Tekniku spanjoll ka shpallur listën e lojtarëve që do të shkojnë në Brazil për të mbrojtur titullin e kampionit të botës. Ndërsa pavarësisht nga zërat, tekniku belg ka mbajtur fjalën, duke përfshirë Adnan Januzajn në listën e lojtarëve të Belgjikës
Vazhdon publikimi i listave me lojtarët që do të shkojnë me kombëtaret e tyre në Brazil 2014. Kampionia në fuqi, Spanja, ka nxjerrë edhe 30 emrat e saj, që pak më vonë do të mbesin 23, të cilët do të shkojnë në Brazil. Tekniku i Spanjës Visente del Boske i dërgoi FIFA-s listën provizore me 30 emra. Trajneri ka grumbulluar pothuajse të gjithë futbollistët që u shpallën kampionë bote në vitin 2010 me përjashtim të Alvaro Arbeloas, i cili edhe pse u rikthye në fushë pas një mungese dymujore në sfidën e fundjavës që Reali luajti në transfertë përballë Selta Vigos, nuk do të jetë pjesë e ekipit. Jashtë ka mbetur edhe portieri i Barcelonës, Viktor Valdes. Gardiani i katalanasve nuk e ka marrë ende veten nga dëmtimi i pësuar, ndërsa nuk janë përfshirë as futbollistë që kanë zhvilluar një sezon të mirë me klubet e tyre si Isko apo Kajehon. Të rejat në listën paraprake të Del Boskes janë portieri i Junajtidit, De Gea, mbrojtësi i Realit Dani Karvahal ai i Sevijas Alberto Moreno, si dhe mesfushori i Atletik Bilbao Ander Iturraspe. Listën përfundimtare me 23 emra trajneri i “La Rohas” do ta publikojë pas përfundimit të finales së Ligës së Kampioneve mes Realit dhe Atletikos. Sipas të gjitha gjasave, në Brazil porta e kampionëve të botës në fuqi do të mbrohet nga Iker Kasijas, që është kapiteni i ekipit, ndërsa zëvendës të tij do të jenë Pepe Reinadhe gardiani i Mançesterit. Për sa i përket mbrojtjes, në listën paraprake të Del Boskes spikasin emra të rëndësishëm si Serxho Ramos e Xherard Pike që me siguri do të jenë edhe dy titullarët e 63-vjeçarit në qendër të repartit mbrojtës. Nuk mungojnë as Zhordi Alba e Raul Albiol, ndërsa janë përfshirë edhe Huanfran i Atletikos dhe Cezar Azpilikueta i Çelsit. Ish-trajneri i Realit të Madridit në listën e mbrojtësve ka përfshirë edhe lojtarin e Bajernit Havi Martinez. Mesfusha që është edhe çelësi i suksesit i kësaj përfaqësueseje, do të udhëhiqet nga katërshja e Barcelonës Ksavi Hernandez, Andres Iniesta, Serxhi Buskets e Çesk Fabregas ndërsa janë përfshirë edhe Ksavi Alonso, Koke e Tiago Alkantara. Del Boske ka grumbulluar gjithashtu shumë lojtarë në krahët e sulmit, siç janë David Silva, Santi Kacorla, Hesus Navas, Pedro Rodriguez e Huan Mata. Për sa i përket bomberave, përveç Diego Kostës, janë përfshirë edhe emra të tillë si David Vija, Fernando Torres, Alvaro Negredo dhe Fernando Lorente. Gjithsesi, 7 prej këtyre futbollistëve do të përjashtohen nga lista përfundimtare, që numri 1 i stolit të kampionëve të botës pritet të publikojë në datën 25 maj. Spanja do ta nisë mbrojtjen e titullit pikërisht ndaj Holandës, që ishte edhe kundërshtari i saj në finalen e Botërorit të Afrikës së Jugut. Sfida mes këtyre dy përfaqësueseve që do t’i japë start grupit B do të zhvillohet në datën 13 qershor në stadiumin “Arena Fonte Nova” të qytetit të Salvadorit.
Majami dhe Xhejms shkatërrojnë Bruklinin
Majami dhe “Mbreti” Lebron Xhejms me 49 pikë të shënuara udhëhoqi Majamin drejt fitores 102-96 në ndeshjen e katërt me Netsat. Një ndeshje që e çon në 3-1 serinë duke i dhënë kampionëve shansin që ta mbyllin gjysmëfinalen e Konferencës së Lindjes që të mërkurën në “South Beach”. Për Majamin veç 49 pikëve të Xhejmsit ishin vendimtare edhe tre pikët e shënuara nga Kris Bosh kur mbeteshin 57 sekonda nga fundi dhe që i dhanë Majamit avantazhin 97-96 që iu dha goditjen përfundimtare Netsave. Bruklini luajti rrezikoi ndjeshëm Uejd me shokë që janë të pandalshëm në çdo ndeshje. Nets me realizimin e vetëm 5 nga 22 tentativave për tre, kundrejt 15 nga 25 që kishin realizuar në ndeshjen e tretë të cilën e fituan, u penguan në momentin më të bukur, duke shënuar vetëm një kosh në 4’25’’ e fundit. Majami ndihet e sigurt pasi Bruklin duket se e ka mision të pamundur të rikthejë gjithçka. Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Portland ja doli që të fitonte 103-92 ndaj San Antonios duke mbajtur gjallë shpresat në gjysmëfinalen e Perëndimit që me rezultatin e serisë 3-1 në favor të Spërsave tani shkon në ndeshjen e 5-të.
Vilmots përfshin Januzajn në listë
Belgjika do të ketë në botëror edhe Adnan Januzajn. Kjo pasi Vilmots pavarësisht të gjitha kundërshtimeve nga lojtarët ka vendosur ta bëjë lojtarin pjesë të skuadrës. Ishte vetë trajneri i Belgjikës që në rrjetin e tij social Twitter para disa javësh komunikoi lajmin që theu zemrat e shumë tifozëve kur shkroi se 19-vjeçari nga Istogu do të luajë për belgët. Seleksionimi i Januzajt do të nxisë shumë debate brenda ekipit, por duket se tekniku ka qenë i bindur se një talent i madh si Januzaj nuk mund të mbetej jashtë listës me 23 lojtare. Për t’i bërë vend 19-vjeçarit Vilmots la jashtë Torgan Hazardin, vëllain e futbollistit të Çelsit, Eden Hazard. Ish-trajneri i Shalkes nuk ka grumbulluar gjithashtu mesfushorin e Romës, Radja Naingolan, si dhe sulmuesin e Aston Vilës, Kristian Benteke, edhe pse ky i fundit është i dëmtuar dhe nuk do të mund të rikuperohej dot në kohë.
Roxhers, trajneri më i mirë i Premier Ligës
Brendan Roxhers është shpallur menaxheri më i mirë i vitit nga Shoqata e Menaxherëve të Premier Ligës. Tekniku nga Irlanda Veriore për herë të parë e merr një çmim të tillë dhe kjo pasi e dërgoi Liverpulin në pozitën e dytë këtë sezon në Premier Ligë. Për këtë çmim kanë votuar të gjithë menaxherët e kampionateve të futbollit profesional në futbollin anglez. Brendan është koplimentuar nga kryetari i shoqatës së menaxherëve duke e përgëzuar për punën e bërë dhe duke thënë se nuk ka njeri që e meriton më shumë një çmim të tillë sesa Roxhers.