“Kongresi i Përmetit” rikthen fotot dhe thirrjet për Enver Hoxhën para deputetëve të PS-LSI-së

0
93

Florenc Drizari

Ruçi: Nuk duhet të kompleksohemi, jemi popull që kemi histori

Meta: Ne nuk pajtohemi me deformimin e mëvonshëm të vendimeve të Kongresit të Përmetit

 
ENVERI PRAP70-vjetori i Kongresit të Përmetit rikthen fotot dhe brohoritjet për Enver Hoxhën. Në aktivitetin e djeshëm të zhvilluar në Përmet morën pjesë politikanë të së majtës si Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, ministra dhe deputetë të tjerë të mazhorancës të PS-së dhe LSI-së, si dhe veteranë të luftës. Përfaqësuesit e politikës mbajtën edhe nga një fjalim të shkurtër, ndërkohë që në sallë dëgjoheshin thirrjet veteranëve të luftës “Parti Enver”, apo “Rroftë Partia Komuniste”. Më herët personalitetet nderuan Kongresin, por dhe Dëshmorët duke vendosur kurora me lule pranë memorialit kushtuar Kongresit të Përmetit.

Përmet                                                                 

Gjatë fjalës së tij Kryeparlamentari Meta tha se Kongresi ishte një moment i lavdishëm për luftën, ndërsa nënvizoi se nuk pajtohet me deformimin e mëvonshëm që iu bë vendimeve të tij.

“Ne nuk pajtohemi me deformimin e mëvonshëm të vendimeve të Kongresit të Përmetit. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është krenaria jonë e madhe. Kongresi i Përmetit, është një moment i lavdishëm për luftën. Pa luftën fati i Shqipërisë mund të ishte edhe copëtimi i saj, mirënjohje për partizanët e dëshmorët e atdheut”, – u shpreh kreu i Kuvendit.

Në kuadër të datës 24 Maj, e cila përkoi me ditën në të cilën është mbajtur “Kongresi i Përmetit”, nuk munguan dhe polemikat se kujt i takon merita e vërtetë e mbledhjes së kongresit.

Përveç deputetëve të parlamentit të Shqipërisë, të pranishëm kanë qenë dhe veteranët e Përmetit, të cilët kanë kërkuar të largohen nga salla e homazheve, ku po zhvillohet një takim në kuadër të përkujtimit të kësaj dite. Veteranët nuk janë kursyer dhe me parullat “Rroftë partia komuniste”.

“Tregoni të vërtetën kush e bëri kongresin”, – kështu janë shprehur veteranët e luftës nacional-çlirimtare. Ndërkohë, të pranishëm në homazhe ishin dhe deputetët, Anastas Angjeli, Luan Rama, Arta Dade, Dashamir Shehi, Vangjel Tavo dhe Gilberto Jaçe, të cilët kryen nderime dhe në lapidarin “Kongresi i Përmetit”. Deputeti Ruçi gjatë fjalës së tij tha se s’duhet të kompleksohemi, jemi popull që kemi histori.

“Ja pse së bashku me Kryetarin e Parlamentit, z. Meta, ja pse së bashku me dy ministra, z. Ahmetaj dhe Veliaj, ja pse së bashku me të gjithë kolegët deputetë të dy forcave politike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, dy forca politike që e kanë në themel të programit të tyre lavdinë, historinë, patriotizmin, atdhetarizmin dhe s’kemi asnjë kompleks nga e kaluara, se e kaluara jonë është e lavdishme”, – tha z. Ruçi.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilbert Jaçe, i cili vlerësoi sakrificën e djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimit e vendit. Takimin e përshëndeti dhe kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it,z. Rustem Peçi, i cili u shpreh se Kongresi i Përmetit dhe lufta antifashiste i dhanë një kthesë të madhe historisë së vendit tonë.

Kjo ngjarje vjen pak javë pas festimit të 5 Majit në Shqipëri, Ditës së Dëshmorëve. Edhe në këtë datë pati “incidente” të komentuara nga një pjesë e politikës shqiptare lidhur me shfaqjen e fotove të Enver Hoxhës apo nderimet me grushtin lart, simbol i komunizmit. Pas këtyre ngjarjeve reaguan përfaqësues të së djathtës, ish-të përndjekur, apo edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Në një intervistë televizive ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizi, e cilësoi si shqetësuese publikimet në media të fotove në Përmet ku disa fëmijë kishin pozuar me simbolet e Komunizmit.

 

 

Greva e ish-punonjësve, Meta: E respektoj, por po politizohet

Kryetari i Kuvendit reagoi në ditën e katërt të grevës së urisë së personave të larguar nga administrata, duke theksuar se respekton të drejtat e qytetarëve, paçka se nuk e sheh si zgjidhje të pretendimeve të tyre. Deklaratat e Metës u bënë nga aktiviteti i djeshëm i zhvilluar në Përmet me rastin e 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit. “Greva e urisë është një e drejtë e qytetarëve që kanë zgjedhur të bëjnë këtë grevë. Unë e respektoj, por nuk e shikoj si një rrugë e zgjidhjes. Më vjen keq për politizimin ekstrem të bërë nga lidershipi i partisë Demokratike. I ftoj të mos e nxisin dhe motivojnë politikisht këtë grevë, sepse nuk duhet cenuar shëndeti i asnjë qytetari”, – deklaroi Meta. Rreth katër ditë më parë 16 persona të shkarkuar nga puna hynë në grevë urine duke ngritur çadrat pranë Kryeministrisë, ndërkohë që gjendja e tyre në ditën e pestë paraqitet më e rënduar dhe disa prej tyre janë detyruar të ndërpresin atë. Në mbështetje të kësaj greve kanë dalë edhe deputetët e opozitës të cilët pothuajse në çdo ditë të kësaj greve, kanë zhvilluar takime me ta.

 

 

Statusi kandidat

Kryeministri Rama të hënën zhvillon vizitë zyrtare në Holandë

Pak javë para shqyrtimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në Bashkimin Evropian, Kryeministri Edi Rama pritet të udhëtojë të hënën drejtë Holandës, ku do të zhvillojë takime të nivelit të lartë.

Këtë vizitë në Holandë, Kryeministri e paralajmëroi edhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist të hënën e 19 majit, ku deklaroi se kishte marrë një ftesë nga kryeministri holandez duke shprehur besimin se ekzistojnë arsye të forta se “kurrë nuk kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik të munguar për Shqipërinë, disa vite me radhë”.

“Si afrim të ndjeshëm ndaj objektivit të statusit të vendit kandidat lexojmë edhe ftesën e kryeministrit holandez për një vizitë të afërt zyrtare tonën në Holandë, një kontakt i drejtpërdrejtë i nivelit më të lartë, që deri para pak muajsh dukej i pamundur. Jam i bindur se të tjera kontakte të munguara prej kohësh do të bëhen realitet në muajt në vijim. Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme ministrin tonë të Jashtëm, që në pak kohë i ka dhënë një cilësi të re dhe një impakt konkret në marrëdhëniet me të tjerët, rolit të shefit të diplomacisë shqiptare”, – është shprehur Rama.

E ndërsa mbeten edhe pak javë nga vendimi për statusin e vendit kandidat, kryeministri deklaroi se kontaktet me partnerët ndërkombëtarë janë shpresëdhënës për fatin evropian të Shqipërisë.

Gjatë vizitës në Holandë, Kryeministri Rama do të mbajë në Institutin e Hagës për Drejtësi Globale një ligjëratë të fokusuar në kontributin e Ballkanit në të ardhmen e BE-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency