Florenc Drizari
Debate dhe fyerje mes Nokës dhe Brahos te Siguria
Spartak Braho: Flamur ruaj etikën, mos u bëj karagjoz!
Flamur Noka: Je kokrra e karagjozit, kujton se menaxhon hetuesinë e dikurshme
Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi dje në parim projektligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Shqyrtimi i këtij drafti u shoqërua me debate dhe fyerje mes deputetëve, ndërsa të pranishëm në mbledhje ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Baze, si edhe drejtues të tjerë të Forcave të Armatosura. Debatet nisën kur deputeti i vetëm i opozitës që ishte në Komision, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, kërkoi shpjegime nga ministrja e Mbrojtjes për akuzat e opozitës për një përfshirje të mundshme të strukturave të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës, si dhe për disa çështje të tjera që lidhen e gradat dhe emërimin e ushtri. Vetë ministrja nuk iu përgjigj pyetjeve të deputetit të opozitës, ndërkohë që debatet vijuan mes kryetarit të Komisionit, Spartak Braho, dhe deputetit të PD-së, Flamur Noka. Braho kërkoi që Noka të përqendrohet tek projektligji e jo në çështje të tjera, duke thënë se po bënte karagjozin në Komision, ndërsa deputeti i opozitës iu përgjigj po me të njëjtën shprehje: “Je kokrra e karagjozit Spartak, sepse ndryshe nga sa është votuar në këtë Komision, ke futur në rendin e ditës gjëra të tjera kështu që mos u ashtu… edhe kështu ke bërë me komisionin e SHISH-it”.
1620 ushtarakët
Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, deputetët debatuan me përfaqësuesit e Forcave të Armatosura edhe për skemën e trajtimit me pension të parakohshëm ushtarakët. Deputeti i LSI-së, Luan Rama, kërkoi se si do të administrohen problemet sociale, sa është kostoja financiare, numri i atyre që dalin në rezervë dhe atyre në lirim. Gjithashtu deputeti Rama kërkoi përgjigje edhe se sa është vlera e faturës financiare dhe si do të përballohet kjo faturë financiare.
Nga ana e tij, kolonel Fadil Grosha, drejtori i Programimit të Mbrojtjes tha se skema e re i kursen shtetit i kursehen 621 milionë lekë, prej këtyre 62 milionë lekë janë të buxhetit të mbrojtjes dhe pjesa tjetër është e skemës së sigurimeve shoqërore. Në diskutime me Kolonelin, deputeti Rama vuri theksin se sa është fatura, kostoja e kësaj nisme, ndërsa funksionari i lartë i FA-së tha se kostoja nuk rritet, por ulet. Pyetjes së Ramës se sa persona dalin në rezervë, Kolonel Grosha tha se “ky ligj këtë ka diferencën e tij. Ka sjellje më të pakta të numrit për furnizimit dhe mbajtjen e sasisë së nevojshme të personelit që nevojitet për të funksionuar struktura dhe si rrjedhojë, ka edhe dalje më të pakta. Në kushtet e këtij ligji, do të hiqen nga skema e trajtimit me pension të parakohshëm rreth 1620 ushtarak”. Më tej Koloneli theksoi se personeli në vend që të paguhej duke dalë në rezervë, me ligjin e ri do të paguhet duke qenë aktiv, duke marrë pagën si ushtarakë.
Ministrja Kodheli
Me ligjin e ri për Forcat e Armatosura, ushtarakët pritet të dalin në një moshë më të madhe në rezervë si dhe do të lirohen më vonë. Zgjatja në kohë e ushtarakëve në një gradë të caktuar sipas qeverisë, do të sjellë uljen e shpenzimeve buxhetore, duke bërë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë më pak taksa. “Sot paguajmë 3 palë ushtri, një aktive, një në rezervë, një në lirim”, – tha Ministrja Kodheli gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Sigurinë Kombëtare. Ky projektligj pritet të miratohet nen për nen dhe më pas në tërësi për të kaluar më pas në votimin final në seancë plenare, ndërkohë që po ditën e djeshme ministrja Kodheli dhe ushtarakët e lartë që e shoqëronin, prezantuan ligjin edhe në Komisionin e Ligjeve.
Pensionet, diskutimet mes Luan Ramës dhe kolonel Fadil Groshës
Luan Rama: Si do të administrohen problemet sociale, sa është kostoja financiare, sa është numri i atyre që dalin në rezervë dhe atyre në lirim dhe sa është vlera e faturës financiare dhe si do të përballohet kjo faturë financiare?
Koloneli: Shtetit i kursehen 621 milionë lekë sipas kësaj skeme, prej këtyre 62 milionë lekë janë të buxhetit të mbrojtjes dhe pjesa tjetër është e skemës së sigurimeve shoqërore. Ky është efekti.
Rama: Sa është fatura, kostoja?
Koloneli: Kostoja nuk rritet, por ulet.
Rama: Sa veta dalin në rezervë pas kësaj?
Koloneli: Ky ligj këtë ka diferencën e tij. Ka sjellje më të pakta të numrit për furnizimit dhe mbajtjen e sasisë së nevojshme të personelit që nevojitet për të funksionuar struktura dhe si rrjedhojë, ka edhe dalje më të pakta. Në kushtet e këtij ligji, do të hiqen nga skema e trajtimit me pension të parakohshëm rreth 1620 ushtarak.
Rama: Si mbulohen ata pastaj?
Koloneli: Këto do të vazhdojnë duke qëndruar në punë. Këta në vend që të paguheshin duke ndenjur tek shtëpia, këto do të vazhdojë të shërbejnë në Forcat e Armatosura dhe do të marrin pagën si ushtarak aktiv, kjo është fryma e ligjit.
Debate dhe fyerje mes Nokës dhe Brahos në Komision
Noka: Zonja ministre, më vjen mirë që ju shoh, pasi ju kishim shpallur në kërkim si Komision, kishim nja dy muaj dhe nuk po gjendeshit gjëkundi.
Braho: Flamur të lutem shumë ruaj etikën.
Noka: Kur flas unë, flas unë.
Braho: Po pra, por ruaj etikën ndryshe unë të pezulloj fjalën.
Noka: Merre me të qetë.
Braho: Me të qetë merre ti. Ç’është ky muhabet?
Noka: E kishim shpall në kërkim po them.
Braho: Po lerë tani ç’është ky muhabet, mos u bëj karagjoz!
Noka: Karagjoz je ti!
Braho: Po karagjoz bëhesh.
Noka: Je kokrra e karagjozit Spartak, sepse ndryshe nga sa është votuar në këtë Komision, ke futur në rendin e ditës gjëra të tjera kështu që mos u ashtu… edhe kështu ke bërë me komisionin e SHISH-it.
Braho: Ju s’erdhët fare!
Noka: Spartak, lëre se kujton se menaxhon hetuesinë e dikurshme, ky është komision parlamentar kështu që rri urtë, ky është komision parlamentar.
Braho: Unë s’menaxhoj hetuesinë e dikurshme.
Noka: Më lër të vazhdoj se kam pyetje!
Braho: Nëse vazhdon me insinuata unë nuk të lejoj.
Noka: Keni deklaruar se ka zero fakte për përdorimin e infrastrukturës ushtarake për trafik droge. Në rast se do të dali qoftë edhe një fakt, a do të jepni dorëheqjen?
Arben Çuko: Ça po të duket vetja si ai tek “100 milionë” mor burrë?
Noka: Bëhuni seriozë. Unë ju dëgjoj, tani po bëj pyetje dhe s’keni pse axhitoheni. Ti Spartak e ke si parim të forcës politike këtë me qetësi.
Luan Rama: Qetësia është shenjë e forcës.
Noka: Zonja ministre, mbani shënime se janë 20 pyetje ose lejoni dikë nga stafi juaj ta bëjë këtë.
Braho: Të gjitha pyetjet janë jashtë rendit të ditës. Unë nuk e lejoj ministren t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, prandaj ndaje mendjen, bëhu serioz dhe bëj pyetje për projektligjin.
Noka: Unë kam të drejtën të bëj pyetje, ti ke të drejtën të urdhërosh ministren të mos përgjigjet. Çështja jote është.
Braho: Futu në temë.//////////
Noka: Zonja ministre, ju bëra disa pyetje dhe nuk mora përgjigje. Mezi pritëm që të na vinit dhe shyqyr që erdhët. Prisnim përgjigje jo ne, por edhe opinioni publik në lidhje me pyetjet që ju bëra unë. Kjo heshtja juaj ka të bëjë me kodin e heshtjes apo me urdhrin që ju dha Spartaku (Braho) për të mos folur?
Braho: Kjo ka të bëjë me normalitetin e mbledhjes. Nëse ti do të marrësh pyetje me sms… se jeni mësuar ju të merrni pyetje me sms-ra.
Stërkaj: E shikon, deputeti i mazhorancës kërkon maksimumin tek shefi i Shtabit të Përgjithshëm (Luan Rama).
Noka: Është i përgjegjshëm.
Stërkaj: Atëherë bëhuni edhe ju të përgjegjshëm dhe bëni pyetjet që duhen.
Noka: Kur të vijmë në diskutime. Ballë për ballë e kam për herë të parë ministren.
Qefalia: Si anëtar i Sigurisë do të doja t’ju përgëzoja për performancën e shkëlqyer që një media ju ka shpallur si ministrja më e mirë. Është një sukses i ministres së Mbrojtjes.
Noka: Çoji një buqetë me lule çoji.
Balla: Do të doja të mos mbahet në procesverbal ai vlerësim që u bë nga një deputet i opozitës për arsyen shumë korrekte që opozita e sotme këtë projektligj e ka pasur në manualet e veta. Të 6 standardet që përafrohen sot janë pjesë e një plani të plotë të miratuar nga PS dhe PD që prej vitit 2008 kur Shqipëria hyri në NATO.
Noka: Kjo mazhorancë kërkon të grabisë ditën për diell kompetencat e Presidentit. Përveç kompetencave për emërimet që ia jep Kushtetuta, të gjitha të tjerat qoftë për gradat për emërimet dhe lirimet, qoftë për planin e veprimit të FA-së, i kalojnë sulltanit që quhet bir sulltan Edvin Ramajev…Mazhoranca kërkon ta kthejë institucionin e Presidentit të Republikës siç ishte në kohën e Haxhi Lleshit. Unë e kuptoj nostalgjinë, prandaj jemi plotësisht kundër.