Turqia ishte e paaftë, jo djall, në Siri  

0
128

foto per fokusHistoria është përplot me tregime të mëdha të dështuara. Ashtu sikur “axhenda e lirisë” idealiste e George W. Bushit u shkatërrua kur pushtimi i tij i Irakut e prodhoi një vend të përgjakshëm dhe të ndarë, axhenda e lirisë e Kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan – shumë më pak agresive, por me vizion të njëjtë idealist të Lindjes së Mesme – ka ngecur në cekëtinë në Siri, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja “New York Times”.

Idealizmi i zotit Erdogan ishte shtuar me Pranverën Arabe të vitit 2011, kur ranë diktaturat sekulare, duke e hapur rrugën për partitë popullore islamike.

Kryeministri Erdogan besonte se tregimi i tij i suksesshëm në Turqi do të përsëritej në gjithë Lindjen e Mesme.

Por, ankth i vërtetë ishte Siria. Turqia më herët ishte paraqitur si mbështetësi kryesor i opozitës atje, por nuk mundi ta realizonte ëndrrën e Erdoganit për Sirinë demokratike proturke.

Në vend të kësaj, Erdogan “i fitoi” më tepër se 700 mijë refugjatë dhe kërcënime të vazhdueshme si nga regjimi i Sirisë, ashtu edhe nga ekstremistët opozitarë, shkruan “New York Times”. Turqia, sikur shumica e botës perëndimore, bëri kalkulime të gabuara për Sirinë dhe, me gjasë, pa dashur i kontribuoi kaosit.

Por, shtrohet pyetja se a ishte Turqia, po ashtu, keqdashëse, deri në vrasjen e mijëra civilëve të pambrojtur?

Kjo është ajo që aktualisht ka shkruar gazetari i nderuar me shumë çmime, Seymour Hersh, në “The London Review of Books”, ku ai e paraqiti njërën prej teorive konspirative më intriguese kohëve të fundit: se sulmi kimik në lagjen Ghouta të Damaskut, në gusht të vitit 2013, që gjerësisht besohet se ishte punë e regjimit të Sirisë, në të vërtetë ishte orkestruar nga Turqia.

Me fjalë të tjera, krimi i luftës nga i cili u vranë afro 1500 civilë, nuk ishte tjetër monstruozitet i kryer nga Presidenti Bashar al-Assad, por nga Recep Tayyip Erdogan, i cili supozohej se dëshironte të krijonte pretekst për një ndërhyrje ushtarake amerikane në Siri, shkruan “New York Times”.

Ky argument i egër, me gjasë, është pranuar mirë në Damask, Teheran dhe Moskë. Nga ana tjetër, Uashingtoni dhe Ankaraja, pa ekuivoke e kanë hedhur poshtë atë.

Për më tepër, shumë analistë të pavarur të luftës civile në Siri i kanë theksuar të metat në argumentet e zotit Hersh, pjesa më e madhe e të cilave ishte e bazuar në një “ish-zyrtar të inteligjencës” të paemëruar.

Zoti Hersh i ka anashkaluar faktet kryesore të sjelljes së regjimit të Sirisë: pas sulmit kimik në Ghouta, për shembull, forcat e zotit Assad e kanë bombarduar hapësirën me armatim konvencional dhe nuk e kanë lejuar hetimin e ekipit të Kombeve të Bashkuara për katër ditë.

Sa i përket Turqisë, zoti Hersh ka bërë një sërë pretendimesh të egra: inteligjenca kombëtare e Turqisë së pari është dashur ta prodhojë në mënyrë sekrete gazin sarin, ndërsa i gjithë arsenali ushtarak i Turqisë është konvencional dhe në bashkëpunim me NATO-n.

Pastaj, është dashur t’i ketë raketat e prodhuara ruse dhe t’i modifikojë ato të duken si raketa të përdorura nga forcat e armatosura të zotit Assad, më tutje, në mënyrë sekrete ta kontrabandojë një numër të tyre, që janë raketa të gjata dy metra, në hapësirën në Damask të kontrolluar nga regjimi, ku i kanë shkrepur ato në territorin e banuar, qëllimisht duke vrarë qindra njerëz.

Kjo e përshkruan qeverinë e Turqisë, se jo vetëm që nuk ishte shumë efikase, por gjithashtu, shumë mizore, shkruan “New York Times”.

Nuk ka dyshim se zoti Erdogan, gjithnjë e më tepër, po shndërrohet në një lider autoritar në shtëpi. Por, që ai i ka sulmuar civilët sirianë, të cilët ka bërë përpjekje për t’i mbrojtur, është jashtë çdo imagjinate.

Nëse ekziston diçka që e karakterizon politikën e jashtme të Kryeministrit Erdogan, nuk është konspiracioni i përpiluar mirë, por një idealizëm i njollosur nga emocioni i tepërt, ideologjia dhe deziluzioni i madhështisë, shkruan “New York Times”.

Së pari, ai ka menduar se do ta bindte zotin Assad të shndërrohej në demokrat. Kur dështoi, ai besoi se Turqia ka mjaft forcë për ta përmbysur zotin Assad, duke e mbështetur opozitën.

Përfundimisht, ai besoi se Amerika ishte e gatshme ta kryente punën.

Të gjitha këto ishin kalkulime të gabuara. Por, Amerika dhe Turqia tani janë më afër njëra-tjetrës se kurrë më parë, kur kemi të bëjmë me Sirinë, pasi Turqia e kupton kërcënimin nga xhihadistët radikalë brenda opozitës.

Teoritë e jashtëzakonshme të konspiracionit duhet të lihen anash dhe Ankaraja e Uashingtoni aktualisht duhet ta fillojnë diskutimin për mënyrat e reja për ta përfunduar luftën civile shkatërruese.

Siria e liruar nga terrori i xhihadistëve dhe nga terrorizmi shtetëror i zotit Assad është qëllimi i përbashkët i tyre, shkruan në fund të një artikulli të gjatë e përditshmja “New York Times”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency