Januzaj tradhton edhe Kosovën

0
198

jonuzajBelgjika do të jetë kombëtarja e parë dhe e vetme për talentin me prejardhje kosovare, Adnan Januzaj. Adnan Januzaj është paraqitur para disa ditësh në një konferencë për shtyp në krah të trajnerit të kombëtares belge, Mark Vilmots. “Jam i lumtur që jam në një ekip të mirë me një trajner të madh. Unë do të vazhdoj të luaj për Belgjikën edhe nëse Kosova pranohet ndërkombëtarisht. Kam përzgjedhur Belgjikën, pasi unë kam lindur dhe kam studiuar këtu, e ardhmja ime është këtu. Është e vërtetë që jam vonuar në bërjen e përzgjedhjes, por duhej të fokusohesha tek Mançester Junajtid”, – ka thënë Januzaj. Para pak javësh, Januzaj, me prindër nga Istogu, por i lindur në Bruksel, zgjodhi Belgjikën përkundër interesimit të madh të Shqipërisë, Anglisë dhe Kosovës.

 

Roxhers, pushime me familjen në Spanjë

Edhe pse nuk mundi të sillte titullin kampion në “Anfield Road”, i cili mungonte prej 24 vjetësh, Brendan Roxhers nuk e pengon asgjë të shijojë diellin në një fshat të vogël të Spanjës. Trajneri i Liverpulit është fotografuar bashkë me të dashurën e tij, Sharlotë Hind, dhe vajzën e saj duke kaluar disa momente pushimi. Tekniku irlandezo-verior është prej disa kohësh në një lidhje me bionden 31-vjeçare, ndërsa është divorcuar nga ish-bashkëshortja Suzanë. Çifti është parë shumë i lumtur teksa dilte nga një supermarket.

 

Skandal/ Dy mbrojtësit e Uruguait festojnë me prostituta

Matias Malvino dhe Ramon Arias mund të kishin qenë pjesë e Uruguait në Botërorin brazilian, por fotot skandaloze të dy futbollistëve të klubit të Defensor Sporting kanë bërë që trajneri i përfaqësueses, Oskar Tabarez dhe Federata t’i përjashtojë këta nga grumbullimi. Pas një fitoreje të skuadrës së tyre në Kupën Libertadores, mbrojtësit Malvino dhe Arias kanë bërë një festë të çmendur së bashku, në shoqërinë e tri prostitutave, gjatë së cilës kanë konsumuar edhe drogë të tipit hashash dhe kokainë, me provat që shfaqen në fotot përkrah.

 

Shakira sfidon J.Lo, nxjerr këngë për Kupën e Botës

Shakira mbetet një talent i jashtëzakonshëm, ndërsa i ka shpallur një konkurrencë të hapur Pitbullit dhe J.Lo-së, duke publikuar këngën e Kupës së Botës. Këngëtarja ka lançuar këngën e saj “La La La” (Brazil 2014), për të bërë hitin e Kupës së Botës që do të mbahet në Brazil. Kujtojmë këtu se vetëm pak ditë më parë, doli dhe kënga zyrtare e këtij Botërori, bashkëpunimi mes Pitbullit dhe Xhenifer Lopezit me këngën “We are one”. Shakira duket se do t’ua marrë ekskluzivitetin, duke qenë se edhe para 4 vitesh, në Kupën e Botës 2010 që u zhvillua në Afrikë, Shakira hapi këtë ngjarje me këngën “Waka, Waka”. Video e cila zgjat në më pak se 4 minuta, ka jo vetëm ngjyra, por edhe futbollistë të famshëm. Në videon e saj është përfshirë edhe burri i këngëtares, futbollisti i Barcelonës, Pike, por edhe Mesi, Nejmar etj. Nuk kishte si të mungonte edhe djali i Shakirës, i cili quhet Milan.

 

Koelho: Ronaldo është idiot

Një ndër penat më të admiruara të letërsisë botërore, frymëzues i miliona njerëzve në mbarë globin me librat e tij, por nuk është aspak optimist mbi mënyrën se si po ecin gjërat me Kupën e Botës, që do të zhvillohet pas pak javësh në vendin e tij. Shkrimtari brazilian, Paulo Koelho, sulmoi ashpër “fenomenin” Ronaldo e bashkë me ish-sulmuesin e “Seleçaos” dhe organizatorët e Kupës së Botës duke sqaruar pozicionin e tij mbi çka po ndodh në vendin që këtë verë do të jetë në qendër të botës futbollistike. “Ronaldo është një idiot, pasi thotë se nuk është detyrë e Botërorit që të ndërtojë infrastrukturat. Duhet ta mbajë gojën mbyllur”, – tha Koelho. Ai më pas shpjegoi se është shumë i shqetësuar duke u shprehur: “Konteksti është shumë i tensionuar, është kthyer dhuna. Vendi po kërkon të tregojë një fytyrë që nuk i korrespondon realitetit dhe të vërtetës. Ka një ndasi të madhe mes popullit dhe qeverisë. Do t’i shikoj ndeshjet në TV, por nuk do të shkoj në stadium. Isha në delegacionin zyrtar me ish-presidentin Lula, Dungën dhe Romarion kur FIFA zgjodhi Brazilin, por kam mbetur shumë i zhgënjyer nga çfarë ka ndodhur që nga ajo kohë. Do të mund t’i kishim përdorur paratë për të ndërtuar diçka ndryshe në një vend që ka nevojë për gjithçka, spitale, shkolla dhe transport”, – është shprehur shkrimtari i famshëm brazilian Paulo Koelho.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency