Debati për 9 majin/ Diskutimi mes Shehut, Strazimirit, Islamit, Dodës dhe Kadillit: Pse qeveria ngatërron datat?  

0
143

Gëzim Saliu

Në “Facebook”, Shehu: Në 9 maj është Dita e Evropës dhe jo e fitores me fashizmin. Kadilli: Sot festojnë ata që orientohen me orën e Moskës. Strazimiri: Përzierje mes Stalinit e mashtrimit

fotot e hedhur nga Tritani Ish-deputeti demokrat, koordinatori për degën e PD-së së Tiranës, Tritan Shehu, shpreh qëndrimin e tij lidhur me festimet e djeshme nga ana e përfaqësuesve të qeverisë për datën e 9 majit. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai theksoi se kjo datë nuk shënon fitoren mbi fashizmin, por Ditën e Evropës. Ky qëndrim i Shehut ka përfshirë në diskutim edhe një sërë deputetësh të PD-së, mes tyre Gent Strazimirin, Kastriot Islamin, Mesila Dodën si edhe ish-deputetin e djathtë, koordinatorin për rrethin e Lushnjës, Fatbardh Kadillin.

 

Qëndrimet

Duke bërë të ditur se në të gjitha komunikimet e djeshme zyrtare të qeverisë ka diçka që nuk shkon, Tritan Shehu pohoi: “Thuhet se sot më 9 maj festohet dita e fitores mbi fashizmin! Nuk është kështu: Ky është një shtrembërim i historisë nga Stalini e komunizmi! Dita e fitores mbi fashizmin është 8 maji 1945! Perëndimi këtë ditë feston! Sot, 9 maj, është Dita e Evropës. Lidhet me vitin 1950. Janë evenimente të ndryshme. Pse këtë vit po ngatërrohen shumë gjëra të tilla! Ku po shkojmë?” Ky koment në rrjetin social i Shehut ka përfshirë në diskutim disa kolegë të tij, ku me ironi deputeti Strazimiri theksoi: “Epo nëse nuk e përziejnë me pak Stalin e me një porcion mashtrim, ça feste është kjo pastaj… e do zakoni i Partisë”. Nga ana tjetër, deputetja Mesila Doda tha se e kishte bërë këtë propozim në Parlament pak kohë më parë, po nuk kishte marrë miratim. “Po o Tritan, por kur unë e thashë këtë në Parlament, duke i propozuar që ta kishim dhe ne 8 majin në vend të 29 nëntorit, m’u kthyen kolegët dhe më thanë ia ke futur kot se është më 9 maj dita e fitores mbi fashizmin”. Në të njëjtën linjë me kolegët e tij, deputeti Kastriot Islami bëri të ditur se ndërhyrje të tilla si ajo e Shehut janë të nevojshme për të respektuar datat e shënuara të Evropës dhe për të mos krijuar asnjë keqkuptim. Më tej në komentin e tij, Islami vendosi një tekst zyrtar në anglisht lidhur me këto data, ku thuhej: “Në Evropë, Dita e Evropës është një festë vjetore e paqes dhe unitetit në Evropë. Ka dy emërtime të veçanta të ditës së Evropës: më 5 maj për Këshillin e Evropës dhe 9 maj për Bashkimin Evropian (BE). Për BE-në, 9 maji është dita e njohur si Dita e Shumanit, duke përkujtuar deklaratën historike nga ministri i Fashtëm francez Robert Schuman. 5 maji është vërejtur ende nga disa evropianë për shkak të rolit të Këshillit të kërkuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë parlamentare dhe shtetin ligjor. 8 maji është fundi i Luftës së Dytë Botërore në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik”. Ndërsa ish-deputeti demokrat, koordinatori i PD-së për degën e Lushnjës, theksoi se më 9 maj e festojnë fundin e Luftës së II Botërore dhe fitoren mbi fashizmin ata që orientohen me orën e Moskës. “Nuk është shaka. Armëpushimi u shpall / hyri në fuqi, në Evropë, në orën e fundit të datës 8 maj, kur në Moskë kishte hyrë data 9. Për t’u dalluar nga Perëndimi, BS / Stalini caktoi datën 9 si ditë të fitores. E ndoqën gjithë blloku komunist. Turpi është se ende kemi mbetur me orën e Kremlinit”.

 

 Takimet e Mediut në SHBA/ DASH, Moore: Rruga drejt BE-së kalon nga respektimi i Kushtetutës dhe konsensusi

Në vazhdim të vizitës së tij në Uashington, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi takime në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Kongres, ku u takua me Jonathan Moore si edhe kongresmenët Jannice Hann, Danna Rochabcher, Louie Gohmert, Frank Wolf. Zyrtari i lartë i DASH dhe dhe kongresmenët theksuan se SHBA do të jetë në krah të shqiptarëve dhe rrugës së saj evropiane, prandaj pozita dhe opozita duhet të punojnë së bashku për këtë qëllim të madh. “Në çdo shtet demokratik, rruga e vetme për përparim, si dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i lidhur ngushtë me respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe të drejtave të qytetarëve siç është dhe ajo e pronës. Interesi i qytetareve, siguria e tyre, garantimi i pronës dhe zhvillimi ekonomik i vendit janë detyra për të cilat qeveria duhet të punojë çdo ditë dhe për të cilën ajo është zgjedhur. Lufta kundër krimit të organizuar, tendencave ekstremiste duhet të bashkojnë politikën për të gjetur zgjidhjet e duhura. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe duhet të ruajë përgjegjësitë e saj maksimale si aleate e denjë me kontribute në misionet paqeruajtëse dhe luftën kundër terrorizmit”, – u shprehën ata. Nga ana e tij, kreu i PR-së theksoi në takim se koalicioni PS-LSI në qeverisje dhe parlament, kanë përcaktuar një qëllim të qartë, kontrollin dhe uzurpimin e institucioneve Kushtetuese. “Me gjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qeveria dhe mazhoranca vazhdojnë spastrimet në administrate duke vendosur veten mbi ligjin dhe Kushtetutën. Sulmet mbi institucionin e Presidentit, uzurpimi i kompetencave të tij, apo ndryshimet ligjore duke prishur balancat dhe kontrollin e pushteteve, janë bërë tashmë një shqetësim konkret. Nismat ligjore janë nisma që nuk kanë asnjë qëllim të garantimit normal të institucioneve, përkundrazi”, – tha Mediu, duke nënvizuar nga ana tjetër se opozita ka mbështetur dhe mbështet integrimin evropian pa asnjë mëdyshje.

 

Eksplozivi/ PD, Vorpsi: Kriza e rendit, e lidhur me paligjshmërinë e kupolës në ministri e polici

Pas ngjarjes së fundit të ndodhur dy ditë më parë, ku u vendos eksplozivi ndaj një arkitekteje, Partia Demokratike ka reaguar për situatën e rendit në vend. Përmes zëdhënëses së selisë blu, Laura Vorpsi, PD e cilësoi ngjarjen si kriminale dhe të pandodhur asnjëherë më parë në autostradën kryesore të vendit, Tiranë – Durrës. “Atentati me eksploziv ndaj arkitektes Entela Çano, që për fatin e mirë nuk ia mori jetën, është një thirrje alarmi për situatën e rendit dhe sigurisë në vend, që sa vjen e përkeqësohet. Eksplozivi i djeshëm ka prishur qetësinë e të gjithë qytetarëve të vendit, pasi kur organizohet ekzekutimi i një gruaje në mes të ditës, krimi ka marrë revanshin më të egër, dhe autoriteti i policisë dhe i shtetit është në kuotat më të ulëta”, – tha ajo. Më tej, Vorpsi theksoi se Partia Demokratike është e shqetësuar për klimën kriminale në vend, që nuk kursen më askënd, as gratë, as fëmijët. “Kriza e rendit, është e lidhur me paligjshmërinë që buron në kupolën e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit të marrë masa të menjëhershme. Nëse ai nuk ofron dot siguri për jetën e qytetarëve në vend, atëherë ai nuk është në gjendje të bëjë detyrën më parësore që i është ngarkuar nga Kushtetuta dhe nga qytetarët shqiptarë”, – deklaroi zëdhënësja e PD-së.

 

Rasti/ Largohet nga Garda e Republikës, mori pjesë në përurimin e Bashës

Një prej punonjësve të Gardës së Republikës është larguar nga pozicioni i punës, për shkak të pjesëmarrjes së tij në një ndër aktivitetet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kreut të PD-së Lulzim Basha. Shtetasi Mehmet Cemurati, i cili punonte prej vitesh në këtë institucion, u pushua nga puna, ku sipas tij arsyeja ishte tërësisht politike. Në datën 12 prill, kreu i Bashkisë përuroi përfundimet e një rruge që kalonte pranë shtëpisë së Cemuratit, i cili në momentin e aktivitetit ndodhej në shtëpi dhe jashtë orarit të punës. Pavarësisht se ai bën të ditur se nuk mori pjesë në aktivitet, por u gjend mes qytetarëve që po ndiqnin atë, masat u morën me largimin nga puna. Cemurati ka nisur të drejtën e tij ligjore për t’u ankuar në Gjykatë, ku e cilësoi si të papranueshëm faktin që të pushohet në këtë mënyrë. “Arsyet janë tërësisht politike”, – tha ai.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency