Procesi/ Koleksionisti Thimo, akuza në gjyq: Më burgosën se donin ikonën e Onufrit  

0
138

Sonila Mesareja

Shpërthen i pandehuri në seancë, rrëfen personat që i ngritën “kurthin” e arrestimit. Hedh akuza për vjedhje të koleksionit të tij

ikonat e sekuestruara Me statusin e të pandehurit për vjedhje ikonash, ka shpërthyer dje në gjyq koleksionisti Gjergji Thimo. Ai ka akuzuar një deputet dhe kreun e qeverisë për organizimin e arrestimit të tij. Madje, jep edhe versionin e tij për arsyet e këtij arrestimi. “Nuk i dhashë deputetit Koço Kokëdhima ikonën e Onufrit që t’ia jepte Kryeministrit Rama, pasi ky i fundit donte t’ia bënte dhuratë ish-kryeministrit britanik Tony Blair”, – dëshmon në gjyq koleksionisti i pandehur, ndërsa jep hollësi rreth akuzave ndaj tij. Ndërkohë, shton akuzat ndaj tyre dhe policisë së drejtuar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke u shprehur: “Ekspozimi i disa prej veprave të artit që unë disponoja me leje, ishte një show mediatik i ministrit dhe Kryeministrit”. Madje, të njëjtat akuza koleksionisti i ka lëshuar edhe kur u arrestua dhe u caktua ndaj tij masa e arrestit, ndërkohë që shpesh u bënë edhe nga familjarët e tij në atë kohë. Dy të pandehurit Thimo dhe Spaho përmes avokatëve kërkuan që ndaj tyre të aplikohet gjykimi i shkurtuar, kërkesë kjo që u pranua nga trupi gjykues. Pa dy javësh pritet që prokurori i çështjes të paraqesë konkluzionet përfundimtare dhe më pas të jetë mbrojtja ajo që do të thotë fjalën e saj para se Gjykata të japë verdiktin përfundimtar.

 

Dëshmia

Koleksionisti Gjergji Thimo, i pandehur në Gjykatën e Tiranës, pasi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim të disa veprave të artit, lëshon akuza të rënda nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit. Ai deklaroi se Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Koço Kokëdhima, i njohur si njeri i afërt me Ramën, janë urdhërdhënësit e arrestimit të tij dhe vjedhjes së rreth 3000 veprave të artit. Ky arrestim, sipas Thimos, erdhi vetëm 2 javë pasi i kishte refuzuar Kokëdhimës kërkesën për t’ia dhuruar shefit të qeverisë ikonën e Onufrit që vlen rreth 1 milion euro, objekt që Rama do t’ia dhuronte ish-kryeministrit Tony Blair. I pandehuri Thimo pretendoi para Gjykatës se ia kishte dorëzuar mesazhet telefonike, të shkëmbyera me deputetin Kokëdhima, organit të akuzës, por Prokuroria, sipas tij, ka fshehur provat dhe ka kryer hetim të paplotë. Gjithashtu, i pandehuri sqaroi për togat e zeza se deputeti Kokëdhima e ka kërcënuar, duke e paralajmëruar se do të gjente një rrugë tjetër për t’i marrë objektet që kërkonte dhe, sipas tij, deputeti tashmë i ka përvetësuar ato. Para gjyqtarëve, i pandehuri nuk hezitoi të rendiste rreth 3000 vepra e objekte të ndryshme me vlerë miliona euro, që, sipas tij, i janë sekuestruar në banesë dhe nuk figurojnë në asnjë procesverbal të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, kjo e fundit, që nga momenti i arrestimit të Gjergji Thimos dhe Arben Spahos, disa herë ka publikuar shifra të ndryshme të objekteve të sekuestruara në banesën e Thimos. Por, ky nuk ishte i vetmi moment i akuzave të të pandehurit, pasi një tjetër ishte ekspozimi i veprave të tij të artit te Galeria, një ditë pas arrestimit të tij. Ai ka akuzuar Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Tahiri se kanë bërë show mediatik dhe kanë njollosur emrin e tij. I pandehuri jo vetëm që nuk pranon akuzën, por gjatë gjithë kohës ka hedhur dyshime për Prokurorinë se ka kryer hetime të paplota. Ai kërkoi drejtësi nga Gjykata, duke pretenduar se është një i arrestuar politik nga pushteti aktual, pasi ky i fundit kishte si qëllim vjedhjen e veprave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore që ai zotëronte.

 

Apel/ Lihet në fuqi vendimi i pafajësisë për Shemsie Kadrinë

 Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e pafajësisë për Shemsie Kadrinë, e njohur si një nga boset e skemave piramidale. Trupa gjyqësore ka lënë në fuqi vendimin e kolegëve të Shkallës së Parë, ndërkohë që Prokuroria ankimoi këtë vendim, pasi e akuzon Kadrinë se u ka marrë me mashtrim 20 milionë lekë të reja 2 personave, të cilëve u kishte premtuar në këmbim të parave, disa apartamente. E, në fakt, ngjarjet e mashtrimit nuk kanë të bëjnë me vitin 1997, kur për shkak të firmave piramidale vendi u përfshi nga rrëmujat. Bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2009, ku pavarësisht mashtrimit me firmën piramidale, të tjerë njerëz i kanë besuar Shemsie Kadrisë shuma parash. Në pamundësi për t’i marrë apartamentet e premtuara, për të cilat kishin paguar, gratë iu drejtuan policisë me një kallëzim. Por, në sallën e gjyqit, pavarësisht akuzave të bëra gjatë hetimit, ato deklaruan se apartamentet i morën nga një firmë ndërtimi e kontraktuar nga e pandehura. Duke qenë se ky konflikt ishte zgjidhur, nisur edhe nga dëshmitë e dy grave, gjykata e shpalli të pafajshme bosen e fajdeve, edhe pse prokurori Gjergji Takoi kërkoi dënimin e boses së Gjallicës me 12 vite burg. Por, prokurori nuk ka qenë dakord me vendimin e gjykatës, duke ankimuar atë. Por, dje edhe Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të njëjtin vendim të dhënë nga kolegët e Shkallës së Parë. Para gjykatës, prokurori i çështjes shpjegoi se kanë qenë të dëmtuarat Esma Kapllani dhe Firdes Sulkollari që kanë vënë në lëvizje organin e akuzës së kryeqytetit. Gjatë kallëzimit të tyre, këto shtetase shpjegojnë se gjatë vitit 2008 janë njohur me të pandehurën, e cila ka qenë e shoqëruar me të ndjerën Violeta Qalliu. Dy të dëmtuarat kanë marrë oferta për të blerë apartamente në një pallat që do ndërtohej në zonën e Shkozës nga shoqëria “A and E ALBTUR”. Për të realizuar këto blerje, gratë kanë paguar, Kapllani 21.5 milionë lekë dhe Sulkollari 22.9 milionë lekë dhe 2 700 dollarë amerikanë. Të dy grave u është lëshuar mandat nga Shemsie Kadria që mbajnë data e 7 qershorit dhe 28 tetorit të vitit 2008. Madje, sipas dy të dëmtuarave, këto mandate janë nënshkruar edhe nga e ndjera Qalliu në funksionin e financieres. Por, me kalimin e kohës, gratë nuk morën as apartamentet dhe as paratë dhe për këtë arsye iu drejtuan Prokurorisë. Shemsie Kadria dhe e ndjera Violeta Qalliu kanë kryer në bashkëpunim veprën penale të “mashtrimit më shumë se një herë me pasoja të rënda, në bashkëpunim”. E dëmtuara e tretë është Flutura Kambolli. Shemsie Kadria ka hyrë në kontakt me këtë shtetase, duke i kërkuara para në këmbim të një apartamenti dhe më pas me premtimin se do ia kthejë me fajde. E dëmtuara ja ka dhënë paratë dhe nuk i janë kthyer as paratë dhe as ka përfituar ndonjë interes prej tyre. Edhe kësaj të dëmtuare, e pandehura i ka thënë se paratë i duheshin për nipin e saj pronar i shoqërisë “A and E ALBTUR”, me të cilët u vërtetua gjatë hetimit se nuk kishte asnjë lidhje profesionale, por që Kadria ishte realisht tezja e Artan Shllakut, pronarit të kësaj shoqërie. Por, sipas prokurorit, dy gratë e para të dëmtuara Kapllani dhe Sulkollari kanë ndryshuar qëndrim gjatë gjykimit, duke u shprehur se apartamenti u është dhënë dhe i janë shoqërisë së ndërtimit 1 milionë lekë borxh. Ky apartament u është dhënë dy grave nga kompania “Kotorri S.L”. Ndërkohë që dy gratë kanë marrë apartamentin, e dëmtuara e tretë Flutura Kambolli nuk ka marrë as paratë, as interesat dhe as ndonjë apartament në këmbim të kësaj shume.

 

Prokuroria/ Vrau tregtarin, kërkohet burg përjetë për Jashar Metën

Prokuroria e Tiranës kërkoi dje burgim të përjetshëm për një të akuzuar për vrasje dhe grabitje. Bëhet fjalë për të pandehurin Jashar Meta, i cili akuzohet se më 23 gusht të vitit 2012, qëlloi për vdekje tregtarin Petrit Kurti gjatë përpjekjes për ta grabitur në biznesin e tij në Yzberisht. Pretenca e akuzës është dhënë dje në Gjykatën e Tiranës, pasi Meta akuzohet për “Vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtjen pa leje”. Kërkesa e prokurorit ka ardhur pas 13 seancash gjyqësore, ndërkohë që më 21 maj është caktuar seanca e radhës, ku pritet që mbrojtja dhe vetë i pandehuri të thonë fjalën e fundit. Gjyqi ka vijuar me procedurë të zakonshme, ndërsa në seancat e zhvilluara janë thirrur ekspertë dhe dëshmitarë të shumtë, të cilët kanë dëshmuar provat që mbërthyen të pandehurin. Në kohën kur ndodhi vrasja, tregtari ka qenë edhe me gruan në dyqan, ndërkohë që çdo veprim i tij u filmua nga kamerat e dyqanit. Më pas, policia kërkoi edhe ndihmën e medias duke publikuar pamje të vjedhjes dhe duke afruar imazhin e autorit, çka solli në identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency