Reagimi/ Basha: Qeverisë i mbeti drogë në derë. Situata dramatike kërkon përgjigje të menjëhershme

0
115

 Gëzim Saliu

Kreu i PD-së: Moralisht qeveria ka rënë. S’kishte operacion policie, u faktuan akuzat e opozitës

12bashaNgjarja e ndodhur në Divjakë vërtetoi akuzat e opozitës e për këtë situatë dramatike duhet një përgjigje e menjëhershme. Kështu bëri të ditur dje kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit urgjent që zhvilloi me disa nga deputetët e PD-së, duke theksuar se moralisht, qeveria e kryeministrit Rama është rrëzuar. Sipas shefit të opozitës, ngjarja e dy ditëve më parë tronditi jo vetëm publikun, por edhe ndërkombëtarët e në këtë kontekst Basha theksoi se avioni nuk u kap përmes një operacioni policor, por se u rrëzua se kishte avari. “Ngjarja e djeshme është e jashtëzakonshme dhe ka tronditur e indinjuar thellë të gjithë opinionin publik, opozitën por edhe partnerët ndërkombëtarë. Nuk është, siç përpiqet të mashtrojë përsëri Kryeministri, një operacion policor. I madh dhe i vogël, shqiptar apo i huaj, tashmë e dinë se avioni ka pasur avari. Pra nuk e kanë kapur këta avionin por avioni u ka rënë në prehër, droga iu ka mbetur në derë”, deklaroi kreu i PD-së.

 

Avioni

Sipas shefit të opozitës, ngjarja e Divjakës konfirmoi atë që opozita ka thënë prej kohësh që vendi në këto 8 muaj është shndërruar në një bazë të trafikimit të lëndëve narkotike me mbështetje të drejtëpërdrejtë qeveritare. “Është një konfirmim i asaj që ka thënë opozita dhe Partia Demokratike edhe për ata qytetarë që nuk i kanë besuar këto akuza. Dhe në këtë kuptim padyshim ngre pikëpyetje të mëdha dhe të forta dhe shqetësime të jashtëzakonshme për presionet e raportuara dhe të dokumentuara ndaj gazetarëve, të kërcënuar me stil klasik mafioz, ndaj qytetarëve dëshmitarë okularë të cilët kanë parë faktet me sytë e tyre, kanë parë avionët e drogës me sytë e tyre, kanë parë furistradat e drogës të ecin nëpër rrugët dhe shtigjet e Shqipërisë, me symbylljen dhe bekimin e qeveritarëve”, pohoi Basha. Në këtë kontekst, kreu i demokratëve theksoi se ka një indinjatë të natryshme të qytetarëve shqiptarë dhe mbarë opinionit publik. “Sot unë kam mbledhur deputetë të Partisë Demokratike, kam qenë në kontakt me faktorë të opozitës, me partnerë tanë, me përfaqësues të mendimit qytetar, pasi kjo situatë e rëndë dramatike e vendit, është e papranueshme dhe kërkon përgjigje të menjëhershme. Një gjë mund ta themi me siguri; qeveria e Edi Ramës ka rënë. Moralisht, qeveria e Edi Ramës është rrëzuar”, u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha.  Dy ditë më parë në Divjakë 50 metra larg bregut të detit një avion tip ‘Piper’ ka humbur kontaktin me Kullën e Kontrollit dhe pas këputjes së rrotës, ka bërë ulje të detyruar në plazh. Ndërkohë vetëm pak metra larg vendit ku ka rënë avioni, policia ka gjetur një automjet tip Mistubishi me një sasi të konsiderueshme droge, rreth 460 kg hashash brenda dhe jashtë makinës. Pas hetimeve u vërtetua se avioni dhe fuoristrada e kapur në këtë zonë janë pjesë ishin në bashkëpunin, duke tentuar kështu trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike.

 

Kreu i grupit të PD-së/ Paloka: Vendi po mbytet në drogë, ngecja e avionit vërtetoi akuzat e opozitës

Kreu i grupit të parlamentar demokrat, Edi Paloka reagoi dje pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili theksoi se avioni i bllokuar në plazhin e Divjakës, kishte si destinacion transportimin e drogës në Itali. Deputeti demokrat ka akuzuar Tahirin se ai përgënjeshtroi vetveten dhe se kryeministri Rama fshihet pas tij.  “Tahiri zgjodhi të vetë diskteritohet. Tahiri përgënjeshtroj sot vetveten, duke pretenduar se droga u kap nga një operacion policor. Droga në Shqipëri transportohet me avion, gomone dhe furgon. Vete policia tregoi se kapi dje një gomone me drogë në Vlorë”, tha ai.   Sipas Palokës, vendi po mbytet në drogë, dhe ky është një fakt, theksoi ai, që e dinë mirë të gjithë. “I madh dhe I vogël, e di fare mirë se avionit iu thye rrota duke i lënë në derë qeverisë drogën. Droga në Shqipëri transportohet me avionë, gomone dhe furgonë. Vetë policia njoftoi dje për kapjen e një gomone në Vlorë, ndërkohë që po dje në anë tjetër të kufirit, policia greke kapi 360 kilogram hashash të nisur nga Shqipëria. Kjo tashmë ka konfirmuar se kjo është qeveria e drogës”, pohoi Paloka. Më tej kreu I grupit parlamentar demokrat nënvizoi se,: “ngecja në rërë e avionit qeveritar të drogës dhe parave të krimit, mu në plazhin e Divjakës, ka konfirmuar tashmë edhe para më skeptikëve atë që opozita dhe Partia Demokratike ka thënë prej kohës se në Shqipëri karteli i drogës është bërë njësh me qeverinë e Edi Ramës dhe anasjelltas. Edi Rama po përpiqet më kot të fshihet prapa supeve të rrudhura të Braçes dhe Tahirit. Në sytë e çdo shqiptari ai dhe qeveria e tij kanë rënë”.

 

Kërkesa/ Berisha e Topalli: Qytetarë ngrihuni, “qeveria e drogës ik”. Duhet mocion mosbesimi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sërish dje për ngarjen e ndodhur në plazhin e Divjakës, ku duke marrë shkas nga deklaratat e pasardhësit e tij, ka bërë thirrje për ngritjen e shqiptarëve në protest për largimin e qeverisë.  “Rama ik, Qeveri e drogës ik, sepse sot në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të lirë, malavita, baronët e drogës, kumbarët dhe ndrikullat e saj drejtojnë qeverinë dhe agjensitë e saj. Ata kanë vendosur në dispozicion të trafikut të drogës aeroportet, portet dhe rrugët e vendit”, shkruante Berisha në rrjetin social. Sipas tij, qeveria e drogës duhet të largohet pasi rrugët, portet dhe aeroportet e vendit janë vendosur në dispozicion të drogës dhe trafikut të saj. “Dje në Divjake ra në rërë nga mbingarkesa, në fluturimin zyrtar dhe jo klandestin të drogës, avioni që me leje shtetërore u nis nga Rinasi”, theksoi Berisha.  Ndërkohë sipas ish-kreut të qeverisë një tjetër arsye se pse qeveria Rama duhet të largohet nga pushteti është se sipas tij në një hark të shkurtër kohor Shqipëria për drogën, tritolin, vrasjet është bërë një vend më i pasigurt se sa Afganistani.  “Rama ik, Qeveri e drogës ik, sepse prej shkurtit të këtij viti e deri sot opozita dhe mediat e vendit janë angazhuar në një beteje antidroge me të gjithë potencialin e tyre. Por ata kane gjetur përballë tyre murin e drogës qe trashet dhe lartësohet çdo dite. Akuzave, fakteve, denoncimeve te qytetareve, mediave, opozitës Edi Rama dhe Ilir Meta, ministrat e tyre, u janë përgjigjur me tallje cinike por dhe presion e terror të paparë”, pohoi ai. Në të njejtën linjë ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, e cila deklaroi se pas ngjarjes së dy ditëve më parë Shqipëria nuk është më e njëjta. “Rama IK!  Opozita duhet të udhëheqë protestat! Opozita duhet të kërkojë seancë urgjente dhe të kërkojë mocion mosbesimi për qeverinë! Opozita duhet të drejtojë qytetarët në luftën kundër mafies! Kjo kërkon kurajo e sakrificë. Fundërrinat u mblodhën e përmbysën PD në qershor,  tani janë në pushtet! E djeshmja është vetëm një episod që vetëm para pak ditësh ,pak e imagjinonin! Por realiteti është shumë më i rëndë! Qytetarë ngrihuni!”, shkruante ish-kryeparlamentarja Topalli.

 

Zv.ministri i Transporteve /Manjani: Hapësira ajrore e Shqipërisë e sigurt dhe e monitoruar

Ministria e Transporteve siguron opinionin publik se hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë është e sigurt dhe e monitoruar sipas standardeve absolute. Në një deklaratë publik, zv/ministri i Transporteve Ylli Manjani theksoi dje se nuk ka asnjë mundësi për deviacione, ngjarje të rënda apo trafik droge nga ajri.  “Siguroj opinionin publik shqiptar se hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë është më e sigurta që ka kjo Republikë në krahasim me çdo sektor tjetër të transportit. Standardet e sigurisë dhe monitorimit janë absolute. Nuk bëhet fjalë për deviacione, ngjarje të rënda, për asnjë lloj mundësi të trafikut. Ngjarja e djeshme konfirmon 120% se kjo hapësirë është e sigurtë. Për shkak të këtyre standardeve të sigurisë u zbulua edhe ngjarja e djeshme. Po të ishte kaq e pasiguritë sigurisht nuk do ishte zbuluar asgjë”, pohoi Manjani. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se hapësira ajrore shqiptare monitorohet 24 orë në 24 nga Albcontrol. “Është institucioni që administron kullën. Çdo mjet që fluturon në hapësirën e Republikës së Shqipërisë është i identifikueshëm nga kjo kullë. Sigurisht hetimi do sqarojë shumë gjëra, por na rezulton se ky rast ka qenë i gjurmuar që nga toka dhe deri në tokë”, u shpreh Manjani duke shtuar se,: “problemet e tokës nuk duhen ngritur në ajër”.

 

Deputeti i PS /Ndreu: Operacioni në Divjakë sukses për policinë

Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu deklaroi dje se në momentin kur avioni përfundoi në plazhin e Divjakës dhe devijoi thirrjet e kullës së kontrollit në aeroportin e Rinasit, policia ka nisur operacionin për kapjen e tij. I ftuar në rubrikën “Opinion”, në Neës24, Ndreu pohoi se policia e shtetit ishte në dijeni për këtë avion dhe kishte nisur dje punën për lokalizimin e tij.  Më tej deputeti socialist nënvizoi se ky operacion ishte një sukses i madh i Policisë së Shtetit pasi sipas tij për herë të parë kemi të bëjmë me një operacion spektakolar. “Në momentin që avioni nuk i është përgjigjur kullës, kemi ngritur alarm. Ne nuk shtimë fall. Brenda Ministrisë se Brendshme mund të jetë bërë kjo gjë. Droga nuk u kap në avion, u kap diku tjetër. Struktura u tregua shumë e shpejt, pasi veproi suksesshëm duke kapur rrjetin.  Nuk mund të paracaktojmë se duhet të ndodhte kështu apo ashtu. Nëse strukturat e shtetit, s’do i kishin kapur, atëherë s’do ishte sukses”, tha Ndreu, ku shtoi se avioni ishte ngritur me leje, por pasi devijoi itinerar, policia nisi operacionin për ndjekjen e tij. Sipas ligjvënsit socialist ky është një fenomen që ka ekzistuar dhe më parë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency