Pse kur duhet më shumë, dashuria sikur dobësohet?

0
204

eduard hopper Të frymëzuar nga tradita petrarkiane që trajtonin përgjithësisht dashurinë e poetit, forma e tyre krijoi fenomenin shekspirian, pasi Shekspiri ishte i pari që i shkroi si të tilla, por sepse ai u bë i famshëm me to. Shkrimtari anglez krijoi 154 sonete, sfidën në shqip të të cilave së pari e ka bërë Noli, ndërsa në një libërth sillen rreth 60 sonete të shqipëruara nga Astrit Lulushi

 

      Sonet #9

Pse e dëmton veten

duke mbetur vetëm,

apo ke frikë se dikush

do qajë kur ti të vdesësh?

Nëse vdes pa fëmijë,

bota me lot do qajë

si grua që humb burrin.

Bota është vejusha jote

dhe gjithmonë do vajtojë,

që s’i le një kopje të vetes.

Kur paraja shpenzohet

ajo vihet në qarkullim,

por nëse bukuria tretet

pa u dhënë a përdorur

bota e humb atë përjetë.

Njeriu që vret bukurinë

e vet, në zemër nuk ka

vend për dashuri tjetër.

 

 

          Sonet #10

Nëse ke pak turp,

pranoje, s’ke zemër,

as ndjenjë dashurie,

gati je për t’u kujdesur

vetëm për veten tënde.

Shumë njerëz të duan,

por ti s’do njeri tjetër…

Pushtuar je nga urrejtja

dhe aspak nuk e kupton

se komploton ndaj vetes,

kur kërkon të shkatërrosh

shtëpinë që duhet riparuar.

A ka shtëpi më të bukur…

…sesa dashuria?

 

Sonet #23

Si aktor që harron fjalët,

për shkak të emocionit,

apo si pasioni i tepruar

që njeriun e bën të dobët,

unë humbas vetëbesimin

edhe harroj të them

gjëra që, një në dashuri,

duhet t’ia thotë të dashurës

Pse kur duhet më shumë,

dashuria sikur dobësohet?

Por më mirë se unë,

për zemrën time,

flasin shkrimet e mia.

Për dashuri deklarohen,

më mirë prej çdo oratori,

heshturazi shprehin atë,

që zëri s’është në gjendje.

Dashuria ofron pasqyrën

për leximin midis rreshtave.

 

Sonet #27

I lodhur nga puna

ngutem për në shtrat,

vend i ëmbël pushimi

për trupin e lodhur.

Por, sapo shtrihem

mendja nis të punojë,

me sytë e tejhapur

në errësirën e thellë

imazhi yt më del,

si yll i ndritshëm

natën e bën të bukur.

 

              Sonet #28

Si mund të gëzohem

pa mendje të qetë kur,

shqetësimet që përjetoj

gjatë ditës, natën

s’më lënë të fle

dhe netët pa gjumë

më shtypin ditën?

Edhe pse të dyja

janë armiq natyrorë,

duart kanë shtrënguar,

si për të rënë në ujdi,

të më torturojnë mua.

Ditën punë – natën mendime.

Përpiqem ditës t’i bëj qejfin,

i them se je aq e ndritshme,

sa t’i marrësh vendin diellit,

kur retë mbulojnë qiellin.

Lëvdoj edhe natën e zezë,

duke i thënë: sa shumë shndrit

në qiell, mbrëmjeve pa yje.

Por të dyja – ditë e natë

vetëm zgjasin dhimbjen

që natë pas nate rritet.

 

                  Sonet #29

I ndarë nga të gjithë

fati më ka braktisur,

si i dëbuar, rri e qaj,

lutjet drejtuar Zotit

në vesh të shurdhër bien.

Kështu shikoj veten,

fatin tim mallkoj.

Përse nuk më dha

pamjen, miqtë, aftësitë

e mundësitë e tjetrit?

Tërësisht i pakënaqur

me të gjitha sa kam,

urrej veten time.

Kur të mendoj ty

më mirë ndihem,

si larka në agim

që ngrihet në qiell,

larg nga kjo tokë,

duke kënduar himne

për Perëndi a Qiell

Kur ty të kujtoj,

për dashurinë e ëmbël,

ndihme kaq i pasur

sa do refuzoja, vendin

edhe me mbretër ta ndërroja.

 

                  Sonet #30

Kur në heshtje rri

mendoj të kaluarën,

që rëndësi s’i dhashë,

mërzitem për gjërat

që nuk i kam por, doja.

Brengave të vjetra

lot të rinj u shtoj,

sytë nga të qarët

rrallë pata njomur.

Por, tani përmbyten

për miqtë e çmuar

humbur ose vdekur.

Qaj, vuaj, ankohem

edhe për të tjera

si të mos mjaftonte

dhembja që provova,

atëherë, kur humba

shumë nga këto gjëra.

Janë plagë të kohës

që prapa s’kthehet,

si për të më dënuar

me dhembje pafund

 

                   Sonet #35

Mos u mërzit për atë që bëre

çdo gjë ka anën e keqe:

trëndafili gjembat, burimi baltën,

krimbat jetojnë në lulet e bukura,

dielli, hëna kanë re dhe eklipse.

Të gjithë bëjnë gjera të këqija.

Kur justifikoj shkeljet e tua,

unë korruptoj veten time,

për mëkatet e tua

që janë vetëm fizike,

por, mua më duhet

t’i përjetoj në mendje,

për të arsyetuar në emër të tyre.

Personi që ke lënduar, tani

të mbron ty, kundër vetes.

Jam ngatërruar, kështu

mes së mirës e së keqes,

sepse nuk mund të rri

pa mbrojtur dashurinë,

që më plagos me urrejtjen.

 

                  Sonet#36

E pranoj se duhet të ndahemi

edhe pse të bashkuar në dashuri.

Kështu mund të marr mbi vete turpet,

që kemi kryer së bashku,

pa lënë ndonjë njollë për ty.

Dashuria që kemi mes njëri-tjetrit

është kauza jonë e përbashkët,

pavarësisht nga kjo gjendje

që na detyron te ndahemi,

edhe pse nuk na pengon

nga të qenit në dashuri,

ajo grabit orët e ëmbla

të kënaqësisë së bashku.

Nuk mund të përshëndes hapur,

përsëri, sepse faji im

do të sillte turpin mbi ty.

Edhe ti s’mund të më flasësh

në publik, pa cenuar emrin tënd.

Të dua aq shumë,

saqë emrin e mirë tëndin

e shoh më me vlerë se timin.

Hapur më nuk do flasim.

 

                 Sonet #39

S’mund të rri pa lëvduar

vlerat e tua në poezitë e mia

pa u dukur mendjemadh;

ti je gjysma ime më e mirë.

Prandaj, s’mund të të lëvdoj

pa i bërë qejfin vetes.

Edhe pse shumë duhemi,

kërkoj të jetojmë të ndarë

kështu, mund të të jap lavdet

që ti, e vetme i meriton.

Dënim për mua do jetë

mungesa jote, pa faktin,

se ajo më jep mundësinë

t’i mbush orët e vetmisë

me mendime të ëmbla

për dashurinë me ty,

dhe të mësoj si ta ndaj

dashurinë dhe veten në dy;

si tani që të lëvdoj

ndërsa ti je diku tjetër.

 

                   Sonet #70

Njerëzit flasin keq për ty,

por ato nuk do të quhen,

sepse, gjithmonë njeriu i mirë

ka qenë objektiv i shpifjes,

përherë objekt dyshimi,

korb i zi në qiell të nxirë.

Për sa kohë që je i mirë

mbetesh synim i tundimit,

shpifjet vetëm dëshmojnë

sa i denjë je, dhe i keqi,

si krimbi zvarritet

drejt më të bukurës lule.

Por, mjaft me lavdërime,

që i bëjnë ziliqarët të përflasin.

Nëse njeriu i mirë nuk maskohet

me të paktën një hije dyshimi,

do ishte krijesa më e përsosur

pra,fare nuk do ekzistonte.

 

                 Sonet #92

Por, ik, më lër

bëj ç’të mundesh

për të më lënduar.

Unë do jem gjallë

për aq kohë sa më do:

jeta ime varet

nga dashuria jote.

Nuk shqetësohem

për të gjitha gjërat

e tmerrshme që ti

mund të bësh

për t’më lënduar mua;

sa më parë,

aq më shpejt

do të vdes.

Jam në pozitë

më të mirë, sesa do të isha

sikur të varesha nga ndjenjat e tua.

Pabesia jote s’më shqetëson

sepse jeta ime mbaron

sapo ti të vendosësh,

se nuk do rrish me mua.

Oh në çfarë pozite jam:

i lumtur për dashurinë tënde

dhe i lumtur për të vdekur!

Ajo që më mundon është,

se ti mund të më tradhtosh

dhe unë nuk do të jem gjallë

ta marr vesh;

kaq shumë më mundon

pabesia jote.

 

Sonet #93

Do jetoj si burrë i mashtruar,

duke supozuar që ti je besnike.

Fytyra jote do të tregojë

se më do, edhe pse jo.

Ajo do të qëndrojë e njëjtë,

por zemra diku tjetër.

Fytyra jote nuk merr

shprehje të urrejtshme,

prandaj kurrë nuk mund ta di

se ajo ndryshon nga zemra.

Njerëzit shprehin ndjenja,

duke krijuar rrudha

nga më të çuditshmet

në fytyrat e tyre,

por kur qielli të krijoi,

vendosi që fytyra jote

të shprehte gjithmonë

dashuri e ëmbëlsi,

pavarësisht dëshirave.

Bukuria jote ngjason

më shumë me mollën e Evës;

je jo aq e virtytshme, sa dukesh.

 

Sonet #96

Disa thonë, se faji yt

është mosha jote e re,

se problemi është epshi.

Sjelljet lajkatare

të bëjnë tërheqëse,

gabimet t’i kthejnë

në burime hijeshie,

si një gur pa vlerë,

që tepër çmohet

kur mbahet nga

një mbretëreshë.

Kështu, mëkatet

shihen si të mira.

Sa qengja ujku

do mund të mashtronte

me zymtësinë e tij,

nëse s’merrte pamje qengji?

Sa njerëz do të vinin pas

nëse nuk do të ishe e bukur

por do kishe vetëm mëkate?

Mos vepro kështu

(pasi je e imja)

emri yt, i mirë a i keq

zgjatet edhe mbi mua.

 

                      Sonet #110

Mjerisht, është e vërtetë,

shumë kam bredhur,

qesharak jam bërë,

mendje hallakatur.

Për pabesi të vjetra

miq të rinj përdorur,

vlerë s’kam njohur

çdo gjë përçmuar.

Dashurinë e vërtetë

e kam përbuzur.

Tani s’ndiej tjetër gjë

veç dashurisë për ty,

jo më dashuri të reja

as vuajtje për

dashurinë e vjetër.

Dua të kthehem

Në zemrën tënde.

Parajsa e para,

pas saj, për mua

ti je më e mira.

 

               Sonet #116

Është e palejueshme,

të mos bashkohen

dy mendje që dihen.

Dashuria s’është vërtet dashuri

nëse ndryshon kur sheh ndryshim

ose zhduket, kur lë atë që dashuron.

Dashuria është dritë,

gjithmonë e ndezur

dhe në mot me stuhi

bëhet yll udhëzues,

që anija të mbajë drejtimin.

Dashuria s’varet nga koha,

e cila me pushtetin e saj,

pa mëshirë, (ishte bashkë?) bukurinë shkatërron.

Dashuria është ndjenjë, frymë

që nuk ndryshon me orë e javë,

por zgjatet deri kur

botës fundi t’i vijë.

 

Fan Noli në Boston: Asnjë këngë popullore për Skënderbeun…

Mjerë ne!

 Fan Noli

“Sot Shqipëria po kujton si në kohën e Skënderbeut… Të vetmen shenjë të kombësisë që na ruajtën nënat është gjuha. Të tëra të tjerat i kemi marrë prej syresh të mutiluara (gjymtuara), ca gjëra si kemi marrë fare. Përrallat e trimërisë shqiptare në luftën e tmerruar kundër Turqisë, kujtimin e madh të mbretit tonë të funtmë, shpresën e një përlindje kombëtare. Cilat nga nënat shqiptare na rrëfeu legjendat e Skënderbeut? Cila na këndoi përpara vatrës balladat kohrëse të historisë kombëtare, cili Atë na mori përdore që të na tregojë fushat ku luftuan shqiptarët dhe muntnë a u muntnë? Mjerë ne? Emri i Skënderbeut gjer dje ish si një emër i huaj për të gjithë shqiptarët. Asnjë këngë popullore për këtë mbret trim si Aleksandri i Madh, diplomat si Louis-i IX. Asnjë vjershëtor, s’e këndoi, asnjë nënë s’e vajtoi, asnjë çilimi s’u përlot dhe s’u ndez duke dëgjuar trimëritë e tij. Njeri s’tregon Krujën që luftoi, njeri s’vete të falet në Lesh ku vdiq. Po fle i harruar dhe i neveritur dhe emri i tij ngashëron vetëm ca idealistë shqiptarë ekscentrikë, jashtë kanunit, jashtë fesë, masone të nëndheshme, vagabondë kokë-prishur, në vend që të jetë ushqim mendor i gjithë kombit. Kuptoni tani që s’ka ironi më të madhe se sa të flasim gjuhën shqipe dhe të mos dimë emrin e shqiptarit që e foli. Po jo! Besa lajthim, se e dimë çe sa. Një mysliman i rritur në shkollat turqishte, që, para se të vinte n’Amerikë besonte se Skënderbeu s’qe veç një hajdut i kohërave të vjetra në një radhë me Kajon dhe me zuzarët e tjerë që nxjerr aq pasurisht Toskëria jonë. A ka blasfemi më të tmerruar nga an’ e Turqve të cilët dridheshin për 25 vjet kur dëgjonin emrin e mbretit tonë, a ka helm më të fortë për djalërinë shqiptare që thithin nëpër shkollat e armikut me prizmin për racën e tij? Ta mproj Skënderbenë nga këto ç’pifje? Jo, se s’jam i marrë. Po më duhet që s’duhet ta lë këtë resje (rast) pa ju dhënë një shembull të vogël të mëdhësitës kombëtare”.

 

Dy tregime të Konicës për Skënderbeun, shkëputur nga Vepra 1

 Mrika

 

Faik Konica

Sulltan Murati, me dyzet mijë këmbës e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, ra përpara Krujës më 1448, edhe e bëri qark kryeqytetin. Skëndërbeu kish lëshuar në Krujë kontin e Urenës, i cili, me gjithë thesarët që i premtoi sulltan Murati, qëndroi kundrë me trimëri të madhe. Shqiptarët,sipër nga muret që rrethonin Krujën, rrëkëllenin mi krerët e turqve shpella, zjarr e vaj përvëlimtar. Nga tjatër anë, Skëndërbeu, me tetëmbëdhjetë mijë njerëz vetëm, derdhej përsëjashti me ushtrinë armiqeshë, e në luftëra të nxehta, priste turq me qindra, edhe hiqej duke rrëmbyer flamurë e plaçka. Një ditë, turqit ngrehin shkallë përmbi muret, që të binin me të pabesë në qytet; Skënderbeu, në ballë të shqipëtarëvet edhe me pallë në dorë, u lëshua kundrë armikut me një hov aq të tutshëm, sa turqit iknë e u përhapnë në të katër anët e fushës, shqiptarët, pastaj, hyjtin në qytet të Krujës. Po një frikë e madhe i drodhi të gjithë, kur panë se Skënderbeu s’ish midis tyre…

Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjineshatë bardha,yjtë ëndërronin me trishtim. Konti i Urenës, sa gatitej bashkë me parësinë për të dalë për të kërkuan Skëndërbenë, – Mrika, çupë gjashtëmbëdhjetë vjetsh, më e bukura, më e shkëlqyera, më trimëresha e Krujës, kish hipur një kali të zi, e hidhej përpara, te deti i natës.

Në mes të fushës u përpoq me një kalorës. Njeriu i Azisë hëngëlliti nga gazi, kur gjysmë pa – nëpër rrezat e yjve – leshrat e Mrikës, që derdheshin gjer në vithet e kalit:

Allahu më paska dërguar për sonte një jastëk të butë!

Dheu është jastëk më i butë! – tha Mrika, e, me një të hequr palle, i vërtiti kokën. Kali u ngul në errësirë, e trupi i ushtëtarit u plas mbi tokë. Mrika zbriti, e, duke thënë “Perëndia i ndjeftë!”, i lërojti me majë të pallës një kryqnë kraharuar, pastaj u vërvit prapë mi kalë e u sil përpara.

Ah, ç’ëndërr nën yjtë e qetë, kjo e vashës së bukur që vente mi një kalë të rreptë për të gjetur trimin!…

Me një hop, Mrika zhveshi pallën, se Skënderbenë të rrethuar prej një tubë turqsh-e pa që po luftonte.

Trimit i ish copëtuar palla mi krerët armiq, e, duke marrë pallën e Mrikës, i preu kundrëqëndrimtarët. Po një prej këtyreve, para rënë, kish mund të plagosë në kraharuar Mrikën.

Skënderbeu i hipi kalit edhe e mori trimoshin e Krujës në pëqi. Si dragua, kali fluturonte nëpër fushë. Kur ia qasnë mureve të qytetit, Mrika ish e vdekur, – por e bukur, e qetë, me një nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiste pranë Skënderbeut!…

1898

 

Martesa e Skënderbeut

Viti 1450, plot me mundime, me luftëra e me gjakra u mbarua duke ndritur edhe më bukur emrin e Skënderbeut. U dëftua në atë vit, në faqe të gjithë dheut, se Skënderbeu qe më i madhi kapetan i kohës së tija.

Vitin 1451, Babai i Kombit e shkoi në qetim e në paqe; trimi i mjerë kish nevojë të mblidhte kockat e të çlodhej. Në atë vit goditnë dy punë të lumura: Skënderbeu u martua me zonjën Merine, të bijën e Arianitit, që ish kryezot i Kaninës, – në atë vit prapë, ngriti kështjellën e Modrises.

Dasma u bë më 26 të prillit 1451, – Skënderbeu ish 47 e zonja 23 vjetsh. Princë e zotërit fqinjë erdhnë më të shumët në dasmë, e, ata që ishin të penguar në dhe të tyre, dërguan zëvendës, – të gjithë me kanisqe të bukura. Veç nuk erdhën princët Dukagjinë, që ishin si pak më të ftohtë me Skënderbenë, edhe në vëllezërit e nuses, të cilët s’deshnë të venë në dasmë se ishin të zemëruar keq që i ati i kish dhënë pajë të tepërt se motrës tyre. “Hajde, djall Toske, hajde!Ku të lë felle Toska! E kush e mban Toskën kur zemërohet?…) Pa mbyllni pak sytë, e të veni me mend 450 vjet prapa, në Kaninë, në konak të zotit Arianit me bijtë e vet.

He, mor djelm, thotë luftëtari i ndritur, veshur me fustane e me xhokë, me silah, me kalca e me opinga; he, mor djelm, ç’keni ju! Edhe juve ju kam për të lënë begati. Çapni në dasmë, se është turp!

Jo, mor zot, jo, përgjigjen toskët e rinj, nuk vemi ne, na u mbush mendja!

Si u mbarua dasma, Skënderbeu vuri ndër mendt të niset me Princeshën, të shoqen e tija e të vejë ndëpër gjithë viset që ishin nën urdhër të tija. E ashtu, u nisnë, e kudo vanë qytete e kështjella, përpiqeshin kush e kush t’i presë më mirë e t’u japë më të bukura darovita.

1912

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency