Me 8 qershor mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë

0
140

presidentja e kosoves Vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme me 8 qershor e mori presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori vendim që me datën 8 qershor të mbahen zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Kosovë. Këtë vendim presidentja e mori pas shpërbërjes një ditë më parë të parlamentit të Kosovës, i cili kishte disa muaj që ishte jofunksional për shkak se qeveria e Kosovës kishte humbur përkrahjen e shumicës.

“Me vendimin e Kuvendit të Kosovës për shpërndarjen e tij, vendi ka hyrë në një proces të rëndësishëm zgjedhor që do të vendosë edhe të ardhmen demokratike të tij. Bazuar në konsultimet me partitë politikë ne vend dhe me kryetaren e KQZ-së dhe bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe në respektimin të afateve ligjore, kam marrë vendimin për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend me datë 8 qershor”, tha Jahjaga.

Presidentja e Kosovës gjatë një konference për shtyp u bëri thirrje subjekteve politike që të angazhohen për një proces zgjedhore të ndershëm dhe demokratik.

“Që nga ky moment, i bëj thirrje të gjithë spektrit politik të Kosovës për një fushatë zgjedhore të dinjitetshme dhe të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim, që të marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, për të siguruar një proces të drejtë, sepse këto zgjedhje shënojnë një test të rëndësishëm të zhvillimit të demokracisë sonë të brendshme”, tha presidentja Jahjaga.

Presidentja tha se do të kërkojë nga komuniteti ndërkombëtar që të vëzhgojnë zgjedhjet në Kosovë.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të dëshmojnë gatishmërinë tonë për të garantuar votën e lirë të qytetarit të Kosovës. Këto zgjedhje duhet të vëzhgohen nga afër për të garantuar një proces të rregullt. Në ditët në vijim do të kërkoj edhe nga Bashkimi Evropian që të dërgoj një mision vëzhgues që të përcjellë nga afër zhvillimet në procesin e zgjedhjeve të parakohshme në vend”.

Ndërkohë, Kryetarja e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se KQZ është e gatshme për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme, megjithë kohën e shkurtër që ka përpara deri me 8 qershor.

“Këto zgjedhje do të mbahen sipas ligjit të vjetër. Meqenëse të gjitha afatet do të jenë më të shkurta edhe fushata do të jetë më e shkurtër. Natyrisht që koha e shkurtë është sfiduese për KQZ, mirëpo, me ndihmën e institucioneve të tjera me të cilat kemi bashkëpunim do të kemi mundësi që të organizojmë zgjedhje fer të lira dhe demokratike”, thotë kryetarja e KQZ-ve, Valdete Daka.

Sidoqoftë, edhe kësaj radhe zgjedhjet në Kosovë do të mbahen me ligjin e vjetër, pasi që megjithë reformën e filluar të ligjit për zgjedhjet tash e disa muaj, udhëheqësit e subjekteve politike nuk arritën pajtueshmëri të plotë që kjo legjislaturë ta bëjë ligjin e ri për zgjedhjet.

Qysh në vitin 2011 ka një rekomandim nga Komisioni Evropian i cili kërkon reformë zgjedhore në Kosovë. Blerim Burjani, ish anëtar i KQZ-ve, në një intervistë të mëhershme me DW, tha se nuk ka pasur vullnet politik që të ndodhin reforma megjithë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare.

“Kemi parë që partitë politike nuk janë të interesuara që të ketë reformë adekuate ligjore për zgjedhjet, nuk janë të interesuar që Kosova të jetë e ndarë në zona dhe përfaqësimi të jetë me i mirë i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës dhe atyre ju konvenon që akoma në Kosovë të jetë vetëm një zonë zgjedhore. Kjo u konvenon sidomos partive te vogla”, thotë Blerim Burjani i cili për disa vite ka qenë anëtar i KQZ-ve.

Kosova edhe në këto zgjedhje vazhdon të jetë një zonë zgjedhore, ndërsa, sistemi do të jetë proporcional me lista të hapura. Kuvendi i Kosovës do të ketë 120 deputetë. 20 ulëse do të jenë të garantuara për pakicat kombëtare, 10 për pjesëtarët e komunitetit serb, ndërsa 10 për pjesëtarët e pakicave tjera kombëtare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency