Superliga dhe Kategoria e Parë ndryshojnë formë. Risia me 10 skuadra  

0
168

Të dyja kampionatet e rëndësishme të futbollit do të ndryshojnë strukturën e tyre

 Superiorja do të përmbajë 10 skuadra dhe midis tyre ekipet gjatë një sezoni do të përballen katër herë

 superligaKampionati i Superligës Shqiptare duket se po shkon drejt fundit. Skënderbeu u shpall kampion dhe Kukësi që e ndjek nga pas, në vendin e dytë, ndërsa për vendin e tretë do të luftojnë deri në fund Teuta dhe Laçi. E vetmja gjë që nuk dihet është emri i skuadrës së fundit që do të shkojë në Kategorinë e Parë dhe që do t’i bashkohet Kastriotit, Lushnjës dhe Bylisit. Katër emra të cilat duket se paraprijnë edhe modelin e ri të kampionatit. Ndërsa sezoni tjetër premton më shumë luftë të ashpër. Ashtu siç është bërë e ditur nga vendimi i Komitetit Ekzekutiv, sezoni i ardhshëm në Kategorinë Superiore do të jetë me 10 skuadra. Kështu, nga kampionati ikin katër skuadra dhe do të ngjiten vetëm dy të parat e Kategorisë së Parë. Përkatësisht, pritet që të ngjiten lart Apolonia dhe Elbasani. Dy skuadra që kanë një histori të gjatë në Superiore dhe kthehen që të përfaqësojnë denjësisht qytetet e tyre. Ndërkaq, në Kategorinë e Parë do të jenë dy grupe me nga 10 skuadra. Kjo të shtojë edhe më shumë konkurrencën, pasi do të jenë përballë skuadra që janë në nivele të përafërta me njëra-tjetrën. Këtë edicion janë 33 javë kampionat, sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore do të jenë plot 36 javë, me skuadrat që do të ndeshen plot 4 herë brenda një sezoni. Ndërkohë, në Kategorinë e Parë do të zhvillohen tri faza me 27 ndeshje, teksa dy të parat e çdo grupi do të kalojnë më tej. Megjithatë struktura përfundimtare e Kategorisë së Parë ende nuk është përcaktuar përfundimisht, pasi ekzistojnë dyshime për mënyrën e ndarjes së dy grupeve. Gjithçka do të vendoset në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv që do të mbahet në përfundim të edicionit, pasi të jetë shpallur edhe fituesi i Kupës së Shqipërisë. Ndërkohë për sa i përket shtimit të numrit të futbollistëve të huaj në fushë, mendohet që numri të qëndrojë i pandryshuar, pra me 4 futbollistë të huaj në të njëjtën kohë në fushën e lojës. Këtij vit pamë një sezon shumë të fortë. Kjo, pasi lufta vazhdoi deri në ndeshjet e fundit për sa i përket kreut dhe pozicioneve të tjera. Ndërkohë që lufta do të jetë më emocionuese për tri ekipe, pasi Vllaznia, Flamurtari dhe Besa do të duhet të marrin maksimumin nga ndeshja e fundit që të kenë një shans për të mbijetuar dhe për sezonin tjetër. Ndërkohë që lufta në sezonin tjetër pritet të jetë edhe më e fortë, duke parë që do të jenë më pak skuadra dhe dueli për kreun apo për të qëndruar në kategori do të jetë edhe më rivalizues. Ndërsa i njëjti efekt do të ndodhë edhe me Kategorinë e Parë, duke parë edhe nivelet në të cilat qëndrojnë skuadrat. Një luftë e ashpër që pritet të përcjellë shumë emocion në edicionin pasardhës. Këto vendime do të bëhen zyrtare pas javës së fundit dhe pas luajtjes së Kupës së Shqipërisë. Këto ndeshje do të mbyllin edicionin e 76-të Kampionatit Kombëtar.

 

Ter Stegen: Zyrtarisht lojtar i Barcelonës

Mark-Andre Ter Stegen ka thënë se ai nuk ka dyshime për vendimin e marrë për t’iu bashkuar Barcelonës. Portieri i Mynshengladbahut ka thënë në një lamtumirë emocionale për klubin e tij në ndeshjen e fundit të tij për këtë sezon se ai ka marrë vendimin e duhur. “Të gjithë e kuptuan kur unë kam qarë. Kam kaluar gjithë jetën në këtë klub dhe do të jetë gjithmonë në zemrën time. Falënderoj klubin, do të jem tifoz për gjithë jetën, por përderisa është një lamtumirë e dhimbshme, nuk pendohem për largimin. Jam 100 për qind i sigurt pse nënshkrova për Barcelonën”, – ka thënë Ter Stegen i cituar nga “El Mundo Deportivo”.

 

Gashi: I lumtur për formën që po kaloj

 Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, flet për momentin më të mirë të karrierës që po kalon aktualisht me skuadrën e Grasshopersit. Me pokerin e golave në sfidën e kësaj fundjave, Gashi konfirmoi formën e mirë që po kalon, duke dhënë sinjale shpresëdhënëse edhe për kombëtaren kuqezi. Në intervistën dhënë për mediat zvicerane, ai u shpreh se ky është ndoshta momenti më i lartë në karrierën e tij, por kjo nuk është një surprizë sepse për të mbërritur në këtë pikë ka punuar shumë. i pyetur nëse ka shënuar edhe herë të tjera 4 gola në karrierën e tij, 25 vjeçari shtoi se nuk e mban mend të ketë prekur rrjetën plot 4 herë brenda një takimi. Në mediat zvicerane, vihet theksi gjithashtu edhe te zhgënjimi që solli vendimi i Gashit për të përfaqësuar Shqipërinë, pasi me 17 golat e shënuar këtë sezon, ai mund të rezultonte një lojtar me peshë për formacionin e Otmar Hicfelfdit. Lojtari i lindur në Zvicër kryeson renditjen e golashënuesve të kampionatit zviceran, duke lënë pas shokun e skuadrës, Kaio, me 12 gola.

 

Sulejmani zgjedh Kosovën

 Kosova do të përfitojë një talent tjetër në kombëtaren e sapokrijuar. Bëhet fjalë për sulmuesin 18-vjeçar të Hanoverit, Valmir Sulejmani, i cili do të bashkohet me skuadrën e Bunjakut për ndeshjen ndaj Turqisë që do të luhet në 21 maj në Mitrovicë dhe ndaj Senegalit në 25 maj. Sulejmani i rritur profesionalisht në Gjermani, debutoi me Hanoverin gjatë sezonit të shkuar, ndërsa numëron disa prezenca edhe me kombëtaren e Gjermanisë U-19. Është vetë talenti që ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me kombëtaren e Kosovës. Gjatë një interviste, ai ka pranuar se dëshira e madhe e familjes së tij ka ndikuar në zgjedhjen e bërë, duke vendosur përfundimisht të braktisë ekipet zinxhir të Gjermanisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency