Zbulohet dëshmitari okular/ “Rrugën për në plazh ma kërkuan me hartë në dorë”

0
221

Anxhela Tato

 Dy orë para rrëzimit të avionit, një makinë “Mercedes-Benz” në vendngjarje, dyshime për “marrëveshje” trafiku me pilotin. Policia siguron dëshminë e punonjësit të karburantit, aludime se Riformatto kishte disa “burime” për transportim droge

avioni i ngecur ne plazh divjake droga Sajmir Bajrami nuk ka qenë i vetmi person, me të cilin piloti italian kishte një “marrëveshje” për trafik lëndësh narkotike. Një automjet me tre persona ka qëndruar në pritje të uljes së avionit dhe makina e dyshimtë është pikasur nga vetë krutani, i cili e ka dhënë këtë detaj në rrëfimin para Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Versioni i Bajramit pohohet edhe nga vetë policia, e cila ka arritur të gjejë dëshmitarin që ka udhëhequr në drejtim të plazhit makinën “Mercedes-Benz”. Blutë kanë arritur të gjejnë një punonjës karburanti, i cili ka treguar se vetëm dy orë para ngjarjes ka ndaluar një makinë, nga e cila ka zbritur një djalë. Ai e ka pyetur dëshmitarin se cilën rrugë duhet të ndiqte për të vajtur në plazhin e Divjakës. Pas sqarimit të itinerarit të udhëtimit në hartë, dëshmitari e ka pyetur djalin për arsyen e vajtjes në plazh. Ai i është përgjigjur me fjalët: “Për qejf, për të parë diçka”. Ky rrëfim përputhet me dëshminë e Sajmir Bajramit, i cili ka dyshuar se piloti italian Riformatto ka pasur edhe lidhje të tjera në Shqipëri për trafikun e drogës me avion në drejtim të Italisë. Dëshmitari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka rrëfyer me hollësi për policinë bisedën që ka bërë me dy djemtë. Makina me të cilën udhëtonin personat e tjerë të dyshuar nga policia, duket se e ka përballuar terrenin e vështirë dhe kanë mundur të shpëtojnë nga arrestimi. Për këtë arsye, ata kanë mundur të largohen dhe janë ende të paidentifikuar, pasi piloti italian nuk jep asnjë detaj për veprimtarinë e tij.

 

Rrëfimi i dëshmitarit

“Dy orë para se të binte avioni ishim në vendin e punës, vjen makina dhe si përherë çohem, me idenë që do të merrte karburant. Jo, ia bëri me shenjë ai dhe doli një person nga makina, i cili më tregoi hartën duke më pyetur se ku i binte rruga që duhet të ndiqte për të vajtur deri në plazh. Ai kishte hartën dhe aty përfshihej edhe harku i Karavastasë. I thashë që duhet t’i binte nga krahu i djathtë te hyrja për nga pishat. Më pas unë i pyes se përse do shkonin dhe ai më tha, thjesht për qejf, për të parë diçka. Ishin tre persona në një makinë “Benz”, tip i ri dhe ishte afër ngjyrës gri. Më pyeti policia që nëse vihem përballë këtyre personave mund t’i dalloj, dhe i thashë që po, njëri ishte me hartë dhe tjetri ishte pasagjer”.

 

Hetimet

Nga ana e organit të akuzës është marrë vendimi i verifikimit të të ardhurave të dy të arrestuarve, të cilat mund të zbulojnë emra personash të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, do të bllokohen llogaritë bankare të “korrierëve”, për të zbuluar prejardhjen e transaksioneve dhe të shumave financiare. Ka dyshime se rrjeti i drogës funksiononte prej disa kohësh dhe organizatorët janë ende. Ndërkohë që prova më e fortë në duart e prokurorisë është dëshmia e të arrestuarit Bajrami, i cili ka rrëfyer me detaje mënyrën e organizimit të trafikut, por nuk ka dhënë emra konkretë. Nga një analizë e bërë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe nga vetë thëniet e dy të arrestuarve, rezulton se dy shtetasit e arrestuar janë korrierë droge dhe jo organizatorë të rëndësishëm të këtij trafiku droge. “Kemi të bëjmë me dy persona që janë në falimentim, Bajrami i papunë në Itali dhe Riformatto me dy kompani në proces falimenti. Të dy janë njerëz që kanë nevojë për shuma financiare dhe ka shumë dyshime se këta janë vënë në shërbim, të personave të tjerë që drejtojnë linjën e trafikut të drogës. Jemi në kushtet kur të dy kanë nevojë për para dhe nisur nga kjo situatë ata kanë pranuar të bëhen pjesë, duke u vënë në shërbim të grupit kriminal. Ne kemi dyshime të forta, se bërthama e këtij grupi është në zonën veriore të vendit dhe se Bajrami nuk është drejtues. Këto dyshime na vijnë, pasi lënda narkotike është blerë në zonën e Krujës me një vlerë mbi 50 mijë euro, ndërkohë që dhe rastet e përfoljes së avionëve me drogë, si në aeroportin ushtarak të Gjadrit dhe rasti i kapjes së avionit në plazhin e Shëngjinin, përforcojnë dyshimet se bërthama e grupit është në zonën e Veriut. Ndërkohë që vetë 35-vjeçari Bajrami, nuk mund të financonte shumën prej 27 mijë euro dhe më tepër se kaq, vetëm për t’ia dhënë shtetasit italian.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency