Ngrihet komisioni hetimor për “drogën”, PS-LSI marrin shumicën dhe kryetarin

0
105

Florenc Drizari

 

 Felaj dhe Bylykbashi kryesojnë komisionin hetimor, Spartak Braho voton kundër

berisha parlament Komision hetimor për hetimin e akuzave mbi implikimin e forcave të armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme – transportin e lëndëve narkotike, pritet të zhvilloi mesditën e së premtes mbledhjen e parë. Gjatë seancës së djeshme plenare u miratuan drejtuesit e këtij komisioni. Mazhoranca e majtë do të ketë si shumicën ashtu edhe kryetarin e Komisionit Hetimor Parlamentar, deputeten e PS-së, Ermonela Felaj, ndërkohë që opozita do të përfaqësohet ne nënkryetar Oerd Bylykbashin. Në rend të ditës do të jetë konstituimi dhe përbërja e komisionit, zgjedhja e sekretarit të Komisionit si dhe deklarim nga kryetari i Komisionit për qëllimin e ngritjes së Komisionit, dhe përcaktimi nga ana e tij e detyrave dhe planit paraprak të hetimit.

Përbërja përfundimtare e këtij komisioni u deklarua dje nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Duke folur për një shtesë në krijimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për hetimin e akuzave mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme për transportin e lëndëve narkotike, Meta tha se “është rënë dakord që për funksionimin e këtij komisionit, që zonja Ermonela Felaj, deputete e mazhorancës të jetë kryetare e komisionit dhe deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi të jetë zëvendës kryetar”. Gjatë hedhjes së këtij propozimi për votim, deputetët e mazhorancës dhe të opozitës votuan pro fillimit nga puna, ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, votoi kundër.

Më herët në seancën e kaluar plenare, mazhoranca miratoi me 73 vota pro projektvendim “Për krijimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për hetimin “Mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari kriminale – transportin e lëndëve narkotike”. Edhe pse parimisht pati konsensus pozitë-opozitë lidhur me objektin e çështjes, palët nuk gjetën konsensus për amendamentet e opozitës. Gjithashtu mbledhjen e 24 prillit, Kuvendi miratoi edhe emrat e anëtarëve të komisionit, ku nga PS-ja do të jenë deputetët Ermonela Felaj, Kryetare, Arben Çuko, Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia, Silva Caka nga LSI, ndërsa nga opozita, deputetët: Oerd Bylykbashi në rolin e nënkryetarit, Gent Strazimiri, Voltana Ademi, Alban Zeneli nga PDIU.

Para ngritjes së këtij komisioni, mes pozitës dhe opozitës ka pasur debate të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë, por jo vetëm, lidhur me akuzat e deputetëve të djathtë për përfshirjen e mundshme të strukturave të FA-së në trafiqet e drogës. Opozita ngriti shqetësimin për përdorimin e mundshëm të disa bazave të ushtrisë për transport të drogës me avionë, ndërkohë që këto akuza u mohuan nga mazhoranca. Pas këtyre debateve reaguan edhe institucione të ndryshme në vend, si Prokuroria e Përgjithshme, e cila kërkoi vënien e provave në dispozicion të organit të akuzës; kreu i SHISH-it, shkresa sekrete e të cilit u bë debat i gjerë publik etj.

 

Përbërja e komisionit hetimor për “drogën”

1. Ermonela Felaj PS
Kryetare
2. Arben Çuko PS
3. Pirro Lutaj PS
4. Xhemal Qefalia PS
5. Silva Caka LSI
6. Oerd Bylykbashi PD
Nënkryetar
7. Gent Strazimiri PD
8. Voltana Ademi PD
9. Alban Zeneli PDIU.

 

Ora 12:00

Komision hetimor për hetimin e akuzave mbi implikimin e forcave të armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme – transportin e lëndëve narkotike:
Në rend të ditës:
– Konstituimi dhe përbërja e komisionit.
– Zgjedhja e sekretarit të Komisionit.
– Deklarim nga kryetari i Komisionit për qëllimin e ngritjes së Komisionit, si dhe përcaktimi nga ana e tij e detyrave të komisionit dhe planit paraprak të hetimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency