Miratohen paketat shëndetësore që do të ofrohen falas, regjistrim të detyrueshëm personave të siguruar

0
115

shendetPaketat mbulojnë shërbimet edhe në spitalet private

 

Regjistrimi do të bëhet nga mjekët e familjes

Qeveria ka miratuar dje vendimin për paketat shëndetësore që do të ofrohen fala. Ky vendim i jep mundësi një sërë kategorive që të gjitha shërbimet ty kryejnë falas si në spitalet publike, por edhe ato private. “Miratuam një vendim që praktikisht fillon financimin e paketave të shërbimeve të kujdesit spitalor në Shqipëri. U miratuan 10 paketa, në katër grupe. Posta e shërbimeve do të financohet 100% nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Janë katër grupe, siç e thashë, në shërbimet e nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe implantit koklear. Ne bëhemi gati me miratimin e paketave dhe me ndryshimin e vendimit për financimin e spitaleve, të financojmë këto lloj shërbimesh edhe në institucionet jopublike. Jemi të vetëdijshëm që nevojat tona nuk plotësohen plotësisht në institucionet publike, prandaj për atë pjesë të nevojave që nuk plotësohen në institucionet publike për këto paketa do të plotësohen edhe me institucionet jopublike”, – tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pas mbledhjes së qeverisë.

 

Paketat

Paketa e shërbimit të dializës

Paketa e shërbimeve të kardiologjisë

Paketa e shërbimeve të kardiokirurgjisë

Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës

Paketa e shërbimit të implantit koklear

 

 

Mbulim dhe në spitalet private

“Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketat e mësipërme në institucione shëndetësore publike, në përputhje me kapacitetet e tyre për ofrimin e shërbimeve të paketave. Për rastet që janë përtej kapaciteteve mjekësore të institucioneve shëndetësore publike, Fondi lidh kontrata dhe financon shërbimet e paketave në institucione shëndetësore private. Kontraktimi me institucionet publike dhe private për financimin e shërbimeve shëndetësore të paketave të mësipërme bëhet në përputhje me legjislacionin e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”, – përcakton vendimi i qeverisë. Çmimi i paketave të shërbimeve shëndetësore financohet nga Fondi në masë të njëjtë, si në institucionet shëndetësore publike, ashtu dhe në ato private. Personat e siguruar që përfitojnë nga këto paketa janë të përjashtuar nga bashkëpagesa. Çmimet e paketave të shërbimeve shëndetësore rishikohen çdo vit nga një komision i rishikimit të çmimeve të paketave, i cili caktohet nga Këshilli Administrativ i Fondit, me pjesëmarrës nga shërbimet shëndetësore publike dhe private, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Fondit. Ndryshimi i çmimeve bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Regjistrimi

Po dje qeveria ka miratuar një tjetër vendim që detyron Fondin e Sigurimeve të bëjë regjistrimin e personave të siguruar. Të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor quhen personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, që paguajnë kontributin e detyrueshëm të sigurimit shëndetësor, personat ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga buxheti i shtetit ose burime të tjera, të përcaktuara me ligj, si dhe personat e siguruar në mënyrë vullnetare. “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor krijon regjistrin e të siguruarve, në të cilin regjistron të gjithë personat e siguruar në sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, sipas kategorive përkatëse, me qëllim që të evidentohen, në mënyrë të saktë, të gjithë personat e siguruar në mënyrë të detyrueshme dhe veçoritë e sigurimit të tyre (masa e kontributit, kohëzgjatja e sigurimit etj.). Regjistrimi i të siguruarve bëhet duke u mbështetur në të dhënat e ofruara nga institucionet përgjegjëse, bazuar në numrin e përgjithshëm, si dhe në identitetin e personave që bëjnë pjesë në grupet e veçanta. Qendrat Shëndetësore janë përgjegjëse për regjistrimin e të dhënave të popullsisë së regjistruar pranë mjekëve të familjes. Identifikimi i personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor bëhet me anë të kartës së shëndetit. Karta e Shëndetit është personale dhe e patjetërsueshme. Ajo përmban numrin e identitetit të personit, i cili është edhe numri i sigurimit shëndetësor të detyruar. Për të huajt, si numër i sigurimit shëndetësor të detyruar do të shërbejë numri i lejes së qëndrimit ose i lejes provizore të qëndrimit”, – përcakton vendimi i qeverisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency