Dosja “Gjin Gjoni”/ Transferohet në Prokurorinë e Elbasanit për mosparagjykim procesi hetimor  

0
177

Anxhela Tato

 

Rrëzohet akuza e korrupsionit, nuk ka elemente të veprës penale për delegimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

 Hetimet në Elbasan, pas kallëzimit të ILDKP-së vetëm për akuzën e fshehjes së të dhënave

 gjin gjoniTransferohet në Elbasan hetimi i dosjes ndaj gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni. Vendimi është marrë ditën e djeshme nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, e cika ka deleguar hetimet. Dosja e depozituar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ku pretendohet se gjyqtari dhe anëtari i KLD-së, Gjin Gjoni, ka fshehur pasurinë dhe ka falsifikuar dokumentet, do të hetohet nga Prokuroria e Elbasanit, si prokuroria më afër Prokurorisë së kryeqytetit, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Sipas legjislacionit penal, në rastet e hetimeve të prokurorëve ose gjyqtarëve për të shmangur paragjykimet e procesit hetimet i kalojnë prokurorisë së rrethit më të afërt. Çështja është transferuar në Elbasan për të shmangur konfliktet e mundshme që vijnë si pasoje e njohjeve personale të Gjonit me prokurorët e kryeqytetit, për shkak se ai ka punuar shumë kohë si Gjykatës në Shkallën e Parë në Tiranë. Informacionin për delegimin e dosjes e konfirmoi edhe këshilltari i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. Në kallëzimin e ILKDP-së thuhet se për 18 episode gjyqtari në bashkëpunim edhe me dy noterë ka fshehur pasuritë me vlerën e 1.8 milionë eurove. Ndërkohë, edhe për dy gjyqtarë të tjerë të kallëzuar dy javë më parë nga ILDKP-ja, bashkëshortet Ken Dhima dhe Klorinda Çela po ashtu të denoncuar për fshehje pasurie është regjistruar procedimi penal nga Prokuroria e Durrësit me të njëjtin argument, si prokuroria më e afërt mes Tiranes, ku është gjyqtare Klorinda Çela dhe Vlorës ku është gjyqtar, Ken Dhima.

 

Dosja

Janë dashur vetëm disa ditë që dosja e gjyqtarit Gjin Gjoni të “shfryhet”. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive bëri një denoncim për këtë subjekt, për disa vepra penale, ku renditi fshehjen dhe deklarimin e rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikimit të dokumenteve, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Kallëzimi u verifikua në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm, që për ironi të fatit, drejtohet nga një ish-kryeinspektori i ILDKPKI-së, Adriatik Llalla. Ky i fundit vendosi ta transferonte këtë çështje në Prokurorinë e Tiranës, sërish për verifikime. Por sipas parashikimit të Kodit të Procedurës Penale, hetimet për gjyqtarët ose prokurorët ndërmerren nga prokuroria e rrethit më të afërt. Megjithatë, ajo që vërehet nga kjo procedurë, është se dosja ka filluar të shfryhet, pasi deri më tani, e sigurt është rrëzimi i akuzës së korrupsionit, pasi nëse do të kishte elemente të veprës penale, atëherë verifikimet do të ndiqeshin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Madje, ka të dhëna se nga kallëzimi i Ganajt janë rrëzuar edhe disa akuza të tjera, si ajo e fshehjes së të ardhurave në vitin 2008, pasi janë parashkruar, ndërsa akuzat e tjera do të ballafaqohen me amnistitë e vitit 2012 dhe 2014, pasi mund të jenë të përfshira.

 

 Struktura e policisë/ Organigrama e re shkurton nga detyra 14 ish-zyrtarë të lartë

 Risia, krijimi i strukturës për ankesat e qytetarëve ndaj efektivëve të policisë

 Struktura e re e policisë shkurton nga detyra 14 ish-drejtues, të cilët ishin transferuar në Drejtorinë e Studimeve Strategjike. Në miratimin e organigramës së re të Policisë së Shtetit shkurtohet numri i punonjësve nga 24 në vetëm 10. Nga ky ndryshim rreth 14 ish-drejtues të parë të Policisë së Shtetit pritet të largohen, ku pas marrjes së detyrës nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri të gjithë ish-krerët më të lartë të policisë u transferuan në sektorin e Studimeve Strategjike. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, miratoi strukturën e re të Policisë së Shtetit, e cila është dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Pavarësisht se u deklarua se njësia elitë Shqiponja do të shkrihej së bashku me Gardën e Republikës, këto dy struktura vazhdojnë të mbeten pjesë përbërëse e Policisë së Shtetit, ku mund të ketë ndryshime vetëm në emërtesën e Gardës së Republikës. Mësohet se brenda pak ditësh pritet të fillojë zbatimi i kësaj strukture, ku një nga ndryshimet është dhe rikonceptimi i sektorit të ankesave ndaj efektivëve të policisë. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë bënë me dije se struktura e re prek dhe denoncimet e qytetarëve. Sipas saj, denoncimet janë prioritare, ku pritet një shtim i sporteleve për marrjen e tyre për të rritur kështu dhe efikasitetin e zbardhjes së ngjarjeve në kohë. Një tjetër ndryshim është dhe bashkimi i Repartit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve më atë të Mbrojtjes së Zyrtarëve në një sektor që do të quhet RESI. Ndërkohë, për herë të parë në strukturën e re do të jetë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit që varet nga drejtori i Policisë së Shtetit. Por krahas këtyre ndryshimeve vendimi i ministrit të Brendshëm prek dukshëm sektorin e Studimeve Strategjike, ku priten shkurtime të stafit.

 

Lurë/ Vrau në gjendje të dehur, arrestohet Ilir Rajta

 Një person i akuzuar për vrasjen e një 34-vjeçari dhe plagosjen e një personi tjetër është vënë në pranga nga policia e Mirditës në bashkëpunim me forcat RENEA ditën e djeshme. Policia bën me dije se ka arrestuar shtetasin Ilir Rajta, i shpallur në kërkim pas ngjarjes. Ai u vu në pranga në fshatin Bulshar. Rajta akuzohet se në 30 prill ka vrarë me armë zjarri pas një sherri në gjendje të dehur 34-vjeçarin Shpendi Skana dhe ka plagosur 33-vjeçarit Ndriçim Cuku. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit të viktimës me autorin. Sipas policisë ata u konfliktuan fillimisht brenda një lokali dhe dyshohet se Rajta më pas ka marrë armën në banesë dhe është rikthyer duke qëlluar me dy plumba në gjoks, çka i ka shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme. Konflikti ka nisur për zgjedhjen e kryeplakut të Fushë-Lurës. Ndërkaq 33-vjeçari, Ndriçim Cuku, i cili mbeti i plagosur ka ndërhyrë për të shuar sherrin, por është qëlluar më automatik nga autori. Plumbat e kanë prekur në bark duke i shkaktuar plagë të rënda. Ai mori ndihmën e parë nga mjekët e Lurës dhe më pas u nis me helikopter drejt Tiranës.

 

Koplik/ Përfshihet nga flakët pika e grumbullimit të bimëve mjekësore

 Një pikë e grumbullimit të bimëve mjekësore është përfshirë në flakë për shkaqe ende të pa njohura në Koplik. Ngjarja ka ndodhur dje në hyrje të qytetit. Tri makina zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka të lënduar në njerëz dhe nuk rrezikohen banesat përreth. Policia është njoftuar për rënien e zjarrit nga banorët përreth. Në pikën e grumbullimit të bimëve mjekësore gjendeshin disa ton sherbelë. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për pakujdesi apo zjarrvënie të qëllimshme. Policia ka përjashtuar mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike. Ndërkaq, nga hetimet paraprake dëmi i shkaktuar përllogaritet të shkojë mbi 300 mijë dollarë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency