Dëmshpërblimi i pronarëve/ Sa rrezikon shteti shqiptar me faturën e “kripur” të kompenismit

0
182

Ervin Kaduku

– Fatura, sipas pronarëve, është 30 miliardë euro, sa 3 vjet GDP e Shqipërisë. Problemi ka arritur aty ku s’mban më, por a është e aftë vetë Shqipëria ta zgjidhë?

 

zone-informale_0Fondi prej 1.6 miliardë lekësh, i programuar në buxhetin e shtetit për vitin 2014, është një vlerë e papërfillshme në krahasim me faturën e vërtetë të pretenduar nga ish-pronarët. Këta e kanë llogaritur vetë, prej vitesh, se, në rast se shteti shqiptar do të zbatonte rregullat e njohura botërisht për të drejtën themelore të njeriut, që është e drejta e pronës, familjet e shpronësuara nga regjimi komunist do të duhej të paguheshin me 30 miliardë euro. Kjo shifër është e barabartë je me tre buxhete, por me tre vite prodhim bruto i vendit. Pra, një shifër e parealizueshme, ngado që ta marrësh.

Shpresat e pronarëve i ftoh edhe porosia e fundit e FMN-së, ajo e shefit të Delegacionit të saj, që iku pak ditë më parë, që lidhet me rreziqet fiskale, që i kanosen buxhetit, nga kompensimet e mundshme të pronave, kryesisht nga zbatimi rigoroz i vendimeve të Gjykatës së Strasburgut.

Ndërkohë, qeveria shqiptare ka miratuar një VKM, duke pranuar atë që rrej një viti Gjykata e Strasburgut ka marrë si vendim pilot për të zgjidhur fatin e zbatimit të vendimeve të saj lidhur me pretendimet e pronës në Shqipëri, që gjendet të drejta dhe të bazuara. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave pranon hapat e mposhtëm:

1-Hartimi i një liste të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe administrative që njohin, kthejnë dhe kompensojnë të drejtën e pronës ish-pronarëve. Kjo listë duhet të përmbajë të dhëna në lidhje me statusin e pronës, vendndodhjen, sipërfaqen qe kthehet, kompensohen dhe format e kompensimit.

2-Miratimi i hartës së vlerës së pronës me vlera sa më të arsyeshme dhe reale

3-Përgatitja e faturës financiare të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave

4-Krijimi e një mekanizmi efikas për ekzekutimin e të gjitha vendimeve përfundimtare, administrative dhe gjyqësore që njohin, kompensojnë dhe u kthejnë pronën ish-pronarëve

5-Miratimi i një plan-veprimi për ekzekutimin e vendimeve që njohin, kthejnë dhe kompensojnë pronën, me masa strategjike, strukturore, buxhetore dhe ligjore konkrete, me procedura të drejta dhe të menduara hap pas hapi si dhe afate reale kohore.

 

Dokumenti i Strasburgut për përcaktimin e një vendimi-pilot ka marrë si shembull trajtimin e çështjes “Manushaqe Puto e të tjerë kundër Shqipërisë”. Me pak fjalë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut këtej e tutje deklaron se në të njëjtën mënyrë si trajtoi këtë çështje, do të trajtojë çdo dosje prone që vjen nga Shqipëria. Në këtë mënyrë, shumë shpejt, të gjitha dosjet e mbetura në vite do të trajtoheshin të gjitha menjëherë nga kjo Gjykatë dhe rezultati është ai që dihet: shumica absolute e tyre do të fitonte, duke qenë se janë të bazuara në ligje, kushtetuta dhe konventa ndërkombëtare, në dokumente arkivore e vendime gjyqesh të pazbatuara nga shteti shqiptar. Por kjo do të vinte qeverinë shqiptare përballë sfidës madhore, që do të përbënte pamundësia e zbatimit të të gjitha vendimeve, që kërkojnë një faturë, ndoshta jo në masën 30 miliardë euro, por diku tek 200-300 milionë euro me siguri! Ku do të gjenden këto para?

Nga buxheti aktual është e sigurt që nuk mund të garantohen, pa cenuar seriozisht aftësitë paguese dhe investuese, të përcaktuara tashmë me ligjin për buxhetin e shtetit 2014. Por, qeveria Rama nuk do të kishte këllqe të sfidonte Evropën me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Atëherë?

Shansi i vetëm është të punohet me dy variante. Së pari, varianti strategjik. Qeveria do të kërkojë tek Fondi Monetar, Banka Botërore apo vetë BE-jë një hua gjigante pikërisht për të zgjidhur problemin e pronës. FMN ka deklaruar që tani se nuk mendon të japë një gjë të tillë, BE ka problemet e veta me krizës globale dhe nuk ka ndërmend të paguajë shqiptarët për belatë e tyre të mbartura ndër vite. Ndoshta, vetëm Banka Botërore, e angazhuar në disa vende për legalizimet, etj, mund të përgjigjej, por me një shifër shumë herë më të ulët se ajo që do të kërkonte qeveria. Një hua e tillë do ta çonte… në skëterrë borxhin publik shqiptar, duke afruar një skenar grek, që mendohej se do të shmangej.

Së dyti, përpjekja për të gjetur sa më shumë prona për kthim fizik. Këto mund të jenë troje të reparteve ushtarake, që deri tani planifikoheshin të kalonin në privatizim, etj. Por këtu ka një problem. Sipas ligjit, ish-pronarit mund t’i ofrohet një tokë edhe në majë të malit, për të kompensuar pronën e tij, që ishte dikur në bregdet. Kjo do të krijonte një revoltë masive të pronarëve, pasi do të konsiderohej si tallje, por qeveria Rama do ta quante të mbyllur një pjesë të vogël të çështjes. Sidoqoftë, edhe me këtë masë, do të pakësohej sasia e kompensimit financiar, por gjithsesi fatura do të mbetej e rëndë.

Atëherë, rruga e tretë e mundshme. Kombinimi i dy të parave me pagesën me këste, siç po ndodh me të përndjekurit.
Sidoqoftë, vendimet e pritshme nga Gjykata e Strasburgut për kthimin dhe kompensimit e pronave, po të ekzekutoheshin, do të ishin “një minë me sahat” për buxhetin e shtetit, pasi janë të papërballueshme financiarisht.

Kërkesa e pak kohëve më parë e kryeministrit Edi Rama për shtyrje të afateve kohore të këtyre vendimeve në Strasburg lë të kuptohet se qeveria shqiptare mendon se është ende në hapat e parë të këtij procesi, fundi i të cilit është e vështirë të parashikohet. Ndërkohë, duhej të fillonte të mendonte se procesi duhet të nisë të mbyllet, që të mos rrezikohet shtyrja e aderimit në BE në kalendat greke. Strasburgu vetë ka deklaruar se kishte vendosur një herë moratorium të vendimeve për Shqipërinë deri në mars të këtij viti dhe shumë-shumë shtyrja e dytë do të ishte deri në korrik 2014. Pas kësaj, do të pasojë “orteku” i dhjetëra vendimeve, që do ta futë në një kaos të ri ekonominë shqiptare.

Le të presim për të parë se cilin nga këto variante dhe në ç’mënyrë do të preferojë të marrë përsipër Rama dhe ministrat e tij…

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency