Atletiko dhe yjet që rrezikojnë të largohen

atletico madridEkipi madrilen ka shërbyer si një vitrinë e bukur për lojtarët e tij, duke i rritur mjaft kërkesat nga klubet e rëndësishme evropiane

 Klubit tashmë i duhet që të mendojë për kontratat e reja që duhet të jenë më ë kënaqshme nga ana ekonomike

 Pas një triumfi vjen trishtimi, ndërsa tashmë Atletiko Madridit i duhet që të shmangë një trishtim tjetër. Kjo, pasi rrezikohet shumë nga largimi i lojtarëve titullarë. Vetë kuqebardhët kanë zhvilluar një sezon shumë të mirë. Një ekip që provoi që mund të thyente Barcelonën dhe Realin. Një arritje e madhe nga një ekip me lojtarë jo shumë të dëgjuar. Mirëpo pas kësaj duket se për këta lojtarë do të vijnë gjëra të mëdha. “Los Colchoneros” nuk janë një superfuqi nga ana ekonomike dhe duke ditur këtë fakt, klubet më të mëdha evropiane kanë hedhur sytë grupi i lojtarëve që këtë sezon hyri në histori. Kurtua duket si i pari që rrezikon të largohet. Portieri belg ishte pranë rinovimit me kampionët e Spanjës, megjithatë forma e tij ka bindur Hoze Murinjon që po kërkon ta rikthejë atë në “Stamford Bridge”. 22-vjeçari nuk dëshiron të shndërrohet në një rezervë te blutë e Londrës dhe kjo është e vetmja gjë që të bën të mendosh se klubi londinez do ta rinovojë edhe për një tjetër sezon huazimin e tij te Atletiko. Një tjetër lojtar i rëndësishëm që mund të largohet nga madrilenët është sulmuesi Diego Kosta. Çelsi është jashtëzakonisht i interesuar për të marrë shërbimet e 25-vjeçarit dhe me shumë mundësi braziliani me pasaportë spanjolle do të jetë lojtari i parë që do të largohet nga ekipi i Simeones. Por blutë e Londrës nuk kërkojnë të transferojnë në “Stamford Bridge” vetëm Kostën, pasi sipas mediave spanjolle ata tashmë kanë arritur një akord me mesfushorin portugez Tiago që ka qenë pjesë e Çelsit edhe më parë. Edhe Koke është me valixhe në duar. Talenti i Atletikos pëlqehet nga klubet më të mëdha të Evropës dhe trajneri Diego Simeone do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë ta bindë të qëndrojë te skuadra kryeqytetase. Bajerni, Barcelona, por edhe Mançester Junajtid e Çelsi kanë shfaqur interes për mesfushorin 22-vjeçar që ka treguar që është një talent i madh. Një nga pikat më të forta të Atletikos në këtë sezon ka qenë pa dyshim mbrojtja dhe si Filipe Luis ashtu edhe Miranda. Ndërkohë që edhe Godin dhe Huanfran kanë marrë shumë oferta këto ditët e fundit. Për Mirandën, Barcelona është e gatshme të ofrojë 20 milionë euro edhe pse Atletiko për largimin e tij ka vendosur një klauzolë në kontratën e mbrojtësit që kap vlerën e 30 milionë eurove. Diego Godin u shndërrua në hero me golin që shënoi në “Camp Nou” përballë Barcelonës pëlqehet nga Bajerni i Pep Guardiolës që është i gatshëm t’i ofrojë Atletikos 20 milionë euro për kartonin e tij. Për sa i përket Filipe Luisit dhe Huanfranit si njëri ashtu edhe tjetri kanë oferta nga Anglia me Çelsi e Arsenali që qëndrojnë në radhë të parë për të marrë shërbimet e tyre. Kaq shumë oferta kanë trembur drejtuesit e Atletikos që nëse duan të ruajnë pjesën më të madhe të skuadrës duhet të fillojnë që tani nga puna duke u ofruar kontrata të reja lojërave. Kontrata që duhet të kenë kushte më të mira ekonomike dhe që do të duhet ti bindin lojtarët. Askush nuk do të largohet, por ofertat nga ekipet elitare janë të vështira për të refuzuar. Tashmë duhet parë se si do të shkojnë gjërat gjatë merakos së verës, që pritet të jetë e gjatë dhe me shumë punë për Simeonen. Trajneri i ekipit madrilen ka arritur të marrë nga Argjentina Korrerën. Lojtari që argjentinasi që aktivizohej me San Lorencon, do të nisë aventurën e re në “Vicente Calderon”, pas gjetjes së akordit mes palëve. Mesfushori me tipare sulmuese do të vesh fanellën e “Rojiblancos” për 5 sezonet e ardhshme, ndërsa klubi argjentinas ka përfituar 7.5 mln euro.

 

Botërori, një ëndërr fëminore

Ndërsa Baloteli është shprehur se pjesëmarrja në Botëror është një ëndërr që e ka pasur që fëmijë. Lojtari është me vetëbesim të lartë para fillimit të Botërorit, aq sa beson se është lojtari më i mirë në rruzullin tokësor. Sulmuesi 23-vjeçar shënoi 18 gola për Milanin këtë sezon në 41 paraqitje dhe pritet që të jetë pjesë e formacionit startues për Italinë në Botëror. Në një intervistë Baloteli ka thënë se ai është më i miri në gjithçka. “Lojtari më i shpejtë në skuadër? Unë jam ai. Më i miri? Mos më detyroni ta bëj këtë, ju e dini kush është më i miri. Lojtari më teknik? Ju e dini kush e ka teknikën më të mirë. Më qesharaku? Ju tashmë e dini edhe këtë. Lojtari më ‘in’? Ju lutem, sigurisht se edhe kjo dihet. Unë gjithmonë e kam ditur se do të luaj në këtë Botëror. Është ëndrra e çdo fëmije. Ju luani futboll dhe ëndërroni për këtë garë. Unë kam bërë mirë në karrierën time dhe jam i lumtur që e kam mundësinë”, – ka thënë Baloteli.

 

Ançeloti: Unë dhe Milani jemi larg

 Ançeloti i ka bërë të qartë Milanit se nuk e ka ndërmend të kthehet në San Siro. Tekniku i “mbretërve” që e fitoi Ligën e Kampioneve muajin e fundit, është lidhur me një kthim te Milani, por ai thotë se është i lumtur te Reali. “Ju nuk mund të planifikoni të ardhmen e largët. Unë jam shumë i lumtur dhe ndihem shumë mirë te Reali. Nuk planifikoj që të zhvendosem. Ne kemi një ekip mjaft konkurrues dhe ne duam që të mbajmë këtë nivel. Unë jam shumë krenar për të arritjet e mia që nga dita e parë e imja në Madrid. Ne kemi pasur një sezon shumë të mirë. “La Decima” ishte ëndrra për të gjithë madrilenët. ishte një festë. E madhe. Jam krenar që hyra në historinë e Real Madridit”, – u shpreh teknikut italian.

 

De Gea: Diego Kosta duhet pritur

David de Gea beson se Spanja duhet që ta ftojë Diego Kostën dhe t’i japë atij një shans për Botëror. Portieri i Junajtidit ka folur para gazetarëve dhe ka lëvduar shumë Kostën, ish-bashkëlojtarin e tij te Atletiko. “Ai është sulmues i madh dhe shumë i rëndësishëm për ekipin. Mendoj se ne duhet që të presim. Unë e kam takuar atë disa vite më parë. Ai ka shpërthyer këtë vit dhe ai e ka bërë dallimin. Ka pasur vit impresiv dhe tani ne duhet të presim. Ne duam që ai të jetë në 100 për qind të formës së tij”, – ka deklaruar De Gea.

 

Ditmar Bicaj kërkohet nga klube të huaja

Nga Skënderbeu mund të largohet Bicaj. 25-vjeçari është i pavendosur për momentin, pasi oferta e presidentit të korçarëve nuk i pëlqen, teksa në derën e tij kanë mbërritur disa oferta, si ajo e Partizanit apo Kukësit, mirëpo ajo që e josh më shumë lojtarin janë ofertat nga jashtë. Mësohet se Konkordia, ekipi i Kategorisë së Parë rumune, dhe Kiaso e Kategorisë së Dytë të Zvicrës janë interesuar dhe kanë paraqitur oferta, duke pritur tashmë një përgjigje nga mbrojtësi tiranas.

 

 

Share it :