Protesta e opozitës/Basha: Rama i rrëzuar moralisht, endit i duhet zot shtëpie

0
122

Gëzim Saliu

basha me gishtat lartFjalimi në shesh/ Basha: Rama, i rrëzuar moralisht, vendit i duhet zot shtëpie

 “Mesazhi i opozitës ndaj Evropës dhe SHBA-së me protestën: Shqipëria nuk është narkotrafiku, por populli i saj i lirë”

 Do të doja që secili prej jush të ngjitej në këtë tribunë para këtij mikrofoni, për të parë prej këtu nga fillimi në fund, këtë pamje madhështore të lirisë dhe shqiptarisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Është këtu Tirana, zemra e vendit. Është Jugu dhe Veriu, janë shqiptarët në këmbë, shqiptarët në shesh, shqiptarët e bashkuar pa dallime politike, shqiptarët kundër një armiku shumë të rrezikshëm që po kërcënon vendin tonë, po minon bazat e civilizimit tonë, po kërkon të prishë traditat tona, të marrë peng dhe të shtypë liritë tona, të asgjësojë ëndrrën tonë evropiane. Ky armik është droga, është narkotrafiku në përmasa të frikshme, i ngritur në sistem me një shpejtësi të pabesueshme gjatë pesë-gjashtë muajve të fundit, është oligarkia financiare e bosëve dhe baronëve të paprekshëm të drogës, që administrojnë këtë ndërmarrje kriminale tashmë gjiganteske me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje të Edi Ramës dhe kupolës së tij. Intensifikimi i trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt vendeve perëndimore shënoi një kulm dhe një stad të panjohur me sprovat e shumta të krimit të organizuar nga janari i këtij viti, për të kapur qiellin tonë dhe për ta shndërruar vendin tonë në një zonë të lirë të drogës në këtë pjesë të Evropës. Ky ishte dhe vazhdon të mbetet një moment shumë kritik për fatin tonë si vend, për fatin tonë si popull, për fatin tonë individual si qytetarë, kryefamiljarë, prindër dhe fëmijë. Një grusht narkotrafikantësh me lidhje dhe mbështetje politike e logjistike në nivele të ndryshme të qeverisjes guxuan për interesat e tyre të fëlliqura përmbysjen brutale të kursit të Shqipërisë evropiane, duke e venë në kursin e Shqipërisë kolumbiane, në kuptimin e rënies së vendit nën sundimin e narkotrafikut. Ishin dhe janë ditë të vështira, por shqiptarët u ngritën e po ngrihen me thirrjen e opozitës, me kushtrimin e traditës, virtyteve dhe ëndrrave tona për të marrë në dorë fatin tonë, për të hequr damkën e narkotrafikut nga faqja e atdheut, për të mposhtur e shporrur oligarkinë mafioze-politike të drogës. Për të treguar me gisht Edi Ramën si përgjegjësin kryesor për këtë gjëmë, duke i kërkuar të largohet, sepse vendi ka nevojë me shumë se kurrë për zot shtëpie në krye qeverisë dhe jo për adjutantë dhe pengje të narkotrafikut, siç e ka treguar qartë se është Edi Rama me gjithë qëndrimet e tij. U ngritën shqiptarët, u bashkuan shqiptarët. Ja ku janë. Ja ku jemi. Kjo është një ditë e madhe, kjo është një ditë historike, që unë, me lejen tuaj, kam nderin t’ua tregoj gjithë miqve dhe partnerëve tanë, t’ua tregoj fëmijëve që janë e ardhmja e këtij vendi, t’ua tregoj brezave:Kjo këtu është Shqipëria e punës, e nderit, e virtyteve më të mira. Kjo këtu është Shqipëria e ligjit, e demokracisë dhe integrimit. Kjo këtu është Shqipëria që nuk e ul kokën, nuk trembet, nuk frikësohet, nuk gjunjëzohet, nuk gënjehet e nuk mashtrohet. Kjo është Shqipëria që lufton, që ndeshet, që sakrifikon për vlerat që bashkojnë historinë e saj me aspiratat e saj evropiane. Kjo është Shqipëria që nuk kthehet prapa. Kjo është Shqipëria e statusit të vendit kandidat në Evropë. E meritojmë statusin e vendit kandidat edhe për këtë protestë që po bëjmë sot në këtë bulevard të nderit dhe shpresës, për ketë mesazh të madh që po i japim të gjithë bashkë Evropës dhe partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Shqipëria nuk është narkotrafiku, por populli i saj i lirë. Shqipëria nuk është xhungla e një grushti oligarkësh të drogës, por demokracia e qytetarëve të saj. Edi Rama, Kryeministri akoma në detyrë, që ka rënë moralisht ditën e rënies së avionit të drogës në Divjakë si simbol i drogës me avionë, është sot më larg se kurrë me ketë Shqipëri të punës dhe nderit, parimeve dhe vlerave. Është jo vetëm larg saj, por çfarë është më e keqja, është kundër saj, kundër qytetarëve, kundër jush me papërgjegjshmërinë e tij, me sjelljen dhe qëndrimet e tij skandaloze në çdo etapë të shpërthimit të megaskandalit të drogës, me nënvlerësimin që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë këtij rreziku të madh kombëtar, që po mblidhet si një re e zezë rreth Shqipërisë për t’i zënë diellin dhe dritën, për t’i helmuar tokën, qiellin dhe detin, për t’i shkatërruar historinë dhe ardhmërinë, për të përmbysur skrupujt dhe moralin e jetës sonë, për të hedhur në erë bazat e sistemit të edukimit që u transmetojmë fëmijëve në familje dhe në shkollë, për të pushtuar pushtetin e popullit që pas kësaj nuk do të jetë më i qytetarëve. Po, po, duhet ta themi me zë të lartë. Në mos për këtë, për çfarë tjetër! Shqetësimi që na ka bashkuar e ngritur në këmbë nuk është nga ato që jemi mësuar të shohim rëndom në arenën e përplasjeve politike mes opozitës dhe qeverisë apo anasjelltas. Shqetësimi i ngritjes në sistem të narkotrafikut është kombëtar, është ekzistencial, është të jemi apo të mos jemi këta që jemi, të jemi a të mos jemi njerëz të lirë, të jemi apo të mos jemi një vend demokratik që aspiron të bëhet pjesë e Evropës. Trafiku marramendës, si kurrë më parë i drogës nga toka, nga deti dhe nga ajri është fatkeqësia jonë shoqërore dhe politike nëse nuk e ndalojmë, nëse nuk e flakim. Droga përbën sot agresionin më të madh ndaj normave dhe parimeve mbi të cilat mbështetet edukimi dhe formimi i fëmijëve, i të rinjve, i brezave; agresionin më të madh ndaj normave dhe standardeve të punës së ndershme. Droga në sistem i thotë nxënësit dhe studentit mos mëso se fiton më shumë duke trafikuar. Droga në sistem i thotë fermerit mos mbill perime fruta apo drithëra, por mbill drogë. Droga në sistem ushqen iluzionet e pasurimit të shpejtë. Por asnjë vend në botë nuk ka bërë hajër përmes drogës, nuk ka përparuar përmes drogës. Vendet që kanë rënë për pak kohë apo për një kohë më të gjatë në kthetrat e karteleve të drogës në Amerikën e Jugut apo në ndonjë gjeografi tjetër joevropiane kanë marrë goditje dhe plagë shoqërore shumë të rënda, kanë pasur e kanë vështirësi të marrin veten dhe të ecin me hapin e vendeve ku sundon ligji dhe demokracia. Përvoja e këtyre vendeve ka treguar qartë se droga vetëm ka shkatërruar, droga vetëm ka hapur varre, droga vetëm ka hapur plagë, droga ka hedhur njerëzit kundër njëri-tjetrit, ka shkatërruar familjet dhe ka kthyer prindërit kundër fëmijëve, ka kthyer fëmijët kundër prindërve, ka ndjellë konflikt social, ka tundur shoqëritë nga themelet. Ata që përfitojnë nga kjo veprimtari e tillë janë gjithnjë një grusht njerëzish të cilët kanë synime që përmes parave të pista të drogës të kapin shtetin dhe qeverinë. Çdo ditë kapen në Itali, Greqi dhe në vendet e tjera të Evropës tonelata me drogë që nisen nga Shqipëria. Vlera e tregut e drogës së kapur vetëm këto 4 muaj llogaritet në rreth 250 milionë euro. Vlera e drogës së pakapur sigurisht është shumëfish më e madhe se kjo. Ku shkojnë këto para? Këto para të pista i marrin frymën zgjedhjeve dhe demokracisë, siç kanë provuar t’ia marrin në zgjedhjet e vitit të kaluar! Këto para të pista i marrin frymën medias së lirë si kolonë e demokracisë! Këto para të pista blejnë vendimmarrjen politike dhe vetë qeverisjen e vendit. Ky është alarmi, ky është rreziku shoqëror dhe politik i narkotrafikut, kundër të cilit jemi ngritur dhe jemi bashkuar në këtë barrikadë të pathyeshme zemrash dhe mendjesh. Nuk është rrezik teorik, por më real se kurrë. Nuk është në horizont, por është i ulur këmbëkryq. Nuk duket i tërhequr apo i trembur, por është në lulëzim të plotë. Edi Rama me kupolën e tij ia doli të prodhonte vetëm një lajm për botën, një lajm që i bën me turp të gjithë shqiptarët: trafikun në përmasa të frikshme të drogës. Edi Rama me kupolën e tij u kanë hyrë në hak zgjedhësve të majtë dhe të gjithë shqiptarëve me premtim/mashtrimet e tyre të paskrupullta, me përkeqësimin që kanë sjellë e po thellojnë çdo ditë në ekonomi, në rend dhe në çdo fushë tjetër, me arrogancën dhe arbitraritetin që kanë dëshmuar ndaj çdo shtese shoqërore, siç janë edhe nëpunësit e administratës civile të shkarkuar në kundërshtim me ligjin dhe janë detyruar të ngujohen në grevën sublime të urisë ngaqë Kryeministrit i vendit nuk zbaton vendimet e gjykatave, si të ishte ky vend një sulltanat i tij dhe jo një republikë e ligjit. Janë gënjeshtarë dhe do t’i paguajnë kur të vijë dita gënjeshtrat e tyre, thonë qytetarët e zhgënjyer e të mashtruar. Janë të paaftë dhe do të paguajnë kur të vijë dita për paaftësinë e tyre, thonë qytetarët e goditur nga dështimet e tyre. Janë jashtë sistemit dhe nuk zbatojnë vendimet e gjykatave dhe duhen kundërshtuar më të gjitha mjetet, siç po kundërshtojnë e po sakrifikojnë grevistët e urisë. Por kjo e shndërrimit të vendit në një bazë kontinentale të narkotrafikut është një pabesi e pashembullt ndaj popullit sovran, është i vetmi premtim i mbajtur, premtim i zi që popullit nuk i është bërë e nuk mund t’i bëhet, është hyrje në hak e në borxh që nuk mund të presë asnjë ditë për t’u shlyer sepse e keqja ka ardhur e ka kaluar dhe çdo ditë tjetër që kalon vetëm po e rrit atë më shumë. Do të mjaftonte gjithë ky trafik kolosal që nuk njeh pauza, do të mjaftonte gjithë ky zgjim dhe organizim i paprecedent i trafikut të drogës me lidhje ndërkombëtare në territorin e Shqipërisë, do të mjaftonte guximi i tyre për të kapur qiellin, për të krijuar ura ajrore që Edi Rama të jepte dorëheqjen. Përse votohet dhe përse qëndron në detyrë në fund të fundit një Kryeministër, që në rastin më të mirë nuk di ç’bëhët në vendin e tij dhe nuk kontrollon dot territorin e vendit të tij? Kujt do t’i duhej një leshko, që vjen në pushtet me betime të mëdha për të kontrolluar territorin dhe pikërisht territorin humb duke ua dorëzuar narkotrafikut?

Por Edi Rama, të nderuar qytetare e qytetarë, nuk ka qëndruar në këtë nivel përgjegjësie, nuk ka qëndruar në nivelin e leshkos. Ai ka shkuar shumë më larg e shumë më keq.

Ka mohuar informacionet për avionë droge, kur opozita e vendit e pyeti ku i ke dhe ç’po bëhet me to?

Është tallur me opozitën në mënyrën me cinike dhe më banale. Ka shpërfillur dhe vazhdon të shpërfillë dëshmitë e gazetarëve dhe qytetarëve. Nuk ka bërë asgjë për mbrojtjen e tyre nga kërcënimet e mafias, i ka lënë të shkojnë mish për top po të mos mbroheshin vetë. Ka refuzuar dhe vazhdon të refuzojë transparencën e narkotrafikut përmes komisionit hetimor parlamentar. Mohim, fshehje, mashtrime; kjo ka qenë sjellja e tij derisa avioni i Divjakës e shpërtheu gënjeshtrën e tij në dritën e këtyre zhvillimeve. Opozita dhe mbarë qytetarët shqiptarë kuptojnë sot më mirë se pse u shkarkua me një të rënë të lapsit e gjithë kupola drejtuese e Policisë së Shtetit, siç nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 23 vite. Pse janë punësuar aq shumë trafikantë në poste të rëndësishme nga qeveria e Edi Ramës?! Pse të jesh narkotrafikant është një avantazh në sistemin e tij të emërimeve dhe meritës?!

Bumi i narkotrafikut nuk ra si rrufe në qiell, por mori zemër dhe hov në këtë kontekst emërimesh, shkarkimesh e politikash të këtij Kryeministri. Ne e kemi akuzuar dhe e akuzojmë Edi Ramën për fshehje dhe inkurajim të krimit të narkotrafikut me gjithë qëndrimet që ka mbajtur. Ne kemi kërkuar e kërkojmë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi numër një për këtë situatë kaq të nderë dhe përgjegjësia kërkon dorëheqje, por edhe sepse, largimi i tij i menjëhershëm nga posti që mban është zgjidhja imediate për të goditur e ndaluar narkotrafikun me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje qeveritare, është prerja e nyjës gordiane ku lidhen interesat e kartelit të drogës, është imperativ për të çliruar të sotmen dhe të nesërmen nga kthetrat e pushtetit të drogës që kërcënon shqiptarët dhe fëmijët e tyre. Me përgjegjësi të lartë politike dhe qytetare, ne ua shtrojmë këtë opsion për mbështetje edhe miratim juve që keni ardhur sot në këtë protestë madhështore, ua shtrojmë gjithë qytetarëve shqiptarë pa dallime politike, me bindjen se kjo nuk është një betejë për karrige dhe s’do të jetë kurrë një betejë për karrige, por për sigurinë e të gjithëve, për dinjitetin e të gjithëve, për lirinë e të gjithëve, për imazhin e Shqipërisë, për të sotmen dhe të nesërmen evropiane të Shqipërisë. Kam parë në takimet e mia nga një qytet në tjetrin qytetarë të zemëruar. Ka zemërim në Shqipëri. Këtë zemërim e shoh sot edhe këtu. Një zemërim i rëndë dhe i përmbajtur shqiptarësh të lënduar në sedër, të lënduar në nder, të lënduar në inteligjencën e tyre me përmasat e frikshme të narkotrafikut dhe papërgjegjshmërisë dhe mashtrimeve të Edi Ramës. Qytetarët e kanë kuptuar e po kuptojnë shumë mirë se ku fle lepuri i narkotrafikut. Qytetarët e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë shumë mirë se Kryeministri Edi Rama është sot kushtrimi numër një i narkotrafikut me postin që mban dhe me mënyrën si po qeveris. Ata janë sot më mijëra e mijëra në këtë bulevard të nderit, janë me mijëra e mijëra me mendje dhe me zemër këtu me ne, e bashkohen në aleancën e madhe kombëtare kundër drogës për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës dhe kupolës së tij nga qeveria. Përpjekjet e përditshme për fshehjen e trafikut të drogës janë përgjegjësi e Edi Ramës. Edi Rama ik! Heshtja për kërcënimet mafioze ndaj qytetarëve, punonjësve të shtetit dhe gazetarëve që kanë denoncuar trafikun e drogës është përgjegjësi e Edi Ramës. Rama ik! Rikthimet në radhët e policisë se shtetit të personave të larguar si të implikuar në trafikun e drogës janë përgjegjësi e Edi Ramës. Rama ik! Emërimet në poste kyçe të infrastrukturës shtetërore të personave të dënuar si narkotrafikantë janë përgjegjësi e Edi Ramës. Rama ik! Mandati i Edi Ramës është njollosur nga narkotrafiku më i madh që ka njohur historia në këtë anë të Evropës. Qytetarët e kanë rrëzuar moralisht Edi Ramën. I ka mbetur vetëm të zgjedhë orën e largimit, orën e dorëheqjes. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë. Por ai nuk mund të vazhdojë të qeverisë dhe nuk mund të qeverisë me këtë mal përgjegjësish që ka në kurriz për narkotrafikun e ngritur në sistem me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje qeveritare. Qytetarët janë këtu, ne jemi këtu, do të jemi këtu në këmbë të palodhur, akoma më të shumtë, akoma më të bashkuar, akoma më të vendosur në këtë barrikadë të pathyeshme, deri në fund, deri në fitore. Faleminderit të gjithëve! Zoti ju bekoftë! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Mijëra  qytetarë në shesh: Një popull në këmbë kundër drogës

Mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit iu bashkuan dje protestës paqësore të opozitës, në sheshin përpara ndërtesës së Kryeministrisë, ku kërkuan largimin e kreut të qeverisë, Rama, si përgjegjës kryesor për situatën e trafikut të drogës në vend. Për gati një orë, mbështetës të PD-së dhe opozitës në emër të “Aleancës kombëtare kundër drogës” protestuan me parulla të ndryshme në duar, ku kundërshtonin gjendjen alarmante të narkotrafikut si edhe akuzonin qeverinë dhe kreun e saj si mbështetës të kësaj situate. Nga ana e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha, pohoi se beteja kundër kartelit të drogës do të vazhdojë deri në fund, duke shprehur njëkohësisht falënderimin për mbështetjen e gjerë qytetare në këtë kauzë. “Beteja jonë me përmasa qytetare mbarëshoqërore dhe kombëtare vazhdon dhe ne jemi në këmbë, të palodhur, të bashkuar, akoma më të shumtë dhe të vendosur deri në fitore. Ne demonstruam se jemi shumica morale e vendit, që nuk mund të pajtohemi me drogën, me shkatërrimin që ajo sjell dhe me bekimin që i bën Edi Rama dhe kupola e tij”, – shkruante Basha në rrjetin social “Facebook”, pas përfundimit të protestës.

 

Protesta

Duke filluar nga ora 9:00 e mëngjesit, nisi ardhja e mbështetësve të opozitës në protestën e organizuar në Tiranë në sheshin para Kryeministrisë. Dhjetëra qindra qytetarë u nisën nga Vlora, Fieri, Korça, Elbasani, Shkodra, Lezha e nga shumë qytete të tjera të vendit për t’iu bashkuar protestës kundër trafikut të drogës. Marshimi opozitar nisi nga sheshi “Skënderbej” rreth orës 11:00 me parullën “Një popull në këmbë kundër drogës, Rama në shtëpi”, ku ndërkohë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prisnin qindra qytetarë të tjerë. Pasi u vendosën të gjithë në sheshin përballë Kryeministrisë, së bashku me deputetët demokratë dhe aleatët e PD-së, protestuesve iu bashkuan edhe kryetari i demokratëve, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ndryshe nga herët e tjera, ata vendosën që të mos udhëhiqnin protestuesit në marshimin e tyre, duke synuar vendosjen në plan të parë të tubimit qytetarët, në kuadër edhe të aksionit mbarëpopullor për largimin e Kryeministrit Rama. Ndërkaq, protestuesit mbanin në duar parulla të tilla, si: “Shqipëria drejt Evropës, jo drejt Kolumbisë”; “Ikni në shtëpi, ju s’na jepni siguri”; “Integrim, jo drogë”. Ndërkohë, përballë protestuesve, në ndërtesën e Kryeministrisë qëndronte një kordon policie, i cili ndryshe nga protestat e tjetra, nuk ishte i formuar vetëm nga femra, por edhe me meshkuj. Në podiumin e ngritur para Kryeministrisë mbajtën fjalime të rinj, të cilët rikujtuan kapjen e avionit në Divjakë si edhe akuzuan Kryeministrin dhe qeverinë për përfshirje në këtë çështje. Pas fjalimit të tyre, në podium u ngjit kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili mbajti një fjalim për thuajse 20 minuta, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Rama si përgjegjësin kryesor për gjendjen alarmante të trafikut të drogës. Pas mbylljes së fjalimit të kryeopozitarit, protestuesit u shpërndarë qetësisht, ndërsa një pjesë e tyre shprehën solidaritet me grevistët e urisë, që qëndrojnë prej disa ditësh në çadrat e ngritura pranë Kryeministrisë.

 

Masat e sigurisë

Në protestën e djeshme të opozitës, vihej re se masat e sigurisë ishin shtuar. Në oborrin përballë Kryeministrisë, si edhe në të tri anët e ndërtesës, ishin vendosur policë të shumtë, ku ndryshe nga protestat e kaluar, nuk ishin të gjitha femra, por mes tyre gjendeshin edhe shumë meshkuj. Ndërkaq, forcat speciale ishin vendosur në tarracën e Kryeministrisë dhe të Kryesisë së Kuvendit.

 

Lezhë, protestuesit: U ndaluam nga policia dy herë

Protestues nga qyteti i Lezhës deklaruan dje se u ndaluan dy herë nga policia gjatë kohës që kërkonin të udhëtonin drejt Tiranës. Sipas protestuesve, kanë qenë tre autobusë që vinin nga Lezha që nuk janë lejuar të kalojnë, por pas disa negociatash policia ka lejuar protestuesit t’i drejtohen Tiranës, duke i marrë dokumentet shoferit. “Policia na ka ndaluar 2 herë dhe i ka marrë dokumentet shoferit dhe pastaj na kanë lejuar drejt Tiranës. Policia nuk ka ushtruar dhunë, vetëm ka bllokuar autobusin e linjës që ishte me protestues të opozitës”, – u shpreh një protestues.

 

Durrës/ Deputeti Cara: U tentua bllokimi i protestuesve. Policia: Në furgon ishte një person i dyshimtë

Deputeti i PD-së në qarkun e Durrësit, Igli Cara, ka akuzuar dje policinë se ka tentuar të bllokojë protestuesit, të cilët ishin nisur me furgon për të marrë pjesë në protestën e opozitës në sheshin përballë Kryeministrisë. “Policia bllokoi një furgon me qytetarë. U desh ndërhyrja jonë për të lejuar kalimin”, – tha ai. Në lidhje me deklaratën e Carës, ka reaguar policia e Durrësit, sipas së cilës, bllokimi i furgonit ka ardhur pasi brenda tij kishte një person të dyshimtë. “Personi u shoqërua në polici e më pas u la i lirë. Pas verifikimeve furgoni u lejua të kalonte”, – thuhej në reagimin e policisë.

 

Itinerari i protestës

Ora 09:00- Qindra qytetarë nisen nga Vlora, Fieri, Korça, Elbasani, Shkodra, Lezha e thuajse të gjitha qytetet e vendit për t’iu bashkuar protestës së opozitës.

Ora 10:00- Sheshi përballë Kryeministrisë nis të mbushet me qytetarët e parë që mbërrijnë nga rrethet.

Ora 11:00- Nis marshimi i protestuesve së bashku me deputetët demokratë nga sheshi “Skënderbej” drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe kreu i PDK, Nard Ndoka, i bashkohen marshimit.

Ora 11:10- Drejtuesit e opozitës i bashkohen protestës para Kryeministrisë.

Ora 11: 35- Protestuesit bashkohen të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ora 11:40- Kreu i PD-së, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri Berisha i bashkohen protestës së opozitës.

11: 40-11:50- Mbajnë fjalim në podiumin e ngritur para Kryeministrisë disa protestues, kryesisht të rinj, të cilët kërkojnë largimin e Kryeministrit Rama si përgjegjës i situatës së narkotrafikut.

Ora 11:50- Në podium ngjitet kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili mban fjalimin e tij para protestuesve.

Ora 12:10- Basha mbyll fjalimin, i cili shënon edhe përfundimin e protestës së opozitës.

Ora 12: 15- Protestues lënë njëri pas tjetrit bulevardin, ndërkohë një pjesë e tyre drejtohen drejt çadrave, ku prej 21 majit, 14 përfaqësues të Shoqatës së të Larguarve nga Puna janë në grevë urie. Protestuesit u solidarizuan me grevistët, duke brohoritur “Ne jemi me ju”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency