Ekonomia në ngërç/ Në rënie kredia për ndërmarrjet  

0
102

creditTremujori i parë i këtij viti nuk ka sjellë përmirësime në kreditimin e ndërmarrjeve, përkundrazi, rezultatet janë sërish në rënie.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia totale për biznesin në fund të marsit ishte 391 miliardë lekë, tre miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit 2013. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, totali i kredisë është akoma më i ulët, me 12 miliardë lekë më pak. Sektorët më të kredituar në vitet e fundit, si tregtia, ndërtimi dhe hoteleri-turizmi paraqiten të gjitha në rënie.

Kredia për tregtinë është tkurrur me pesë miliardë lekë, duke zbritur pranë vlerës së 133 miliardë lekëve, ndërsa kredia për ndërtimin ka rënë me pothuajse 10 miliardë lekë, për një vlerë totale prej 53 miliardë lekësh. Në një mjedis ekonomik pesimist, bankat nuk kanë arritur të gjejnë sektorë alternativë për të financuar. Sektorët kryesorë prodhues, si bujqësia apo industria përpunuese kanë regjistruar një rritje, por në përmasa të papërfillshme. Kredia për industrinë përpunuese arriti në 57 miliardë, një miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa kredia për bujqësinë vazhdon të ketë përmasa të papërfillshme, me rreth 6 miliardë lekë, megjithëse është në rritje me 500 milionë lekë krahasuar me vitin e kaluar. Kredia për sipërmarrjen përbën mbi 66% të totalit dhe si e tillë ngelet përcaktuese në prirjet e financimit të ekonomisë. As tre muajt e parë të këtij viti nuk sollën zhvillime të rëndësishme pozitive. Biznesi dhe bankat po qëndrojnë në pozicione të kujdesshme, në pritje të ditëve më të mira.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency