë, ekonomi, tekstil, etj.

“Marrëdhëniet me Norvegjinë janë të një niveli shumë të mirë. Në vendin tonë zbatohen dy projekte kryesore, hidrocentrali i Devollit dhe projekti TAP. Gjithashtu, bashkëpunim do të ketë edhe me Finlandën në fushën e industrisë së prodhimit të makinerive dhe pajisjeve të minierave, e cila mbron makineritë dhe pajisjet në fabrikat tonë të pasurimit”,-u shpreh Abdiu.

 

 Kosova pranohet zyrtarisht si vëzhguese në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Republika e Kosovës u pranua zyrtarisht dje si vëzhguese në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Ky vendim u mor në Lituani, gjatë Sesionit Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

I pranishëm si përfaqësues i Shqipërisë, ka qenë deputeti socialist Pandeli Majko duke shkruar te fleta e votimit “Bac u kry”.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Kosovës në këtë seancë, Xhavit Haliti, ka deklaruar se ndihet shumë i lumtur për vendimin e marrë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, në favor të Kosovës dhe përcaktimit të saj për anëtarësim në të ardhmen në NATO. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi deklaroi se ky është një vendim shpresëdhënës për Kosovën. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” Thaçi shkruan: “Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të pranosh lajmin e mirë të pranimit të Kosovës si vëzhguese në Asamblenë Parlamentare të NATO-s pikërisht teksa po pij kafe me bashkëluftëtarët e mi. Ky vendim është marrë sot gjatë sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare e NATO-s në Lituani dhe është shpresëdhënës që Kosova ka për të ecur shumë shpejt drejt integrimit në këtë aleancë. Urime!”

 

Akuzat për trafik droge, mazhoranca publikon sot provat

Komisioni Hetimor për Çështjen e Drogës pritet të prezantojë këtë të shtunë rreth orës 11:30 rezultatet e hetimit. Edhe pse një ditë më parë kryetarja e këtij komisioni Ermonela Felaj, mblodhi gazetarët për tu bërë të ditur që nga akuzat për trafik droge kanë dalë të dhëna të reja interesante, por pa dhënë asnjë detaj se cilat ishin këto të dhëna. Ajo theksoi se nuk i njeh rezultatet e hetimit te prokurorisë.

“Ne nuk e nohim hetimin e prokurorisë, dimë që ka nisur një hetim por nuk e njohim se çfarë përmban. Ajo që nënkuptojmë se ka gjetje interesante i referohet faktit për të dhëna që nuk janë bërë asnjëherë publike deri më sot. Të dhënat janë të tilla që sqarojnë qoftë gjendjen para 23 qershorit dhe qoftë pas 23 qershorit. Keni përgjigje për çfarëdolloj pyetje.”- u shpreh Felaj. Ky komision është braktisur nga opozita, e cila ka kërkuar ngritjen e një tjetër komisioni hetimor për çështjen e drogës, që pas rrëzimit të një avioni të vogël në plazhin e Divjakës dy javë më parë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency