Gëzim Saliu
“Rama, nuk i fshihesh dot përgjegjësisë për narkotrafikun. Çorbën që gatove do ta hash vetë”
Kryeministri i vendit duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë, duke dhënë dorëheqjen pas ngjarjes së ndodhur në Divjakë dhe jo të fyejë inteligjencën e shqiptarëve, pasi në këtë formë ai do të përballet me ta. Kjo ishte përgjigjja e kreut të opozitës Lulzim Basha ndaj deklaratës së parë reaguese të kreut të qeverisë për trafikun e drogës në vend, duke nënvizuar se në vend të dorëheqjes, reflektimit apo ndjesës, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dëgjuan sipas tij shfrimin e urrejtjes patologjike të Ramës kundër opozitës. “Zoti Rama nuk fyen vetëm opozitën, por i fyen gjithë shqiptarët duke kujtuar se mund t’u thotë shqiptarëve fluturon gomari duke pretenduar se ata do ti përgjigjen fluturon. Dorëhiqu dhe hap rrugën për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe integrimin e vendit në Evropë. Përndryshe do të përballesh me të gjithë qytetarët e këtij vendi, me ata të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga mashtrimet dhe dështimet e tua, dhe me gjithë të tjerët që nuk të kanë besuar që nga fillimi por që kanë neveritur deri më sot rrenat dhe zullumet e tua”, – deklaroi Basha.
Reagimi
Sipas kreut të demokratëve, dalja publike e Kryeministrit lidhur me trafikun e drogës ishte e turpshme, pasi theksoi Basha: “Përpjekja mjerane për t’i hedhur shqiptarëve trutë e gomarit të ka mbetur në rërë, bash si narko-avioni që për pak sa nuk the që ta ka çuar opozita. Me paranojë shembullore e tregoi historinë e rrëzimit të avionit të drogës si një inskenim të forcave të errëta kundër tij. Piloti italian vendosi të rrezikonte jetën dhe të bënte burg për t’i bërë keq Edi Ramës dhe kupolës së tij! Një nga narkotrafikantët vendosi të përfundonte në burg për t’i bërë keq Edi Ramës dhe kupolës së tij! Këtë nuk e tha një i marrë nga ballkoni i ndonjë spitali. E tha ai që vazhdon të jetë akoma kryeministër i Shqipërisë”, – pohoi kryeopozitari. Në reagimin e tij, Basha i kujtoi kreut të qeverisë se ka mbaruar fushata elektorale dhe se PD do të vazhdojë të bëjë gjithçka qe Shqipëria të marrë statusin. “Ne kemi votuar dhe do të votojmë çdo ligj që ka lidhje me integrimin, por Kryeministri nuk na kërkon të votojmë ligje apo reforma. Na kërkon të mbyllim gojën ndërkohë që vendi po kthehet në një aerodrom droge. Edhe sot kishte mundësinë të ngjitej në nivelin e detyrës së lartë që mban dhe të bënte gjënë e duhur për Shqipërinë dhe shqiptarët. E pati të pamundur. Se pse, këtë ai e di më mirë se kushdo tjetër. Por shqiptarët nuk ia kanë për borxh të shlyejnë borxhet e tij të vjetra dhe të reja, apo të dëgjojnë monologët e anktheve dhe pishmaneve të tij personale”, – nënvizoi kreu i PD-së. Për Bashën më rëndësi parësore është që kryeministri të mbajë përgjegjësitë që i takojnë për çështjen e trafikut të drogës përmes dorëheqjes nga detyra që mban. “Kryeministër nuk u bëre dot as për një ditë të plotë. Bëhu burrë dhe mbaj përgjegjësi. Narkotrafikun me lejen dhe mbrojtjen tënde nuk e gëlltit askush. Këtë çorbë që vetë ke gatuar do ta hash vetë”, – deklaroi kreu i PD-së.
Protesta nesër para Parlamentit/ Kreu i PD-së, me krerët vendorë dhe koordinatorët: Aksion popullor për largimin e Ramës
Direktivat e Bashës për protestën, kreu i PD-së: Largimi i Ramës, kërkesa ultimative e opozitës
“Aksioni opozitar është një aksion patriotik, Shqipëria drejt Evropës, jo drejt Kolumbisë”
Në një takim me krerët vendorë demokratë dhe koordinatorët e PD-së në rrethet e vendit, kreu i opozitës Lulzim Basha paraqiti dje direktivat për protestën që do të mbahet ditën e nesërme para godinës së Parlamentit në orën 10:00. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura në selinë e PD-së, mësohet se kreu i demokratëve ka kërkuar angazhim maksimal nga të zgjedhurit vendorë, jo vetëm sa i takon pjesëmarrjes së gjerë në protestë, por edhe në kuadër të ndërgjegjësimit të qytetarëve në zonat që ato administrojnë për situatën e rëndë që ndodhet vendi lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike, sidomos pas ngjarjes së Divjakës. Në këtë takim Basha ka bërë të ditur direktivat e tij ndaj krerëve vendorë për protestën, duke shpalosur një plan të qartë për organizimin dhe mbarëvajtjen e saj.
Basha
Pas takimit me të zgjedhurit vendorë demokratë, kreu i PD-së deklaroi se në fokus të diskutimit kishte qenë konsolidimi i aksionit opozitar në qendër të cilit është dorëheqja e kryeministrit Rama si përgjegjësi kryesor për fshehjen e trafikut të drogës. “Qëllimi i takimit dhe takimeve të tjera me opozitën, me Partinë Demokratike, me përfaqësues të shoqërisë civile, me rininë, është konsolidimi i linjës opozitare dhe aksionit opozitar që sot është një aksion patriotik dhe gjithëpopullor; Shqipëria drejt Evropës, jo drejt Kolumbisë. Largimi i Edi Ramës si kryeministër i vendit, si njeriu përgjegjës për fshehjen dhe mbulimin e fakteve tronditëse për trafikun e drogës me suport dhe mbështetje qeveritare, është dhe mbetet kërkesë ultimative e opozitës, dhe besoj e jam i bindur është edhe i opinionit publik shqiptar që nuk mund ta pranojë kthimin e Shqipërisë në një kartel të drogës”, – deklaroi Basha. Më parë, kryeopozitari kishte pohuar se pas ngjarjes së Divjakës ku u bllokua një avion dhe 460 kg drogë, opozita nuk do të ndalë marshin e protestave deri në largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Fill pas ngjarjes së ndodhur më 10 maj në Divjakë, PD dhe opozita ka vendosur ta kthejë këtë ccështje në temë kryesore të debatit politik. Demokratët kanë munguar në punimet e zakonshme të komisioneve parlamentare, ku kanë marrë vetëm pjesë në komisionin për hetimin e trafikut të drogës, duke kërkuar ndryshimin e objektit të hetyimit si edhe përfshirjen e rastit të Divjakës. Ky vendim politik vjen pasi PD arsyeton se nuk do të bëhet pjesë e diskutimeve të projektligjeve dhe marrëveshjeve përderisa të sqarohet çështja e trafikut të drogës. Por nga ana tjetër ky qëndrim politik i demokratëve nuk nënkupton bojkotin e Parlamentit, por përkundrazi opozita kërkon nga mazhoranca që të heqë dorë nga çdo diskutim tjetër dhe të vendoset në qendër të debatit çështja e Divjakës.
Topalli: Rama as nuk u përgjigj e as mbajti përgjegjësi. Qau, kërcënoi dhe bëri teatër
Ish-kryeparlamentarja, deputetja demokrate Jozefina Topalli e cilësoi reagimin e kryeministrit Rama lidhur me ngjarjen e Divjakës si mungesë përgjegjësie dhe tallje ndaj shqiptarëve. Sipas saj, kreu i qeverisë nuk tha asnjë fjalë për shqiptarët që panë me zë e figurë avionin në 10 maj. “I delegjitimuar! Pasi u fsheh për 4 ditë foli, por as nuk u përgjigj, as mbajti përgjegjësi! Kërcënoi shqiptarët edhe pse i merrej goja! Nuk është vetëm i papërgjegjshëm, nuk është vetëm peng i krimit, nuk është vetëm servil, hipokrit dhe kërcënues sipas nevojës! Tha se e donte karrigen. Nuk tha asgjë për mushkonjat e drogës që fluturojnë në ajër, notojnë në det, ecin në rrugë me ndihmën e qeverisë, nuk tha asgjë për atë që opozita në parlament paralajmëroi 2 muaj më parë dhe shqiptarët panë me zë dhe figurë 4 ditë më parë! Kujtoi me nostalgji 1 milion shuplakat e tradhtuara! Qau dhe kërcënoi! Recitoi!Bëri teatër! I konsideroi shqiptarët pleshta! I tha dhe një fjalë në turqisht. Ky duhet shporrur!”, – shkruante Topalli në rrjetin social “Facebook”.