Trafiku i drogës/Basha me të rinjtë e PD-së: S’kërkojmë zgjedhje të reja, të largohet përgjegjësi Rama

0
130

Gëzim Saliu

Kreu i PD-së: Rinia shqiptare do t’u japë përgjigje oligarkëve të drogës si për armët kimike

 “Problemi i Shqipërisë është droga që fluturon me avion dhe jo avioni me drogë”

basha me te rinjte Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se aksioni i opozitës kundër trafikut të drogës ka si synim kryesor largimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij si përgjegjëse kryesore për situatën aktuale ku ndodhet vendi. Në takimin e djeshëm me të rinjtë e Partisë Demokratike në selinë e forcës më të madhe opozitare, Basha bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë në protestën e sotme para Parlamentit për të kundërshtuar sipas tij oligarkinë e drogës. Në këtë kontekst, kryeopozitari tha se protesta do ti japë përgjigje përfundimtare narkotrafikut dhe do të çojë në shtëpi Kryeministrin Rama. “Zgjidhja është e qartë, populli sovran ose oligarki e drogës. Sot koha kërkon që mos si lemë më kohë të keqes dhe zgjidhja për momentin është largimi i personit përgjegjës për këtë situatë që është Edi Rama. Nuk po kërkojmë zgjedhje, po kërkojmë largimin e tij dhe të qeverisë së tij që ka përgjegjësi. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë. Nuk po kërkojmë një shumicë të re politike, por që kjo shumicë sot të parlament të reflektojë atë që ndjen shumica e djathtë apo e majtë, përgjegjësi Edi Rama të shkojë në shtëpi”, – u shpreh Basha.

 

Protesta

Sipas kreut të demokratëve, rinia shqiptare nuk është vetëm energjia dhe freskia, por edhe vetëdija dhe pjekuria e këtij vendi. Duke kujtuar rastin e armëve kimike, Basha tha se rinia shqiptare kundërshtoi hapur vendimin e Kryeministrit për dërgimin e tyre në Shqipëri, duke protestuar me forcë. “E demonstroi rinia shqiptare me rastin e qëndrimit të palëkundur, në protestat e paharrueshme të rinisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, kundër papërgjegjshmërisë flagrante të Edi Ramës me rastin e armëve kimike të Sirisë. E demonstroi rinia shqiptare këtë vetëdije, këtë pjekuri edhe me fuqinë që i dha manifestimit madhështor të 20 shkurtit në protestë, kundër listës së gjatë të premtim-mashtrimeve të dyshes Rama-Meta. E keni vërtetuar dhe po e vërtetoni këtë pjekuri dhe këtë vetëdije në mënyrën se si rinia po vërshon drejt Partisë Demokratike duke u bërë pjesë e aksionit opozitar”, – theksoi ai. Më tej, Basha bëri të ditur se në 9 muaj të qeverisjes së Kryeministrit Rama, droga në Shqipëri ka arritur kulmin e saj, duke pushtuar ajrin dhe pasuritë e publikut shqiptar. Sipas kreut të PD-së, problemi i Shqipërisë është droga që fluturon me avion dhe jo avioni me drogë. “Shqiptarët tregojnë sot me gisht Edi Ramën si përgjegjësin numër një për situatën në vend në lidhje me trafikun e drogës, për kërcënimin që kjo paraqet për demokracinë dhe liritë në vend. Ai ishte dhe është personi përgjegjës që u tall dhe përqeshi me denoncimet e ardhura, për informacionet e depozituara nga punonjës të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm të shtetit dhe strukturave përgjegjëse për sigurinë dhe për luftën kundër krimit”, – pohoi Basha. Duke kërkuar nga të rinjtë dhe të gjithë qytetarët shqiptarë pjesëmarrjen në protestën e sotme, kreu i demokratëve tha se është e domosdoshme përgjigja vendimtare ndaj narkotrafikut dhe vënia para përgjegjësisë e Kryeministrit. “Kurrë nuk kanë qenë më larg populli dhe Kryeministri i tij në shqetësimet që kanë secili. Ky është shqetësimi mbarëpopullor, kjo është indinjata, kjo është revolta që ka çuar në këmbë shqiptarët, sepse zgjidhja dhe zgjedhja është fare e qartë, popull sovran ose oligarki e drogës”, – deklaroi kryetari i opozitës Lulzim Basha.

 

 Kreu i grupit të PD-së/ Paloka: Garantoj se Rama ikën para mandatit, do të hyjë në histori për këtë

Kreu i grupit parlamentar demokrat deklaroi dje se Kryeministri Rama do të largohet nga detyra e tij para mbarimit të mandatit 4-vjeçar. Në kuadër të aksionit opozitar për trafikun e drogës, ku kërkesa kryesore e demokratëve mbetet largimi i kreut të qeverisë nga posti që mban, Paloka theksoi se Rama është përgjegjësi kryesor për situatën e trafikut të drogës në vend. “Ne nuk kemi kërkuar që me largimin e Ramës nga qeveria duhet të vijë PD në pushtet edhe për arsyen se ne jemi ende në fazën e analizës së humbjes. As vetë nuk e mendojmë të kthehemi në pushtet brenda kaq pak muajsh. Kërkesa jonë për dorëheqjen e Ramës ka arsye shumë të argumentuara. Brenda 7-8 muajve qeveria e tij ka futur në repertorin e saj aq shumë skandale e gafa me pasoja të rënda për qytetarët e saj. E garantoj atë se do të hyjë në histori, meqenëse ka qejf të hyjë në histori, se ai zotëri do të ikë nga detyra e tij. Ai me votë nuk ikën nga ai parlament, ne do kemi një aksion për largimin e Ramës që nuk fillon e mbaron nesër. Ju garantoj se në fund të këtij aksioni, Rama do të iki në shtëpi. Të jeni të bindur se ai do të iki para përfundimit të mandatit”, – theksoi deputeti demokrat, duke pohuar se forma e largimit të Kryeministrit do të jetë demokratike pasi sipas Palokës një qoftë se populli nuk Kryeministrin, ai nuk mund të rri në detyrë. Lidhur me kërkesën e opozitës për të zhvilluar sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me trafikun e drogës dhe ngjarjen e Divjakës, kryetari i grupit të ligjvënësve demokratë theksoi se deri më tani Parlamenti nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

 

Ngjarja e Divjakës/ Berisha: Drejtoresha e Albcontrol dogji me urdhër dosjen e avionit

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi drejtoreshën e Albcontrol, Belinda Balluku, se ka dhënë urdhër për djegien e dosjes së avionit që u bllokua në rërën e Divjakës, në përpjekje për të trafikuar lëndë narkotike. Berisha shkruante dje nw rrjetin social “Facebook” se në zyrën juridike të Albcontrol-it ra një zjarr vetëm 15 minuta pasi avionit iu thye rrota në plazhin e Divjakës. “Burime direkt nga Albcontroli njoftojnë se urdhrin për djegien e zyrës juridike të Albcontrolit, dhe së bashku me të, të dosjes të narko-avionit që u nis nga Rinasi, e ka dhënë drejtoresha e përgjithshme e Albcontrol-it, Belinda Balluku me porosi direkte të Ediskobar Ramës (kështu e kanë pagëzuar tani të rinjtë në rrjetet sociale). Ky urdhër është dhënë 15 min pasi narko-avionit iu thye rrota në plazhin e Divjakës dhe narko-Mitsubishit iu thye disku”, theksoi ish-kreu i qeverisë. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se,: “pas një ngurrimi për të djegur zyrën, urdhrin e Belindës e ka ekzekutuat vetë drejtoresha juridike e Albcontrolit Ana Shkëmbi e emëruar aty direkt nga Edivin Kristaq Rama. Pas djegies së dosjeve janë thirrur njësi antizjarri për shuarjen e tij dhe është bërë përpjekje të mbahet i fshehtë ky akt kriminal”. Më tej, ish-kreu i qeverisë sqaroi se në funksion të narkoftrafikut, me porosi të Kryeministrit, është vendosur që t’i merret koncesionarit të aeroportit salloni i VIP-ave dhe të vihet direkt në varësi të drejtores së Albcotrolit. “Droga me paratë e saj ti verbon sytë e mendjes. Shqipëria nuk meriton kurrë të kthehet në Kolumbinë e Evropës. Protesta është detyrim për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake që e duan këtë vend. Të gjithë në protestë!”, – pohoi Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency