Me dyer të mbyllura/ Skandali i drogës në Divjakë, Gjykata lë në burg Bajramin e Riformatton  

0
130

Sonila Mesareja

Seancat u zhvilluan veçmas, 38-vjeçari pranoi deklarimet e dhëna para hetuesve, avokati kërkon ekzaminimin psikik të tij. Italiani Riformatto mohon njohjen me Bajramin dhe përfshirjen në transportimin e drogës në plazhin e Divjakës

giorgio riformato xhorxho Në seanca të ndara dhe me dyer të mbyllura, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar dje masat e arrestit për Sajmir Bajramin dhe Giorgio Riformatto, të akuzuar për “Trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim. I pari është shoqëruar 38-vjeçari Bajrami, i cili para Gjykatës pranoi deklarimet e dhëna para hetuesve, duke pranuar se do të transportonte drogë drejt Italisë me avionin e drejtuar nga Riformatto. Ka ndërhyrë avokati i tij, Sokol Hazizi, i cili kërkoi nga Gjykata të bëhet ekspertiza psikike e klientit të tij, pasi ka rrëfyer me detaje gjithçka që në momentet e para, duke u vetinkriminuar dhe kjo nuk i duket diçka normale. Avokati kërkoi një masë më të butë, pasi klienti i tij ka pranuar gjithçka, duke ndihmuar policinë. Kërkesa e avokatit nuk u pranua, duke lënë në fuqi masën e kërkuar nga prokurorja Doloreza Musabelliu, “Arrest me burg” për Sajmir Bajramin. Sipas akuzës, 39-vjeçari Bajrami ka rrëfyer që në momentet e para për patrullën e policisë se ishte Sajmir Bajrami dhe se në makinën tip “Mistubishi” të ngarkuar në karrotrec kishte drogë. Më pas u ka dhënë atyre kartën e identitetit dhe u ka treguar se një tjetër sasi droge e kishte shpërndarë nëpër pyll, pasi iu prish makina. Madje, ka qenë po i akuzuari që ka treguar se avioni që ishte prishur në plazh kishte ardhur për të marrë drogën që ai posedonte.

 

Mohimi

Një tregoi gjithçka dhe tjetri mohon çdo deklarim të të arrestuarit të parë. Pas seancës ndaj “të penduarit” Bajrami u zhvillua masa për pilotin italian Giorgio Riformatto. Para Gjykatës ai ka vijuar të këmbëngulë se nuk ka lidhje me trafikun e drogës. Me ndihmën e përkthyeses dhe përfaqësuesit të Ambasadës Italiane që ndodhej në sallën e gjyqit, Riformato ka deklaruar se në Shqipëri ka ardhur për turizëm dhe nuk ka lidhje me Sajmir Bajramin. Ai pretendoi para gjyqtarit Idriz Mulkurti se për shkak të turbulencave është detyruar të ulet në plazhin e Divjakës. Edhe avokati Arben Peçi mbajti të njëjtin qëndrim, duke theksuar pafajësinë e klientit të tij. Por, prokurorja ka kërkuar caktimin e masës “Arrest me burg”, duke u bazuar jo vetëm në dëshminë e Bajramit, por edhe në provat e grumbulluara, si pamjet filmike të hotelit ku kanë qenë të dy, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe lëvizjet që kanë bërë së bashku. Riformatto ka fjetur për dy ditë në këtë hotel, të prenotuar nga i akuzuari Sajmir Bajrami. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, me kërkesë të palës akuzuese dhe përfaqësuesve të Ambasadës Italiane. Gjykata, pasi ka dëgjuar të dy palët, ka vendosur të lërë në burg 67-vjeçarin Riformatto deri në përfundim të hetimeve. Pasi doli nga seanca e masës së arrestit, avokati i pilotit italian, Arben Peçi u shpreh se Giorgio Riformato ka mohuar akuzat duke deklaruar se në Shqipëri kishte ardhur për biznes. “Klienti im mohoi akuzat. Arsyeja e ardhjes në Shqipëri ishte për biznes të një agjencie udhëtimi. Zbritja e avionit ishte për defekt teknik” mbylli reagimin për mediat avokati Peçi.

 

Vendimi/ Dënohen me 22 vjet ish-gardistët Xhaferri e Canga

 Më në fund, pas një procesi maratonë, përfundimesh dhe rikthimesh për gjykim, Gjykata Penale shpalli fajtorë ish-komandantin e Gardës për katër akuza të “Rebelimit, dezertimit të kuadrit komandues”, “Shpërdorimit të armatimit” dhe “Shpërdorim detyre në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”. Për këto akuza, i pandehuri Xhahit Xhaferri u dënua me 12 vite burg. Ndërkohë që ish-vartësi i tij Canga u dënua me 10 vjet burg për akuzën e rebelimit. Sipas akuzës, episodi për të cilin akuzohen dy ish-ushtarakët ka lidhje me 1997-ën, menjëherë pas masakrës së Cërrikut. Përgjatë datave 22 maj deri më 25 maj, me urdhër të ish-komandantit të Gardës, janë nisur drejt Spitalit Ushtarak dy makina të blinduara, njëri prej të cilëve drejtohej nga ish-shefi operativ Canga. Mjetet e blinduara u instaluan në spital ku edhe ishin efektivët e plagosur në masakrën e Cërrikut. Procesi ndaj gardistëve është gjyqi më i gjatë në proceset penale, pasi ai ka nisur më 1998. Dy të pandehurit u gjykuan nga Gjykata Ushtarake dhe u dënuan përkatësisht me 12 dhe 10 vjet heqje lirie, ndërkohë që pas odisesë mes shkallëve të gjyqësorit ai u rikthye për gjykim nga Gjykata e Lartë me argumentin se gjyqi ndaj të pandehurve është zhvilluar në mungesë dhe pa avokatë. Pas rikthimit, gjyqi zgjati në Shkallën e Parë gjashtë vjet pasi nuk gjendeshin adresat e 55 dëshmitarëve, disa prej të cilëve ndodheshin jashtë vendit, por kishte edhe mes tyre që kishin ndërruar jetë.

 

Kërcënimi/ Dajti, gjyqtarit: I ke hapur belanë më të madhe vetes, ma thonë emrin Tan Dajti

Për të dytën herë, Dritan Dajti kërkon gjyqtarin e çështjes, Idriz Mulkruti, pas rrëzimit të disa prej kërkesave të tij. Ai e akuzon kryesuesin e trupës gjyqësore se e ka kthyer çështjen personale me të, duke iu drejtuar se nuk është asgjë historia e avionit në Divjakë, sipas tij, krahasuar me kërcënimet e tij. Ky reagim, pasi vetëm disa minuta para se të fillonte gjyqi i Dajtit, gjyqtari Mulkurti kishte përfunduar caktimin e masave të arrestit për dy të akuzuarit e transportimit të drogës me avion nga plazhi i Divjakës. “Mbaje mend, i ke hapur belanë më të madhe vetes. Mushkonjat nuk janë asgjë. Nuk janë asgjë ato mushkonjat që po diskutojnë, po ta them para gazetarëve, mbaje mend ç’po të them. Ma thonë emrin Tan Dajti, e keni kthyer në çështje personale me mua”, – i është drejtuar Dritan Dajti gjyqtarit të çështjes Idriz Mulkurti. Pas këtij kërcënimi, Dritan Dajti është larguar në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit, ndërsa kreu i Gjykatës do t’i drejtohet me një kërkesë Policisë së Shtetit për marrje në mbrojtje të gjyqtarit Mulkurti. Kërcënimi i Dajtit erdhi pas refuzimit të kërkesave të bëra nga ai për rindërtimin e ngjarjes së vrasjes së 4 policëve, ekzaminimit të rrobave, si dhe zhvarrimin e efektivit të policisë Kastriot Feskaj pas akuzave se ky i fundit u vra pas shpine nga kolegu i tij. Gjykata shtyu seancën për më 27 maj, ku u vendos të thirret një tjetër avokat për të mbrojtur interesat e të pandehurit. Më herët, para se të fillonte seanca, dy efektivë policie me dy qenë kanë kontrolluar çdo makinë të parkuara para dhe pas oborrit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, çdo cep të gjykatës, një masë e marrë kjo prej gati një viti nga Policia e Shtetit. I pandehuri Dritaj Dajti akuzohet se me 7 gushtit 2009 ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency