Vrasja e Dritan Lamajt/Prokuroria, akuza policisë: Po bëhet shkak për zvarritjen e procesit ndaj Frrokut  

0
133

Sonila Mesareja

Prokurori Martini kërkon nga togat e zeza vënien në dijeni të kryepolicit Ardian Çipa

 Reagon i pandehuri, akuza të njëjta me prokurorin për zvarritjen e gjyqit: Po më mbani të sekuestruar

arben frroku Prokuroria lëshon akuza të forta kundër policisë në gjyqin kundër Arben Frrokut, ku po gjykohet si i akuzuar personi që dyshohet se vrau kolegun e tyre. Në seancën e djeshme, prokurori Anton Martini akuzon efektivët e komisariatit nr. 2 se nuk po gjen dhe shoqëron dëshmitarët e akuzës, madje nuk u ka çuar fletëthirrjet për t’i njoftuar ata. Sipas prokurorit, ata po shkelin ligjin duke mos njoftuar dëshmitarët, çka ka sjellë dje edhe shtyrjen e seancës për mungesë të pesë dëshmitarëve të thirrur. Për pesë nga dëshmitarët, shënimi nga komisariati i policisë nr. 2, shpjegoi prokurori, është “nuk banojnë në territorin tonë por në atë të komisariatit të Kombinatit”. Madje, prokurori shkoi më tej në kërkesën e tij, duke kërkuar nga togat e zeza të vihet në dijeni me shkresë zyrtare kryepolici i Tiranës, z. Ardian Çipa lidhur me këtë komisariat, pasi kjo shkelje po bëhet shkak për zvarritjen e procesit gjyqësor. Pas prokurorit ka reaguar edhe vetë i pandehuri, i cili ka qenë gati në të njëjtën linjë me përfaqësuesin e akuzës, duke deklaruar se shtyrja e seancave është e pakuptimtë, ai po mbahet i sekuestruar në burg dhe afatet shtyhen çdo javë. “Kjo është seanca e tetë, afatet shtyhen kot. Kemi 3 muaj dhe kemi bërë vetëm 10 orë gjyq dhe unë mbahem i sekuestruar këtu”, – u shpreh Arben Frroku në seancë. Pas këtyre momenteve dhe dëgjimit të dy dëshmive, seanca e radhës u caktua për më 15 maj dhe kreu i Policisë së Tiranës u njoftua me shkresë zyrtare për mosnjoftimin e dëshmitarëve nga komisariatet që ka në varësi.

 

Dëshmitë

Në seancën e djeshme ishte planifikuar të dëgjoheshin 7 dëshmitarë, pesë prej të cilëve nuk ishin lajmëruar. Gjyqi vazhdoi vetëm me 2 dëshmitarë kushërinj mes tyre, përkatësisht Roland dhe Kristian Marinaj. Njëri prej tyre, ishte shoqëruar në polici nga viktima dhe pretendoi para gjykatës, se i ndjeri Lamaj, kishte probleme edhe me persona të tjerë, në zonën e Kombinatit dhe jo vetëm me të pandehurin Frroku. Lidhur me pyetjen e togave të zeza nëse kishte apo njohje me të pandehurin, dëshmitari Marinaj ka deklaruar se Arben Frrokun e njeh sepse janë nga e njëjta zonë, kurse me Dritan Lamajn nuk kishte pasur njohuri. “Arben Frrokun e njoh pasi jemi nga e njëjta zonë, ndërsa me Dritan Lamajn nuk kam pasur njohje. Di që ish-komisari i policisë Dritan Lamaj ka pasur problem me shumë biznese”, – ka deklaruar dëshmitari Roland Marinaj. Dëshmitari tjetër ishte Kristjan Marinaj. Ai i tha gjykatës se kryekomisarin Lamaj e ka njohur kur e ka shoqëruar në polici dhe se sherri mes tij e Frrokut ka qenë publik. “Dritan Lamajn e kam njohur, pasi më ka shoqëruar në polici. Sherri mes Frrokut dhe Lamajt ka qenë publik”, – tha ai. Ndërkohë që në procesin ndaj biznesmenit pritet të pyeten gjithsej 105 dëshmitarë të kërkuar nga prokuroria dhe dhjetëra të tjerë të kërkuar nga mbrojtja, mes të cilëve kanë qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit Dritan Lamaj dhe motra e tij.

 

 Ministria e Drejtësisë, KLD-së/ Nisni procedurën e shkarkimit për çiftin e gjyqtarëve Dhima-Çela   

Fshehja e pasurisë rrezikon t’u kushtojë përfundim të karrierës në gjyqësor një çifti gjyqtarësh, Ken Dhima dhe Klorinda Çela. Sipas ILDKP-së, ata deklaruan të dhëna të rreme për pasurinë, duke e fshehur atë dhe deklaruar të dhëna të rreme dhe për këtë arsye ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, kërkon nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë të nis procedimin për shkarkim nga detyra të dy gjyqtarëve Ken Dhima dhe Klorinda Çela. Në kërkesën drejtuar KLD-së, në argumentet e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë shkruhet se “janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë: Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. Deklarimet e dy gjykatësve i përkasin viteve 2004-2011, ndërsa pak kohë më parë ishte vetë inspektorati i deklarimit dhe kontrollit të pasurive që kërkoi nga organi i akuzës të nis procedim për fshehje pasurie për këta gjykatës. Gjyqtari Ken Dhima, sipas ILDKP-së, ka mashtruar për llogaritë e transaksionet bankare, ka dhënë deklarime të rreme për huamarrje, dhurata apo shlyerje këstesh për apartamente me vlerë 5 820 000 lekë dhe 214 300. Ndërkaq, e njëjta gjë ka rezultuar edhe pas kontrollit të dokumentacionit për gjyqtaren Klorinda Çela, e cila është gruaja e Dhimës.

 

Korçë/ Apeli ndryshon masën për gjyqtarin Pojanaku, nuk përbën rrezik

 Gjykata e Apelit ka ndryshuar dje masën e arrestit për gjyqtarin e Pogradecit, Dhimitër Pojanku, me argumentin se nuk përbën rrezik dhe mund të qëndrojë në banesë deri në përfundim të hetimit të çështjes. Ata kanë caktuar masën “Arrest shtëpie”, duke liruar nga qelitë e burgut të Drenovës gjyqtarin e akuzuar për korrupsion. Menjëherë pas vendimit të Shkallës së Parë, mbrojtja ka apeluar vendimin e tyre për lënien në burg të gjyqtarit Pojanaku, me argumentin se nuk përbën rrezik dhe se nuk mund të rrijë në të njëjtat ambiente me personat që ka dënuar. Pas kërkesës së mbrojtjes për të caktuar një masë më të lehtë sigurie, Prokuroria ka kontestuar zhvillimin e kësaj seance me argumentin se nuk është më në kompetencat e kësaj gjykate, pasi çështja i ka kaluar Krimeve të Rënda. Treshja e gjyqtarëve ka rrëzuar pretendimin e akuzës, duke vijuar normalisht seancën ​dhe duke liruar gjyqtarin Pojanaku, pasi ky i fundit nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, por edhe për shkak të profesionit të ushtruar prej tij për vite me radhë. Gjyqtari Dhimitër Pojanaku u arrestua në kushtet e flagrancës teksa ishte duke marrë një sasi lekësh nga një qytetare për mbylljen e një çështjeje. Ai u akuzua për marrjen e 500 mijë lekëve në këmbim të heqjes dorë nga një çështje civile.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency