Paraqiten në Kuvend/ Zbardhen tri amendamentet e opozitës: Të shkruhet në ligj se legalizimet janë falas

0
141

Gëzim Saliu

Halimi: Të shkruhet në ligj se ndërtimet pas 2009-ës do legalizohen deri ditën kur ligji do hyjë në fuqi. Të legalizohen edhe banesat nën 5 kate që janë ndërtuar në zonat me studim urbanistik

halimiPartia Demokratike ka përgatitur tre amendamente për ligjin e ri të legalizimeve që do t’ia paraqesë qeverisë dhe mazhorancës në parlament. Në qendër të propozimeve të opozitës qëndron kërkesa që në ligjin e ri të përfshihen nenet të cilat do të bëjnë të mundur legalizimin falas, që banesat e ndërtuara pas 2009-ës të legalizohen deri ditën që do të hyjë në fuqi ligji si edhe ndryshime të tjera që mbështesin interesat e qytetarëve lidhur me investimet e tyre që rrezikohen nga vendimi i qeverisë. Amendamentet e opozitës u bënë publike dje nga nënkryetari i PD-së Eduard Halimi në takimin me banorët e zonave informale, ku ligjvënësi demokrat theksoi rëndësinë e mbajtjes së premtimeve nga mazhoranca për legalizim falas. Amendamenti i parë i prezantuar ishte ai që në ligjin e ri të shkruhet që legalizimi i të gjitha banesave do të jetë falas. “Për të gjithë ne falas në shqip do të thotë pa lek, pa kundërshpërblim. Ju keni dëgjuar që kryeministri ju thotë që unë do jua jap falas, por në 26 nene të këtij ligji nuk flitet për legalizim falas. Rama thotë se nëse unë ua jap tarifën falas për mua do të thotë që legalizimi është falas. Ne kemi paraqitur një amendament që të shkruhet një ligj i cili thotë; “legalizimi i të gjitha banesave të jetë falas”. Rama thotë se në rast se nuk ke para për ti paguar ato lekë unë do të jap një tapi që është fala por që lekët do mi japësh qindarkë për qindarkë se nuk mund ta shesësh shtëpinë. Ç’do legalizim të jetë falas”, – u shpreh Halimi.

 

Amendamentet

Amendamenti i dytë që Partia Demokratike do të paraqesë në Kuvend lidhur me ligjin e ri të legalizimeve ka të bëjë me një nen të ligjit ku thuhet se të gjitha ndërtimet e realizuar mbas 15 janarit 2009 ose të atyre që nuk kanë aplikuar do të prishen nga INUK. Lidhur me këtë pikë, PD ka kërkuar që të shtohet në ligj fjali sipas së cilës, “të gjitha ndërtimet që janë realizuar deri ditën që ligji do të hyjë në fuqi do të legalizohen dhe asnjë prej tyre nuk do të shembet”. “Amendamenti i dytë ka të bëjë me një çështje po aq të mprehtë në këtë ligj thotë në nenin një që të gjitha ndërtimet e realizuar mbas 15 janarit 2009 ose të atyre që nuk kanë aplikuar do të prishen nga INUK-u. Të gjithë e dimë INUK prish me tritol. Kështu të gjithë emigrantët që nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë me këtë projektligj thuhet që do u prishen banesat. Ne kemi kërkuar që të gjitha nderimet që janë realizuar deri ditën që do hyjë në fuqi ligji do të legalizohen dhe nuk do të prishet asnjë”, – sqaroi Halimi. Ndërkohë amendamenti i tretë i opozitës kërkon që të legalizohen edhe banesat nën 5 kate që janë ndërtuar në zonat me studim urbanistik. “Po në këtë ligj thotë se të gjitha ndërtesat që janë nën pesë kate në zona me studim urbanistik nuk do të legalizohen por do të prishen. Kjo bëhet që qeveria ti bëjë presion pronarit që të bjerë dakord me pronarin e një firmë mbrapa të cilit mund të qëndrojë Rama apo Lamja që në atë vend do të ndërtojmë një pallat”, theksoi deputeti demokrat.

 

 Me drejtorin e Zgjerimit të KE-së

Basha: Rritje të paligjshmërisë, shqetësim krimi, korrupsioni dhe ekonomia

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje drejtorin për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Jean-Eric Paquet, në një takim që u përqendrua në zhvillimet më të fundit në vend. Në këtë takim, kreu i opozitës njohu zyrtarin e lartë te KE-së me shqetësimet e opozitës për kapjen e institucioneve të pavarura dhe goditjen e sistemit kushtetues të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, si në rastin e ndryshimeve të paligjshme të ligjit për ILDKP-në, edhe në rastin më të fundit të ndërprerjes së paligjshme të mandatit të kryetarit të AMA-s. “Nuk ka asnjë reflektim pozitiv nga mazhoranca për kërkesat e opozitës për transparencë dhe kontroll parlamentar të ekzekutivit, dhe se qeveria vazhdon të veprojë në shkelje të ligjit dhe të vendimeve të gjykatave si në rastin e largimeve të paligjshme nga puna ashtu edhe në shkatërrimin e pronave të qytetarëve shqiptarë dhe shkelje të tjera të të drejtave ligjore e kushtetuese të tyre”, – i bëri të ditur Basha, drejtorit për zgjerimin në KE. Po ashtu kreu i demokratëve tha se situata e rendit dhe shumëfishimi i sasisë së drogës transit apo të prodhuar në Shqipëri, drejt Italisë dhe Greqisë, është shumë shqetësuese për opozitën. “Ky lloj përkeqësimi i treguesve të rendit, vjen si pasojë e paligjshmërisë në shkarkimin e profesionistëve dhe në emërimin e personave me histori të dyshimtë për lidhjet e tyre me grupet kriminale apo me një të kaluar kriminale si në polici ashtu edhe në poste të tjera drejtuese të administratës publike”, – deklaroi Basha. Nga ana tjetër, ai e njohu gjithashtu zyrtarin e lartë të Komisionit Evropian me shqetësimin e opozitës për rënien e mbledhjes së të ardhurave në krahasim me parashikimet e vetë qeverisë, dhe rritjen e indikatorëve për korrupsion, duke sjellë si shembull tenderimin me prokurim të drejtpërdrejtë në 90% të rasteve të evidentuara nga opozita. Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike shprehu dhe një herë mbështetjen e pakushtëzuar të opozitës për marrjen e statusit të vendit kandidat bazuar në rekomandimet pozitive të Komisionit Evropian dhe plotësimin e kritereve të vendosura, ku shprehu vendosmërinë e opozitës për angazhimin e saj së bashku me të gjithë faktorët e tjerë të shoqërisë në mbrojtje të standardeve evropiane të demokracisë dhe shtetit ligjor.

 

Ngjarjet e 5 Majit/ Berisha: Në këmbë për një 20 shkurt të dytë, shfaqjet e Enver Hoxhës s’janë nostalgji

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka reaguar dje ndaj ngjarjeve të ndodhur në ditën e 5 Majit, ku përfaqësues të mazhorancës nderuan me grusht apo edhe u përkulën para portretit të diktatorit Enver Hoxha si edhe lidhur me rastin e Përmetit. Sipas Berishës, ngjarje të tilla nuk kanë të bëjnë as me nostalgji për kohën e regjimit dhe as duhen konsideruar shfaqje periferike. “Klika punisto-mafioze në pushtet shndërroi 5 Majin, ditën e nderimit të të rënëve, në ditën e nderimit të Hitlerit shqiptar të Pasluftës dhe simboleve të tij. Ata që mendojnë se është një nostalgji gabohen, të tjerë që mund ta konsiderojnë shfaqje periferike gabojnë dhe më rëndë. Këto ishin vetëm vazhdim i një qëndrimi të strukturuar mirë nga neobllokmenët me në krye Edvin Kristaq Ramën. E vërteta është se rehabilitimin e Enver Hoxhës e nisi që javën e parë në pushtet kur paraqiti shqiptarëve, si projektet e tij më të para, rindërtimin dhe gjallërimin e vilës së diktatorit dhe piramidës së tij duke dëshmuar se ato ishin projekte dhe preokupime kryesore të tij. Po kështu me 29 nëntor 2013, Rama nderoi të rënët së bashku me portretet e atit të tij shpirtëror Enver Hoxhës në sfond dhe u kujdes që ti shpërndante vetë me Facebook-un e tij”, – shkruante Berisha. Në këtë kontekst, ish-kryeministri bëri thirrje ndaj demokratëve dhe qytetarëve që të ngrihen edhe një herë si në 20 shkurt të vitit 1991 kundër komunizmit. “Demokratë dhe demokrate, Edvin Kristaq Rama po provokon në mënyrën më të ulët, me kultin e atit të tij shpirtëror, rininë shqiptare, qindra e mijëra qytetare që u persekutuan, ekzekutuan, burgosën, internuan nga regjimi i Hitlerit të Pasluftës së Dytë Botërore. Ai po provokon mbarë shqiptarët që përjetuan skllavërinë më të egër hiperkolektiviste hoxhiste. Ai po hakmerret ndaj nesh për 20 shkurtin e vitit 1991. Të gjithë në këmbë t’i rezervojmë atij dhe neobllokmenëve të tij sa me parë 20 shkurtin e dytë! Final! Vdekje Komunizmit!”, – theksoi Berisha.

 

Zgjedhjet dhe analiza/ Preç Zogaj: Revolucioni në PD, vetëm përmes votës

Ish-deputeti dhe publicisti Preç Zogaj deklaron se e vetmja formë e revolucionit në PD është ajo përmes votës dhe zgjedhjeve. Në kundërshti me ata zëra që kërkojnë masa të ashpra, Zogaj tha: “Vota e lirë, pushteti i votës është një revolucion pozitiv, për faktin se vota gabon më pak se sa individi. Lideri u ka detyrim anëtarëve rregullat dhe jo miqësitë”. Ndërkohë, lidhur me kritikat për procesin e zgjedhjeve, Zogaj pohoi për “ABC News” se edhe kundërshtarët duhet të jenë më logjikë kur bëjnë oponencën. “Kur dalin emra të rinj thonë se po spastrohen të vjetrit, kur gjejnë emër deputetësh dhe ish-deputetësh apo themeluesish e qëndrestarësh thonë se Basha po kthen xhaketat e vjetra. Realisht kjo është qesharake”, – pohoi ai. Nga ana tjetër, Zogaj komentoi edhe zgjedhjen e koordinatorëve, ku tha se nuk ka arsye që deputetët e PD-së të ndihen xhelozë për shkak se nuk janë pjesë e procesit. “E para koordinatorët nuk janë ekipi i Bashës, pasi është naive ta mendosh një gjë të tillë. Ata janë anëtarë, ish-deputetë, anëtarë të Këshillit Kombëtar, njerëz të njohur dhe të rinj që janë ngarkuar me një punë që është barrë”, – deklaroi Preç Zogaj.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency