Trafiku i drogës/ Transferta parash nga Italia në llogarinë e shefit të Antidrogës

0
179

 Anxhela Tato

 

Dyshime se Dritan Zagani ishte i punësuar nga një shtetas italian për spiunimin e operacioneve të bluve

Policia, ka sinjalizime se të arrestuarit kanë trafikuar njerëz në Mal të Zi dhe Italia

shefi i antigroges DRITAN ZAGANIDyshime se drejtori i Antidrogës punonte për llogari të shtetasit italian, të cilit i kalonte informacione për operacionet e policisë. Nga të dhënat e deritanishme të prokurorisë mësohet se Dritan Zagani tërhiqte shpesh herë shuma të dyshimta financiare, të cilat transferoheshin nga shtetasi italian. Kjo sjell dyshime se ai ka qenë i punësuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me italianin. Ndërsa pritet që sot Zagani të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë dhe akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”. Gjashtë personat e arrestuar dje, mes të cilëve edhe Drejtori i Antidrogës së qytetit të Fierit, Dritan Zagani, dyshohen edhe për trafik klandestinësh, krahas dyshimeve të hedhura për trafikun e drogës. Sipas policisë dyshohet se të arrestuarit kanë trafikuar njerëz nga Greqia në Shqipëri, me destinacion drejt Malit të Zi dhe Italisë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e dyshimeve për trafik klandestinësh nga të arrestuarit. Ndërkohë vijojnë kërkimet për kapjen e një tjetër shtetasi të dyshuar si bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale të “Trafikut të narkotikëve” së bashkime 6 të arrestuarit.

 

Hetimet

Shefi i antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Fierit është arrestuar me urdhër të prokurorisë, pasi rezultoi se ishte i lidhur me një grup kriminal që trafikonte tonelata drogë nga Lazarati në drejtim të Italisë. Kanë qenë oficerët e SHKB-së që i komunikuan Dritan Zaganit akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit”, pasi me veprimet e tij u jepte informacion trafikantëve rreth lëvizjeve të agjentëve të policisë në terren.Hetimet që janë udhëhequr nga prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini dhe zv/drejtori i SHKB-së Zamir Shtylla,kanë zbuluar se Dritan Zagani, ka biseduar me një shtetas Italian, duke i dhënë informacione rreth lëvizjeve të policisë dhe organizatorëve të këtij grupi kriminal, të cilët afronin sasitë e ndryshme të drogës,afër bregut të detit,mes Hidrovorit dhe lagunës së Nartës në Vlorë. Pikërisht në këtë pozicion vinte nga Italia një gomone, e cila merrte mallin. Nisur nga kjo situatë, në kohë dhe vende të ndryshme prokuroria ka arrestuar në total 13 persona, ku vetëm në operacionin e së shtunës “Merry Christmas”, janë arrestuar shtetasit Dritan Zagani, Edison Latifaj, Vasil Latifaj, Emiljano Brahimi, Niko Brahimi, Agur Malaj dhe Saimir Shosha. Këta persona kishin zgjedhur për trafikimin e një sasie prej 1 ton drogë mesnatën krishtlindjeve të dhjetorit 2013. Disa prej të arrestuarve si Edison Latifaj dhe Niko Brahimi rezultojnë administratorë lokalesh në Vlorë.

 

 Kodet e përdorura

Nga interpretimi i bisedave telefonike ka rezultuar se personat që janë implikuar në trafikun e drogës, përdornin biseda të koduara. Për vetë kohën e krishtlindjeve, autorët në përgjime kanë përdorur biseda si “…Gëzuar krishtlindjet…Çfarë dhurate keni bërë për miqtë…”, “…Ju kanë ardhur njerëzit nga emigracioni…”, duke nënkuptuar mbërritjen ose jo të gomones nga Italia. Gjatë kryerjes së këtij operacioni, janë sekuestruar 1132 kg drogë, 8 automjete, dy armë kallashnikov, 20 telefona etj.

 

Denoncimi/ Gjenden pas 24 orësh dy vëllezërit e zhdukur, kaluan natën tek shoku

Gjenden pas më shumë se 24 orësh në zonën e “Ali Demit” dy vëllezërit të mitur të moshës 9 dhe 11 vjeç që rezultonin të zhdukur prej mbrëmjes së ditës së djeshme në Shkozë të kryeqytetit. Dy fëmijët, Doris P. dhe Abaz P. 9 dhe 11 vjeç janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe mësohet se natën e kanë kaluar në banesën e një shoku të tyre. Ngjarja u bë alarmante kur u mësua se e ëma e tyre Dallëndysh P., ishte e arrestuar prej një viti për plagosje të rëndë në një tentativë vrasjeje. Fëmijët nuk u kthyen në banesë mbrëmjen e të shtunës dhe janë gjetur nga policia rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të dielës. Sipas policisë fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë deklaruar se natën e kanë kaluar tek disa shokë të tyre. Policia raportoi se ka marrë në pyetje të gjithë personat që mund të kishin dijeni për zhdukjen prej 24 orësh të dy fëmijëve Dorisit dhe Abazit, për sqarimin e plotë të ngjarjes. Dy fëmijët pas arrestimit të mamasë, në një ngjarje të ndodhur në Kamzë në prill të vitit të kaluar, kanë qëndruar me dy gjyshërit nga e ëma, të cilët i kanë mbajtur për 8 muaj derisa babai i tyre u vendos me një banesë me qira pranë, në Shkozë dhe fëmijët qëndronin sa tek i ati tek gjyshërit nga ana e nënës. Pas 24 orëve të zhdukjes së dy fëmijëve të mitur, 9 dhe 11 vjeç, gjyshi i tyre nga nëna në një intervistë tregoi se hera e fundit dy vëllezërit janë parë duke hipur në një autobus të linjës së autobusëve të Uzinës Autotraktor. Familja ishte me origjine nga Dibra dhe si rrëfen gjyshi i fëmijëve për A1 Report , është njoftuar policia për humbjen e tyre pasi orët e para pas largimit te tyre, vëllezërit janë kërkuar tek familjaret e tyre. Gjyshi i tyre, Veizi Mema tregoi se dy djemtë e mitur kishin dalë nga banesa në orët e mëngjesit, rreth orës 09:00 pa asnjë lekë me vete. Kur gjyshërit i kanë kërkuar për të drekuar në orën 16:00, dy vëllezërit nuk janë parë përreth. Në këto momente, Veizi ka nisur t’i kërkoj djemtë nëpër shtëpitë e të afërmve por që nuk janë gjetur dhe më pas ka lajmëruar policinë.

 

Mirditë/ Vrasja e boksierit Levanti, arrestohet pas 1 viti autori

Vihet në pranga të policisë, Kristian Prenga, i shpallur në kërkim për vrasjen e ish-boksierit, Ardian Levanti vitin e kaluar. Prenga 24 vjeç është arrestuar teksa po lëvizte me automjetin e tij tip “BMË X5” në aksin Rrëshen-Kalimash. Policia kishte marrë informacion për lëvizjet e tij dhe ai u prangos pranë fshatit Repsi pa bërë rezistencë. Kristjan Prenga ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranes , pasi akuzohet për vrasjen e ish boksierit Ardian Levanti ngjarje e ndodhur në zonën e unazës së re me 26 prill të vitit 2013 në Tiranë. Policia kishte shpallur në kërkim Prengen menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, ndërsa për kapjen e tij ishin organizuar disa herë operacione policore, por pa dhënë rezultat. Burime të policisë së Mirditës kanë bërë të ditur se 24-vjeçari që prej kohës kur kishte kryer vrasjen kishte qëndruar i fshehur në banesën e tij në fshatin Reps të Mirditës, duke i shpëtuar prangave të policisë. Gjatë marrjes në pyetje në polici është bërë e ditur se ai nuk ka pranuar autorësinë e vrasjes të Ardian Levanit, duke deklaruar se nuk kishte lidhje me të.

 

Tiranë/ Plumba lokalit në Qafë-Kashar, mister autorët

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë ndaj një lokali në Qafë- Kashar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e motiveve të ngjarjes. Ndërsa nuk dihet ende se cili ka qenë objektivi i sulmit të armatosur, pasi në lokal kanë qenë disa persona.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency