Do ta mbaj dashurinë tënde siç mbahet….

0
134

Rod McKuen

logosI përkthyer nga Meri Lalaj, një cikël me poezi nga libri “Qytetet e braktisura” të Rod McKuen, i cili ndan kohën e vet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ku jep shfaqje në salla të mëdha koncertesh, klube nate dhe vijon të shkruajë këngë e poezi. Ka shkruar dy skenarë filmash Përsosja e Miss Xhin Brodit dhe Xhoana, ka nxjerrë në shitje më shumë se tridhjetë e pesë albume me këngë të tij. Më shumë se nëntëqind kompozime të tij për artistët e tjerë janë shitur deri në 50 milionë disqe

 

   Njeriu i vetmuar

 

Jetoj vetëm

asnjëherë nuk është e lehtë

të jesh i vetmuar.

Hera-herës natën muret bisedojnë me mua

duket sikur thonë se e djeshmja ish më e mirë.

 

Gjithnjë i vetëm

në shtëpi a midis turmës

i hedhur tej mbi një re

kapur pas një bote që pak e kuptojnë,

jam e çfarë jam, një i vetmuar.

 

Njëherë e një kohë

nuk e mbaj mend kur

shtëpia ish përplot me dashuri

por edhe atëhere ka qenë

përfytyrimi për të ndihmuar të vetmuarin.

 

            Kurrë nuk do të jem vetëm

 

Me krahët e tu do bëj një mur

e kurrë nuk do të jem vetëm

se krahët e tu do më mbështjellin

kur të bjerë nata.

 

Me buzëqeshjen tënde do ngre një mur

më të madhin mur që ka parë njeriu.

E do të fshihem prapa tij

dhe kurrë nuk do të jem vetëm.

 

Pastaj ngadalë do shkojmë në pyll

e çdo gjë që do të bëjmë për njëri-tjetrin

do të jetë e ngrohtë dhe e mirë.

 

Do ta mbaj dashurinë tënde siç mbahet

një kurorë dafinash përmbi flokë

e po të jesh ti aty

unë kurrë nuk do të jem vetëm.

 

Qytetet e braktisura

 

Ka ende disa qytete të braktisura

që do të dëshiroja t`i shikoja

derisa dehja e sorollatjes

nuk më është fashitur akoma.

 

Ka shumë gra të bukura

që do dëshiroja t`i njihja,

dua t`u bie lumenjve më të prerë

e të mbjell një dorë tërshërë.

 

Ndoshta kur të gjitha t`i kem mbaruar

të kem parë gjithë ç`mund të shoh,

vërtet kam për ta kuptuar

se nga vetja ime nuk ik dot.

 

Por ashtu si trenat që nuk ndalin trokun

trazim në shpirt gjithnjë do kem

se janë disa qytete të braktisura

në të cilët patjetër dua të jem.

 

              Samërset

 

Çdo ditë ishte e diel

e çdo muaj ishte maj

dhe çdo vajzë që kalonte

të dukej se ish për ty.

Kur ndodhi, sa vite më parë

dhjetë, pesëmbëdhjetë a më tepër

shumë kohë më parë

kur jetonim në Samërset?

 

Shumë kohë para se të rriteshim

para se të ishim kaq të mëdhenj.

Para se të na hapeshin sytë

e ta shihnim botën tej e tej.

Kur ndodhi, sa vite më parë

duket kaq e largët

kur jetonim në Samërset

dhe vështronim verën tek ikte.

 

Po fryn një erë e ftohtë

këtë mund të të them unë.

Fryn fort përmbi kujtimet

e kohërave që u deshëm shumë.

 

Kur jetuam në Samërset

një jetë të tërë e më përtej

e çdo ditë ishte e diel

dhe çdo muaj ishte maj.

Kur ndodhi sa vite më parë

dhjetë, pesëmbëdhjetë a më tepër

shumë kohë më parë kur jetonim në Samërset

dhe vështronim verën tek ikte.

 

E kam ruajtur verën

 

E kam ruajtur verën

dhe do të ta jap të gjithën ty

ta mbash në mëgjesin dimëror

kur të bjerë bora e parë.

 

Kam ruajtur ca dritë dielli

po të të duhet ndonjëherë

një vend larg errësirës

ku të mund të ëndërrosh.

 

Për vete kam mbajtur buzëqeshjen tënde

kur ishe nëntëmbëdhjetë

se si je tani as që dua t`ia di.

 

Nuk di si të të përgjigjem

të të vij pas dëshirës

fjalët më janë fshehur diku

në një qoshe të ditës.

 

Po në se të duhet dashuria ime

ta jap me gjithë zemrën

le të të ndihmojë udhës

të gjesh dashurinë tënde.

 

Ku jemi ne tani?

 

Njëherë për ditëlindje më solle jargavanë

që do të më mjaftonin, por nganjëherë burrat

kërkojnë edhe më shumë se një kthim i kokës,

e buzëqeshjes të njohur në shtrat.

 

Që të të tregoj se kujdesem për ty

unë të blej varëse që ti kurrë nuk i ve

mund të të kisha sjellë tufa ajri të hollë,

sepse rruazat kristal nuk plotësojnë dëshirat e gruas.

 

Po ku jemi ne tani, ku jemi ne?

Një mijë milje larg të ndarë,

çfarë kemi ne tani, çfarë kemi ne?

As pakëz dashuri për të hyrë në zemrat e njëri-tjetrit.

 

A nuk mund të ketë kthim në rrugën e humbur

që na solli në këtë fund pa krye

marrim prej shoshokut veç një puthje prej të vdekuri

buzëqeshjet tona të ngrysura na largojnë edhe më tutje.

 

Ja përsëri vjen nata e mbulon ditën

dhe zhduk tej fytyrën tënde të mirë

nga i tërë mundimi i jetës sonë

nuk mbetet asgjë në mugëtirë.

 

Po ku jemi ne tani, ku jemi ne?

Një mijë milje larg të ndarë.

Çfarë kemi ne tani, çfarë kemi ne?

As pakëz dashuri për të hyrë në zemrat e njëri-tjetrit.

                       Fjala para Mirupafshim

 

Në fund të fundit ç`është pranvera?

Vetëm ana tjetër e vjeshtës.

Oh, sikur të ish e mundur

të bëja për ty një qiell diellor.

Tungjatjeta, është fjala para Mirupafshim.

Nganjëherë bie shi, nganjëherë shkëlqen,

por gjëja që unë dua kaq rrallë më vjen.

 

Edhe sa vera do jetojmë

para se të mplakemi?

Ne të dy pasqyrës nuk i besojmë

Tungjatjeta është fjala para Mirupafshim.

Nganjëherë errësirë, nganjëherë shndrin,

por natën kur vij në shtëpi

askush nuk pipëtin.

 

Ndoshta era tjetër që do fryjë

do të të sjellë përsëri tek unë.

Deri atëhere më vjen të bërtas:

Tungjatjeta është fjala para Mirupafshim.

Hera herës ti fiton, hera herës ti humbet,

por nuk e harroj dot kam qenë

nën pushtetin tënd krejt.

 

                    Bie shi

 

Bie shi

dhe fëmijët llapashiten nëpër baltë

të moshuarit vështrojnë hyrje-daljet

të dashuruarit nën çadra

as e përfillin shiun.

Bie shi

pa shiko si fluturojnë gjethet në dritare

ne rrimë brenda e nuk bëjmë asgjë

do ishte mirë ta prekim lehtë-lehtë

njëri tjetrin.

 

Bie shi

pikojnë lot engjëjsh nën dritare

po të presim me siguri do dalë ylberi

unë jam këtu mos u tremb nga bubullima

asnjëherë.

 

Bie shi

nuk po i dëgjoj bulkthat të këndojnë

kushedi mos janë mbytur nëpër ullukë

e mendoj se ti nuk më do më

 

Dhe bie shi.

 

Duke u ndryshkur nën shi

 

Porta e vjetër po ndryshket nën shi

dhe fëmijët që vijnë nga shkolla në shtëpi

nuk i prekin guralecët e tyre

tek limani i vjetër i qytetit

atje ku bërryli i lumit formon një pellg.

Dhe ne të gjithë plakemi nga pak

pa eja shihni se ku kemi qenë

përjashta duke u ndryshkur nën shi.

 

Shtëpia e vjetër kërkëllin nën shi

të dashuruarit që zbresin poshtë kodrës

nuk kanë nge të ndalen

tek druri i vjetër i rrëzuar

që po e shpien për ta sharruar.

Dhe ne të gjithë plakemi nga pak

pa eja shihni se ku kemi qenë

përjashta duke u ndryshkur nën shi.

 

Bota e vjetër duke vdekur nën shi

Dhe vera që do vijë si nga vit

nuk do të ketë nge të habitet

por do vazhdojë nëpër rrugën e saj

sikur askush të mos kish jetuar këtu.

Dhe ne të gjithë plakemi nga pak

pa eja shihni se ku kemi qenë

përjashta duke u ndryshkur nën shi.

 

                 Duke kapërcyer Atlantikun

 

Kam hequr dorë nga lutjet në aeroplan.

Kam bredhur nëpër lokale e plazhe të verdhë.

Kam shkruar këngë që të jetojë familja ime vite të tërë.

Kam pasur gra që i pëlqeja e prej tyre kam mësuar

gjëra që nuk i dija.

 

Kafshët e mia mund të jetojnë në luks

ato më dhimbsen më fort sesa do t`ju dhimbsesha,

po për to ka kush kujdeset.

Po të kujdeseshin për mua si për Dogun

nuk do të desha më shumë.

Do të kisha mbaruar çdo pikturë

që fillova ta hedh në pëlhurë.

 

Kam parë disa palë sy që do të doja

t`i mbaja në kujtesë.

Por në fund të fundit kuptova se bëja dot pa ta

kështu nuk falem më në aeroplan.

 

Ka vite që Zoti nuk më frikëson

ashtu siç më trembi herën e parë

kur unë vrapova nëpër fushat e Tij.

Ne kemi luajtur në qiell së bashku

megjithëse nuk ishim në kushte të barabarta

e respektonim njëri tjetrin.

 

Pastaj ti erdhe vrap në jetën time…

E unë u zgjata dy gishta.

Dhe tani duke ardhur për tek ti

lutem gjer të heq brezin e shpëtimit

e lutem përsëri.

 

Zot, lërmë të jetoj edhe një ditë

të të shoh të bukur tek dera

edhe një mëngjes.

 

Mos më ndodhtë që në fluturim

kur ngutshëm vështroj vdekjen

pa dashje të harroj ngjyrën e syve të tu.

 

*Rod McKuen u lind në Oklend të Kalifornisë në vitin 1933, u rrit në Kaliforni, Nevada, Uashington dhe Oregon. Ka punuar si punëtor, aktor kinemaje, dublant për rolet e rrezikshme, folës në radio për garat me kuaj, gazetar dhe skenarist psikolog gjatë Luftës së Koresë, para se të bëhej një autor librash shumë të shitur, kompozitor dhe njeri që jep pritje. Me botimin e “Rruga Stanjan e pikëllime të tjera” në 1966 dhe “Mba vesh si më vlon gjaku” një vit më vonë, Rod McKuen u bë poeti më i shitur në Amerikë. Ka punuar për një roman dhe ka shkruar një skenar për dy librat e tij të parë me poezi.   

 

                        

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency