Eksperti i KE-së: Reforma territoriale ndikon tek zgjedhjet  

0
152

meta12Drejtori i Qendrës së Ekspertizës për Reformën në Qeverisjen Vendore i Këshillit të Evropës, Daniel Popesku, deklaron se reforma administrativo-territoriale do të ketë ndikime elektorale. Teksa reforma territoriale është në fazën e përmbylljes së varianteve finale nga qeveria, të cilat pritet të shqyrtohen ditën e premte nga qeveria, eksperti i BE-së thotë se kjo reformë do të ketë ndikime në zgjedhjet e ardhshme. Pyetjes se a do të ketë ndikim elektoral dhe të cilës forme reforma administrativo-territoriale, Daniel Popsesku thotë: “Gjithmonë ka ndikim. Ajo që duhet shmangur është fenomeni i “Gerrymendering”, pra dizenjimi i hartës, që avantazhon njërën palë në rezultatin elektoral. Ka edhe ndikime të tjera, që jo domosdoshmërisht duhen shmangur, por adresuar. Gjithsesi, reforma nuk do sjellë avantazhe brenda natës. Pra, nuk duhet të prisni mrekulli nga Reforma Administrative-Territoriale. Rezultatet do të vijnë ngadalë, të shtrira në kohë dhe ne do të shohim rezultatet ndoshta në 5-10 vjet. Nuk do jenë rezultate dramatike, por rezultate progresi gradual”, – përfundoi Popesku në një intervistë për “TCH”. Qëndrimi i ekspertit të KE-së vjen pak ditë kur përfaqësues të mazhorancës thonë se ndarja e re territoriale nuk do të ketë ndikime elektorale.

Me një eksperiencë me mbi 20 vjet në të gjitha vendet evropiane që e kanë kryer më herët këtë proces, nga të cilat 17 vjet si funksionar i KiE, Popesku rendit të parat përfitimet e pritshme që janë ato ekonomike.

“Reforma vjen me një sërë avantazhesh, i pari dhe më i rëndësishmi i të cilëve lidhet me ekonominë e shkallës, që do të thotë bashkime më të mëdha dhe shërbime me kosto më të ulët për njësi si dhe cilësia e shërbimeve të ofruara të rritet për shkak se njësitë e mëdha mund të kenë akses dhe një staf më të kualifikuar”, – tha Popesku.

Cili është modeli që Shqipëria duhet të ndjekë. Drejtori i Qendrës së Ekspertizës për Reformën në qeverisjen vendore i Këshillit të Evropës thotë se i takon Shqipërisë ta vendosë këtë, pasi vende të ndryshme kanë ndjekur modele të ndryshme.

Disa vende e kanë kryer reformën shumë shpejt dhe me një fazë brenda 1-2 vjetëve, përfshirë këtu hartën, ndryshimet ligjore dhe vendosjen e strukturave të reja në veprim. Vende si Letonia, Lituania dhe Greqia kanë vepruar në këtë mënyrë.

Vende të tjera kanë përshtatur një proces me dy faza, ku faza e parë përfshin incentivën për bashkim vullnetar, ndërsa faza e dytë vijon në formën e ndryshimeve legjislative. Kjo ka ndodhur në Finlandë dhe Danimarkë, por është një proces që merr më shumë kohë.

 A është e plotë reforma territoriale, nëse ajo prek vetëm nivelin e parë dhe jo qarqet apo rajonet?

“Në kushte ideale kërkohen tre elementë për kryerjen e një reforme kaq të madhe. Duhet të ketë: 1) Reformë territoriale në nivelin e parë, 2) Vendimmarrje të qartë në lidhje me qarqet, dhe 3) Më shumë decentralizim, që lidhet me kompetencat e njësive të reja më të mëdha. Këto mund të bëhen njëra pas tjetrës. Reforma e qeverisjes vendore është një proces, që nuk mbaron kurrë. Franca, 32 vjet pas kryerjes së reformës së decentralizimit, është duke diskutuar tani për reformën e rajoneve. Këto janë gjëra që gjithmonë kanë nevojë për t’u riparë, numri i njësive, kompetencat, përmasat e tyre etj”, shprehet më tej Popesku.

 Në kushtet kur opozita po refuzon të marrë pjesë në proces, a mund të bëhet reforma territoriale vetëm nga njëra palë politike?

“Është një vendim që i takon shoqërisë shqiptare. Teknikisht mund të them po! Kjo mund të bëhet edhe vetëm nga një palë politike, nëse është mbështetja qytetare për këtë. Por, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ka rekomanduar, që ky proces duhet të jetë sa më përfshirës të jetë e mundur. Në këtë kuptim, duhet të përfshihet opozita, pushteti lokal, organizatat e tyre përfaqësuese dhe qytetarët gjithashtu. Ne inkurajojmë fort të gjithë aktorët të jenë të përfshirë, ta monitorojnë dhe të kontribuojnë në këtë proces, për të shmangur probleme që mund të vijnë nga mungesa e diskutimeve të mjaftueshme, apo e monitorimit”, – theksoi Popesku.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency