Skandali i drogës/ Ulet avioni në Divjakë, sekustrohen 460 kg kanabis

0
150

Sonila Mesareja

Piloti italian, Riformatto, me precedentë të mëparshëm penale, mohon përfshirjen në trafik droge

Hetim itinerarit të tejzgjatur të pilotit nga Rinasi në Divjakë, Kulla e Kontrollit humbi kontaktet me të

 
avioni i ngecur ne plazh divjake drogaUlja e avionëve në zonën e Divjakës nuk ishte thjesht një legjendë apo fjalë në ajër të ndonjë banori. Dje, një i tillë është ulur në plazhin e Divjakës dhe ka ngecur në rërë, sipas burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme, për shkak të një defekti teknik. Të njëjtat burime bëjnë me dije se avioni ka humbur kontaktin me Kullën e Kontrollit dhe pas këputjes së rrotës, ka bërë ulje të detyruar në plazh. Por, vetëm pak metra larg vendit ku ka rënë avioni, policia ka gjetur një automjet tip Mistubishi me një sasi të konsiderueshme droge, rreth 460 kg hashash brenda dhe jashtë makinës. Ndërkohë që, policia ka vënë në pranga një shtetas shqiptar, si dhe ka sekuestruar sasinë e drogës dhe një sasi prej 27 mijë euro. Policia bën me dije se në pranga ka rënë 38-vjeçari Sajmir Bajrami, i cili ka jetuar në Itali dhe kishte mbërritur në Shqipëri 2 ditë më parë. Megjithatë, hetimet nga policia vijojnë për të përcaktuar nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në këtë zonë janë pjesë e një tentative për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike.

Ngjarja

Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, policia e Lushnjes ka marrë njoftim nga banorë të zonës se një avion është ulur në plazhin e Divjakës. Menjëherë janë njoftuar strukturat më të larta shtetërore dhe është organizuar një superoperacion antidrogë, i cili është shtrirë në komplet zonën e plazhit, nga Spilleja deri afër Fierit. Grupe speciale u nisën drejt Divjakës, duke rrethuar zonën dhe ngritur postblloqe. Fillimisht u deklarua se në avion ndodheshin dy persona, por që kur policia mbërriti në vendngjarje, gjeti vetëm pilotin, një shtetas italian i identifikuar si Georgio Riformatto, rreth 56 vjeç. Ndërkohë që, rreth 200 metra larg avionit u ndalua një automjet tip Mistubishi, brenda të cilit u gjetën dhe sekuestruan disa çanta me lëndë narkotike, si dhe u ndalua drejtuesi Sajmir Bajrami, 38 vjeç. Gjithashtu, të ndaluarit ju sekuestrua dhe një sasi prej 27 mijë euro-sh. Gjithashtu, afër avionit dhe pranë automjetit janë gjetur dhe çanta të tjera me drogë, të cilat dyshohet se do transportoheshin drejt Italisë me avionin tip charter. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe oficerë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kanë kryer veprimet e para hetimore. Zyrtarisht, Ministria e Brendshme deklaron se mes avionit të ulur në plazh dhe makinës së kapur me drogë nuk ka asnjë lidhje. Sipas tyre, piloti italian ka bërë ulje të detyruar në plazhin e Divjakës për shkak të këputjes së një rrote. Megjithatë, afërsia mes mjetit me drogë dhe avionit të ulur në plazh lë shumë për të dyshuar se mund të kemi të bëjmë me një tentativë trafikimi të lëndës narkotike drejt Italisë.

Hetimi

Piloti italian Giorgio Riformatto dyshohet të jetë ulur në plazhin e Divjakës për të marrë ngarkesën e drogës nga 38-vjeçari i arrestuar, Sajmir Bajrami. Pikërisht momenti i ngarkesës dhe pamundësia e mbajtjes së ngarkesës dyshohet të ketë sjellë edhe dëmtimin e avionit. Për të sqaruar rolin e pilotit italian, kohën e gjatë të fluturimit nga Rinasi deri në plazhin e Divjakës, “koinçidencën” e gjetjes së makinës me drogë vetëm 200 metra larg vendit ku kishte ngecur avioni, policia ka marrë në pyetje Riformatton në prani të një përkthyesi të gjuhës italiane. Grupi i hetimit ka të dhëna se mes pilotit italian dhe personit të arrestuar ka njohje të mëparshme. Nga të dhënat paraprake mësohet se piloti italian ka mohuar njohjen me Sajmir Bajramin, të cilit i është komunikuar arresti në flagrancë për “trafik lëndësh narkotike” në bashkëpunim. Ai ka shpjeguar se ka pësuar një dëmtim në avion dhe për këtë arsye ka bërë ulje emergjente në plazhin e Divjakës. Megjithatë, grupi hetimor po vijon hetimet për sqarimin e rolit të pilotit të shoqëruar me personin e arrestuar. Ndërkohë që ekspertët janë duke kqyrur pakot e drogës për të parë nëse ka gjurmë të dy personave, Riformattos dhe Bajramit.

Dyshimi

Mes italianit Riformatto dhe shqiptarit Bajrami dyshohet të ketë njohje të mëparshme. Ata kanë mbërritur në të njëjtën ditë nga Italia në Shqipëri. Sipas ALB Control, avioni ka kërkuar leje më 5 maj dhe më 8 maj ka mbërritur në Rinas, ku ka qëndruar për 2 ditë. Pasdreken e djeshme, avioni me pronarin italian ka lënë pistën e Rinasit dhe më pas u gjet i aksidentuar në plazhin e Divjakës. Zyrtarisht, sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme, shtetasi shqiptar Sajmir Bajrami i cili jetonte në Itali prej vitesh ka mbërritur në Shqipëri në të njëjtën datë me shtetasin Italian Giorgio Riformatto, pronarin e avionit. Pra, Sajmir Bajrami mbërriti në Shqipëri më datë 8 maj. Kjo “koiçidencë” e çuditshme në kohën e mbërritjes nga Italia, por edhe kapjen në të njëjtin vend, vetëm 200 metër larg njëri-tjetrit, tregon se mes Giorgio Riformattos dhe Sajmir Bajramit ka jo vetëm njohje të mëparshme, por që edhe kanë organizuar trafikun e lëndës narkotike prej 460 kg hashash që u gjet brenda dhe jashtë makinës tip Mistubishi. Megjithatë, grupi hetimor i Krimeve të Rënda po heton tabulatet telefonike të të dy personave, hyrjet dhe daljet e Bajramit kohët e fundit nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas, si dhe është në pritje të zbulimit nga laboratori Shkencor të ndonjë gjurmë të mundshme që mund të lidhë dy personat.

Dëshmitë

Persona të ndryshëm, banorë të zonës, kanë folur për mediat duke dhënë detaje rreth mënyrës sesi mësuan për rënien e avionit dhe nëse kishin parë persona të interesuar për të. Një nga banorët ka deklaruar se 3 persona i kanë kërkuar t’i tregonte vendin ku 1 orë e gjysëm më pas ra avioni. Sipas tij, ata kishin një hartë në dorë dhe kërkonin pikërisht vendin ku u gjet avioni. “Më erdhi një makinë dhe më tregoi një hartë ku donte të dinte se ku është bregdeti. Tre persona në makinë më erdhën me hartë në dorë dhe më thanë t’u tregoja se cila është rruga për të shkuar në atë vend ku ra avioni” deklaron dëshmitari pa pranuar të japë të dhëna mbi identitetin e tij.

Kush është piloti italian Riformatto

Giorgio Riformato, 56 vjeç nga Varese, piloti i avionit të bllokuar në Divjakë, rezulton me precedentë të mëparshëm për mashtrim. Në 2009, piloti 56-vjeçar u përfshi në një skandal që kishte të bënte me pagesa të mëdha që bënin aplikantët për pilot. Riformato ishte titullar i një shkolle për pilotë, e cila u merrte aplikantëve 1200 euro për një orë leksioni në fluturim. Ngjarja u bë publike në vitin 2009, kur “Le Iene” shkuan në Mesanzana duke e bërë kështu kombëtare, një ngjarje që deri më atëherë ishte e lokalizuar. Pas hetimeve të bëra nga “Guardia di Finanza’, u tregua se Riformatto, “komandanti” i rremë kishte shkelur një sërë artikujsh të Kodit të Aviacionit.

 

 

Sali Berisha: Kapet në Divjakë mushkonja e parë e miellit e Edi Ramës!

Avioni nuk është ndaluar nga Policia as dhe nga ndonjë operacion antidrogë por bie nga mbingarkesa. Zoti shpëton shtëpinë e një fshatari pa i rënë avioni mbi çati. Ky është sundimi i drogës.

Klika Rama – Meta shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europes!

Të dashur miq, e vërteta vonon por nuk harron. Dielli me shosh nuk mbulohet. Thuhet se avioni është nisur nga Rinasi me drogëra te forta dhe në Dijvake ka marrë ngarekesën (mbingarkesen) tjetër, më të cilen u rrezua. Piloti është person me precedentë kriminal, por natyrisht me kontratë për ndarje fitimi me Ramën dhe suitën e tij. Policia ka shkuar me dy orë vonesë. Klika Rama – Meta shndërroi Shqiperinë në Kolumbinë e Europës.

Qytetarë, regjimi punisto – mafioz po damkos dinjitetin tonë dhe të Shqiperisë. (ka shkruar ish-Kryeministri Sali Berisha në “Facebook”)

 

 

 

Deklarata

Ministri Tahiri: Avioni ishte bosh, bëri ulje për shkak të dëmtimit

Operacioni, policia arreston Sajmir Bajramin, sekuestron 460 kg hashash dhe 27 mijë euro

Dyshimi, avioni është ulur në plazh për të marrë lëndën narkotike të kapur 200 metra larg tij

Sonila Mesareja

Disa orë pas uljes së avionit në plazhin e Divjakës dhe kapjes së drogës disa metra larg tij, ka reaguar pasditen e djeshme në një konferencë për shtyp edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ai njoftoi se Policia e Shtetit kishte finalizuar një operacion antidrogë në zonën e Divjakës, ndërsa sqaroi edhe detaje mbi itinierarin e avionit të ngecur në plazh. Sipas tij, avioni dispononte leje fluturimi të lëshuar nga Aviacioni Civil dhe ishte nisur për në Itali, por që për shkak të një defekti teknik, këputja e rrotës dhe helikës, u detyrua të ulej.

Deklarata

“Sot në orën 14: 40, një avion i vogël ka bërë ulje në plazhin e Divjakës, ku është dëmtuar duke thyer një nga rrotat dhe helikën. Policia ka ndaluar pilotin që është shtetasi italian, Giorgio Riformatto. Nga hetimet praparake rezulton se avioni është nisur nga Rinasi në orën 13:20 me leje fluturimi numër 193, i nënshkruar nga Aviacioni Civil me destinacion Italinë. Nga të dhënat e deritanishme, kjo është hera e parë që avion ulet në vendin tonë. Avioni është gjetur bosh, ndërkohë që pretendimi i shtetasit italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të një defekti teknik gjë që pritet të identifikohet nga hetimet. Paralelisht, Policia e Shtetit dhe policia kufitare e zonës, së bashku me forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë rrethimin e zonës ku dhe është identifikuar një makinë Mitsubishi me targë AA 794 EU me një ngarkesë droge të llojit hashash, si dhe disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të makinës. Në vlerësimin fillestar mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis. Sapo jam informuar nga policia që në këto moment është arrestuar drejtuesi i mjetit që ishte larguar në pyllin e Divjakës, që quhet Sajmir Bajrami 38 vjeç, të cilit i janë sekuestruar edhe 27 mijë euro. Ky shtetas ka jetuar në Itali dhe ka mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë më parë. Në vijim, Policia e Shtetit do ju informojë më shumë, dhe sigurisht, edhe nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në këtë zonë janë pjesë e një tentative për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike”.

Alb Control: Avioni ka leje fluturimi në hapësirën shqiptare

Pas publikimit të lajmit se një avionit i llojit “Piper” është ulur në plazhin e Divjakës, ka reaguar edhe Aviacioni Civil. Albcontrol bën me dije se avioni i cili u bllokua në Divjakë, ka leje fluturimi në hapësirën shqiptare. Sipas Albcontrol, leja e fluturimit të avionit mban nr.193 dhënë më datë 05.05.2014, i vlefshëm edhe për sot. Sipas të dhënave zyrtare, avioni tip “Piper” dhe i drejtuar nga piloti Giorgio Riformatto, ishte ndalur në aeroportin e Rinasit me leje fluturimi, ndërsa ditën e djeshme në orën 13:00 ishte nisur për një fluturim drejt jugut, por Kulla e Kontrollit e ka humbur kontaktin. Vetëm rreth orës 14:40 është njoftuar ulja e një avioni në plazhin e Divjakës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimin, prokurorja në Divjakë

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur menjëherë hetimet për avionin e bllokuar në plazhin e Divjakës. Sipas akuzës, prokurorja Doloresa Musabelliu dhe oficeri Ibrahim Hoxha kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku po marrin provat e para nga vendi i bllokimit të avionit sportiv, që drejtohej nga piloti Giorgio Riformato. Nga të dhënat paraprake mësohet se hetimet kanë nisur për akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike“ në bashkëpunim. Pjesë e këtij hetimi është edhe shtetasi shqiptar Sajmir Bajrami, 38 vjeç, i cili është kapur teksa po tentohej të largohej nga pylli i Divjakës, pak metra nga vendi ku ishte bllokuar avioni. Sipas akuzës, nga të dhënat paraprake dyshohet që avionit i është dëmtuar goma në ngritje, pasi ishte ngarkuar me hashashin. Dyshohet se pas dëmtimit, Bajrami ka ndërhyrë duke boshatisur avionin.

Dëshmia

Genti Kuqi: Një muaj më parë u ul një avion në Bedat

Genti Kuqi, një banor nga fshati Bedat i Lushnjes, dy javë më parë ka denoncuar publikisht në media, për herë të parë në televizionin Neës 24, se rreth një muaj më parë ka parë të ulet një avion në rrugën “Bedat Adriatik”, rreth orës 09:00 të mëngjesit. Genti Kuqi dëshmoi se avioni ka qëndruar rreth 30 minuta dhe më pas është ngritur sërish duke u larguar drejt bregdetit. “Po vija nga Bedati për peshkim. Këtu ishte një makinë ‘Fuoristradë’ që na bllokoi rrugën, derisa avioni u ngrit. Avioni ishte i vogël, i bardhë. Rruga u bllokua, u ngrit avioni na hapën rrugën. Unë e dija se ishte policia, ose një defekt. Thashë se avioni ra. U hap rruga, makina iku në drejtim të avionit kur u ngrit avioni, iku në bregdet. Avioni u ul për 25-30 minuta. Banorë të tjerë e dinë. Dëshminë time do ta jap, pse mos e jap. Është e vërtetë. Nuk e kam parë vetëm unë por shumë banorë të kësaj zone. Këtu ishin bllokuar më shumë se 20 persona”- deklaroi Kuqi. Për dëshminë e dhënë, Kuqi u shoqërua edhe në polici ku dha deklarime rreth atyre që dëshmoi në media. Më pas ai deklaroi për mediat se ndihej i kërcënuar për shkak të dëshmisë së dhënë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency