Ndarja territoriale/Ndërkombëtarët mbështesin reformën, thirrje qeverisë për transparencë dhe gjithëpërfshirje  

0
113

Florenc Drizari

“Partnerët ndërkombëtarë që mbështesin këtë reformë janë: USAID, OSBE, KE, qeveria suedeze nëpërmjet SIDA-s, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran, Bashkimi Evropian, PNUD, Zyra e Bashkëpunimit Austriak, Zyra e Bashkëpunimit Italian”

territori ndarja Përfaqësues të Këshillit të Evropës si dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare morën pjesë në seancën dëgjimore që u zhvillua dje në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me veprimtarinë e komisionit për reformën administrative dhe territoriale. ndërkombëtarët dolën në një deklaratë të përbashkët ku theksohet transparenca nga ana e qeverisë dhe gjithëpërfshirja e aktorëve të tjerë në këtë proces. Edhe pse nuk folën drejtpërdrejtë për opozitën e cila nuk është bërë pjesë e këtij procesi, ndërkombëtarët theksuan nevojën për konsensus të reformës në një kohë që mazhoranca ka ndërmarrë prej disa ditësh iniciativën për ta përfunduar këtë proces edhe pa opozitën.

Në deklaratën e thure thuhet se për më shumë se 10 vjet Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar ndajnë mendimin se sistemi aktual i njësive të shumta të qeverisjes vendore është i paqëndrueshëm. Sipas tyre, në kontekstin aktual të zhvillimit të Shqipërisë shumë nga këto njësi të qeverisjes vendore nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë shërbime efiçiente.

“Ne përqafojmë angazhimin e qeverisë për të kryer një proces të reformës territoriale dhe administrative të standardeve ndërkombëtare, duke qenë i bazuar në analiza objektive, transparent dhe gjithëpërfshirës. Për këtë qëllim, ne kemi ofruar mbështetjen tonë duke sjellë ekspertizë ndërkombëtare dhe kombëtare, duke lehtësuar dialogun, duke organizuar platforma dhe forume konsultimi si dhe duke ofruar eksperienca nga vendet që po kalojnë reforma të ngjashme. Ne kemi mbështetur aktorët e këtij procesi për të dëgjuar zërin e qytetarëve. Një informacion i gjerë është në dispozicion për t’iu dhënë publikut”, – thuhet në deklaratën e ndërkombëtarëve.

Ndërkaq, edhe në këtë mbledhje nuk mungoi thirrja e kryetarit të Komisionit, Bashkim Fino, drejtuar opozitës për të marrë pjesë në këtë proces. “Ju garantoj në emër të Komisionit dhe të Kuvendit, që ne do të respektojmë Kushtetutën e Shqipërisë, që do të thotë se javën e ardhshme do të kemi sipas Kushtetutës dy muaj bashkëbisedim me të gjithë qytetarët, me kryetarë bashkie, komunash, qarqesh, përfaqësues të shoqërisë civile”, – u shpreh Bashkim Fino.

Më herët përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision kanë zhvilluar seanca dëgjimore me grupet e interesit si kryetar të bashkive të majta në vend dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Nga ana e saj opozita ka kundërshtuar miratimin e ngritjes së këtij komisioni në Kuvendin e Shqipërisë, duke thënë se për këtë çështje duhet një konseus i gjerë politik dhe qytetar. Fillimisht mazhoranca ndryshoi përbërjen e këtij komisioni duke i hequr opozitës numrin e barabartë të anëtarëve në komision me argumentimin e hapjes së pengesave për fillimin e punës. Krerët e mazhorancës kanë deklaruar se kjo reformë duhet të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar, ndërkohë që opozita ka paralajmëruar se nëse miratohet një reformë e njëanshme, ajo do të përballet me diskutimet qytetare, duke nënkuptuar edhe mbajtjen e referendumeve popullore për këtë çështje.

 

 Debati për LANÇ, Rama: Absurditet dhe denigrimi i luftës

 Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një pritje në godinën qeveritare me veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Me një fjalim të gjatë ku kryefjala ka qenë Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANC), Rama u shpreh se qeveria e tij do të bëjë çmos që të mos abuzohet në emër të kësaj lufte dhe ndaj kësaj lufte. Mesazhet e LANÇ, tha Rama, u duhen përcjellë brezave.

“Qeveria do bëjë përpjekje që duke çmuar rëndësinë madhe të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, jo si një faqe të lavdishme të së shkuarës, por si një burim idealizmi ndaj së ardhmes, të refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje për abuzim ndaj Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Mesazhet e LANÇ janë mesazhe që duhet t’i përcjellim me ngul dhe pa asnjë lëkundje dhe çdo vajze dhe djali që rritet në këtë vend, që ta kenë të qartë, vendi nuk do ishte ky që është sot, pa LANÇ”, – tha Rama. Duke marrë shkas nga 5 Maji, Dita e Dëshmorëve, dhe nderimi që iu bë dëshmorëve, Rama u shpreh se duhet refuzuar me neveri çdo përpjekje për abuzim me luftën antifashiste nga çdo lloj ane që ajo vjen. Sipas Ramës nderimi nuk duhet vënë re tek detajet apo ritualet që bëhen.

“Jo në pak raste njerëz apo grupe të caktuara në vend, bëjnë gjithçka munden që të mbajnë gjallë, duke ushqyer në forma nga më të papranueshme konfliktet e lindura mes shqiptarëve në luftë, dhe të ushqyera për vite të tëra në funksion të pushtetit. Denigrimi i papërgjegjshëm i luftës, dhe përdhosja e gjithë atyre vlerave të larta që populli i nxori në pah, përmes asaj lufte që ka qenë dhe do të mbetet në jetë të jetëve një nga faqet më të shkëlqyera, është vërtetë një akt i ulët publik, që gjen hapësirë për tu shfaqur në veprim thjeshtë në funksion të interesave që s’kanë asgjë të përbashkët me interesin real për ta parë, shkruar dhe lexuar historinë si një instrument në funksion të së ardhmes”, – tha Rama.

 

“Kompetencat e Presidentit”, Kushtetuesja shqyrton padinë më 27 maj

Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë në datë 27 maj padinë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për mosmarrëveshjen e kompetencave lidhur me shkarkimin e ish-kryetares së ILDKP-së, Zana Xhuka.

Kreu i shtetit shqiptar i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit të krijuar sa u përket kompetencave të Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Nishanit, Parlamenti ndërhyri në kompetencat e Presidentit me shkarkimin dhe emërimin që kreu në këtë institucion, ndaj i kërkon kësaj gjykate të shpallë antikushtetues votimin e Shkëlqim Ganajt në vend të Zana Xhukës.

“Duke qenë se, midis Kuvendit dhe Presidentit të Republikës është krijuar një konflikt kompetencash, kërkoj nga Gjykata Kushtetuese: 1. Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit; 2. Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 14/2014, datë 20.2.2014, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjen e zotit Shkëlqim Ganaj në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”. Seancën plenare të 21 shkurtit, pas debatesh dhe ndërprerjesh të shumta të seancës, Kuvendi liroi nga detyra me votat e mazhorancës kreun e ILDKP-së, Zana Zhuka, duke zgjedhur në vend të saj, me 75 vota pro dhe 2 abstenime, dekretin e dytë që propozoi presidenti Nishani vitin e kaluar përballë Xhukës, pikërisht Shkëlqim Ganajn”, – thuhet në padinë e Presidentit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency