Reforma  në arsim/ Si do të bëhet financimi i universiteteve, 3 grantet e parashikuara  

0
188

Driçim Çaka

60-70% e gjithë financimit shtetëror në arsimin e lartë, për grantin e mësimdhënies

 Kërkimi shkencor dhe inovacion-zhvillimi, 30-40% të financimit

upt Pamundësia e shtetit/buxhetit për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore, kërkon ndryshimin e sistemit tonë universitar. Ky është përcaktimi që jep drafti për reformën në arsimin e lartë lidhur me financimin e universiteteve publike dhe private. Aktualisht, buxheti i shtetit ka në dispozicion rreth 38 milionë euro për të mbështetur mbi 126.000 studentë në universitetet shtetërore (kësaj shifre mund t’i shtohen edhe afërsisht 20 milionë euro të tjera nga të ardhurat dytësore të siguruara nga vetë universitetet), afërsisht 460 euro për student në sektorin shtetëror. Sektori privat me rreth 34.500 studentë e ka çmimin rreth 1000-1500 euro/student ose rreth 31-35 milionë euro plus, duke operuar në shifrat 900-1000 euro/student. Për skemën e financimin Komisioni i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor ka parashikuar tri grante.

 

Granti i inovacionit/zhvillimit

Ky grant që është shumë i rëndësishëm në periudhën afatgjatë për vendin është i hapur për të gjithë IAL-të publike. Qeveria në bazë të politikave të saj përcakton prioritetet për këtë grant dhe e shpërndan atë mbi bazën e aplikimit (për idetë e reja) apo të prioriteteve strategjike të zhvillimit të vendit. Qeveria përcakton prioritetet dhe termat e shpërndarjes së këtij granti (guidelines). Gjithashtu, qeveria përcakton edhe mënyrën e shpërndarjen dhe formën e aplikimit. Granti nuk duhet të jetë më shumë se 10% e shumës së financimit shtetëror për universitetet publike, por kjo mund të ndryshojë në bazë të prioriteteve të çdo qeverie. Detyra e shpërndarjes së këtij granti i takon Agjencisë Kombëtare të Financimit mbi bazën e prioriteteve të qeverisë dhe inovacionit të universiteteve të ndryshme

 

Granti i punës kërkimore-shkencore

Ky grant shumë i rëndësishëm për të stimuluar punën kërkimore shkencore dhe deri diku i munguar në sistem, ka dy pjesë: Pjesa e logjistikës kërkimore-shkencore që shteti e financon vetëm tek universitetet publike. Shpërndarja e fondeve bëhet nga AKF mbi bazë merite/rankimi. Pjesa e punës se mirëfilltë shkencore (përfshi doktoratat), ku përfitojnë si IAL-të publike dhe ato jo-publike. Shpërndarja e fondeve bëhet nga AKKSH mbi bazë merite/aplikimi. Pjesa e parë e grantit ajo e logjistikes bazohet mbi standardet e pedagogeve, mbi botimet e artikujve dhe librave sipas fushave/specialiteteve. Ajo varet nga madhësia e universiteteve dhe u jepet vetëm institucioneve të arsimit të lartë publik. Në ketë vlerësim është shumë i rëndësishëm faktori i impaktit të revistës, si dhe citimet e bëra për çdo botim, konferencat ndërkombëtare dhe aktivitetet e tjera shkencore të organizuara nga çdo departament. Të rëndësishme janë gjithashtu impakti që ka puna shkencore e çdo departamenti në a) Shkencë dhe b) Shoqëri (politika). Ky grant duhet të jetë në total në masën 30% të gjithë financimit shtetëror në arsimin e lartë. Sidoqoftë pjesa fikse e tij që u jepet vetëm institucioneve publike nuk duhet të jetë më shumë se 10%. Pjesa tjetër duhet të shpërndahet nga AKKSH për të gjithë IAL-të, publik dhe jopublike në formën e aplikimit.

 

Granti i mësimdhënies

Ky grant që në fazën e parë të reformimit të arsimit të lartë jepet vetëm për universitetet publike, jepet edhe për studentin (pra llogaritet për student), por jepet si një shume totale për çdo IAL. Ky grant shpërndahet nga AKF. Formula llogaritet mbi numrin e studenteve të një viti përpara se të pranohet në çdo IAL, mbi treguesit e rëndësishëm të raportit student/pedagog, numrin e diplomave të njohura ndërkombëtarisht dhe logjistikën e vlerësuar të mësimdhënies. Në këtë grant shteti duhet të ketë parasysh dy grupe te rëndësishme studentesh, ata të ekselencës, dhe ata që e kanë të pamundur financiarisht shkollimin. Në të dyja rastet shteti financon studentin. Është e rëndësishme të theksohet se bursat e ekselencës jepen për studentin dhe ky/kjo mund t’i marrë ato si në universitetet publike apo jopublike sipas zgjedhjes. Komisioni sugjeron që studentët e ekselencës duhet të kenë një mesatare mbi 9.5 të maturës shtetërore. Ky grant gjithmonë është më i rëndësishmi në investimin shtetëror në arsim, dhe si detyrim ligjor i shtetit. Ai përbën 60-70% të të gjithë financimit shtetëror në arsimin e lartë në vend.

 

Ku do të gjenden lekët

-Financimi direkt nga shteti (në formë granti)

-Të ardhurat si aktivitet ekonomikfitimprurës. Universitetet publike duhet të krijojnë të ardhura nga produktet e tyre akademike dhe infrastrukturore, puna shkencore, patentat, botimet,

përdorimi i laboratorëve e të tjera.

-Donacionet e ndryshme. Kjo formë deri më sot nuk njihet në sektorin publik dhe si e tillë duhet të rregullohet me ligj për të ardhmen.

-Kontributi i biznesit dhe autoriteteve lokale. Një nga problemet e arsimit të lartë tek ne është dhe mos lidhja e tij me tregun e punës. Orientimi në të ardhmen i arsimit të lartë duhet të bëhet drejt tregut ë punës. Në këtë këndvështrim edhe biznesi lokal dhe qeverisja vendore mund të jenë kontribuues në financimin e arsimit të lartë rajonal.

-Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të universiteteve publike. Në të ardhmen komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të këtyre tarifave në buxhetin e ILA-ve. Shteti është i detyruar të vendosë një tarifë tavan, bazuar mbi studimet e detajuara te tregut mbi bazën e mundësisë së çdo familjeje për të përballuar të ardhurat e arsimimit të lartë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency