Takimi në selinë e PD-së/ Basha, krerëve të FMN-së dhe BB-së: Arbitrariteti e korrupsioni qeveritar rrënuan ekonominë  

0
26

Gëzim Saliu

Kreu i PD-së: Qeveria i mohon transparencën opozitës për të dhënat zyrtare dhe vendimet

 “Rënia e mbledhjes së të ardhurave, tregues i evazionit dhe rritjes së informalitetit”

basha me BB Opozita është e shqetësuar për situatën aktuale financiare që po kalon vendi, pasi, sipas saj, kursi i ndjekur nga qeveria e ka futur ekonominë shqiptare në ngërç. Në takimet e veçanta të zhvilluara dje me përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed, dhe përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadeem Ilahi, kreu i PD-së bëri të ditur se rënia në mbledhjen e të ardhurave është treguesi i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi. Sipas kreut të demokratëve, rënia e mbledhjes së të ardhurave vjen jo vetëm e krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë. Ndërkohë, Basha theksoi se është shumë shqetësuese edhe mungesa e transparencës nga qeveria në lidhje me vendimet dhe të dhënat zyrtare.

 

Takimi

Përpara përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, kreu i opozitës theksoi se qeveria ka krijuar në këto muaj të pushtetit të saj pasiguri juridike, duke dëmtuar biznesit dhe stepur investitorët e huaj. “Treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim, rënie ose dobësim. Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave, është tregues i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi”, – pohoi ai. Nga ana tjetër, sipas Bashës, qeveria ka rritur ndjeshëm praktikën e prokurimit të drejtpërdrejtë, duke vonuar informacionin e kërkuar në këtë drejtim nga opozita në rrugë parlamentare. “Arbitrariteti, shkelja e ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave, prishja e ndërtimeve me leje ose në proces legalizimi, spastrimet në administratën publike dhe emërimet e personave me precedentë apo të kaluar kriminale kanë krijuar një klimë pasigurie e përgjithshme që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim”, – i shprehu kryetari i PD-së shqetësimet e tij ndaj përfaqësuesve të BB-së dhe FMN-së. Ndërkaq, Basha i njohu ata edhe me rënien e nivelit të pagesave nga qeveria të detyrimeve ndaj subjekteve të përfshira në investimet publike krahasuar me periudhën e qeverisjes së mëparshme, dhe me uljen e rimbursimit të TVSH-së. “Në këtë situatë, ekonomia, tregu financiar, konsumatorët dhe investitorët kanë reaguar e po reagojnë keq, duke shënuar përkeqësim në çdo drejtim”, – pohoi kreu i opozitës. Prej kohësh, demokratët kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me kursin e ndjekur nga qeveria për ekonominë. Në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar të PD-së, Basha publikoi disa të dhëna që bënin publike dështimet e ekzekutivit me taksat, ku kryesonin rezultatet negative në të ardhurat nga tatimet dhe doganat, nga akciza si edhe nga tatimi mbi të ardhurat personale. Sipas opozitës, shifrat e periudhës janar-mars dhe tendenca e muajit prill flasin qartë se situata ekonomike po shkon drejt një pikiate të panjohur deri më tani në vend.

 

 Eurokomisioneri/ Statusi, Füle: BE do të miratojë në qershor përparimin e Shqipërisë

 Liderët e BE-së në qershor do ta miratojnë përparimin e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi dje komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Füle në ceremoninë për dhjetëvjetorin pranimit në BE të disa vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore. “Jam optimist. Kemi punuar shumë ngushtë me autoritetet shqiptare dhe me drejtuesit e tjerë shtetërore, duke përmbushur rekomandimet e fundit bërë nga ana e vendeve anëtare. Kemi punuar me vendet anëtare, duke u përgatitur për vendimin e qershorit nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian. Ne aktualisht po flasim per përpilimin e raportit që do t’u prezantohet vendeve anëtare. Nuk do të zbuloj shume, sidoqoftë mund të them se kemi fakte te mjaftueshme jo vetëm për të përsëritur, por në fakt për të përforcuar rekomandimin tonë për statusin kandidat, dhe shpresoj qe vendet anëtare do ta pranojnë atë, duke u bazuar ne sinjalet pozitive dhe marrë një vendim pozitiv në qershor për Shqipërinë”, – deklaroi eurokomisioneri. Më tej duke bërë të ditur se pret mandat shumë të suksesshëm pesëvjeçar për komisionerin e ardhshëm, i cili është përgjegjës për pranimin e anëtarëve të rinj në Bashkimin Evropian, Füle theksoi se perspektiva evropiane presin edhe disa shtete në pjesën lindore të Evropës, të cilat deri tani nuk kanë pasur mundësi për anëtarësim.

 

 Rasti i Golemit/ PD, Kruja: Kreu i INUK-ut zapton pronën me dhunë, këmbanë alarmi për sigurinë juridike

 Partia Demokratike denoncoi dje përmes deputetit Keltis Kruja rastin e zaptimit të parcelës së një qytetari në Golem nga ana e kreut të task-forcës së INUK-ut të kësaj zone. Duke bërë të ditur paralajmërimin e opozitës për shkeljen e kushtetutës dhe ligjit nga mazhoranca qeverisëse, si edhe kapjes së institucioneve të pavarura, deputeti demokrat bëri të ditur detaje të rastit në Golem. Një shef i task-forcës së INUK-ut, Alket Hyseni, ka zaptuar pronën private të një qytetari në Golem, në mes të ditës dhe nën hundën e të gjithë institucioneve. Fatmir Musaj ka ndërtuar një fshat turistik. Shefi i INUK-ut të Edi Ramës ka blerë më parë aty një vilë. Jo vetëm që nuk ia ka shlyer të gjithë pagesën investitorit të fshatit turistik, por tani që ka marrë detyrën e rëndësishme, i thotë pronarit se ka ndërmend ti marrë edhe parcelën ngjitur me vilën e tij, ende të papaguar. Dhe ashtu bën, e rrethon, e betonon, dhe e bën të tijën”, – tha Kruja. Më tej, ai bëri të ditur se investitori është ankuar në polici dhe tek strukturat e INUK-ut për këtë rast por nuk ka gjetur zgjidhje. “Pronari i tokës ka bërë kallëzim në Prokurori. Partia Demokratike e denoncon këtë akt banditesk e të frikshëm të marrjes së pronës me dhunë, nga një përfaqësues i shtetit, duke abuzuar me postin dhe lidhjet qeveritare që gëzon. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë që të hetojë menjëherë dhe të vërë para përgjegjësisë këtë shef të INUK-ut të Edi Ramës”, – theksoi Kruja. Sipas PD-së, ky është një precedent i rrezikshëm për Shqipërinë dhe një këmbanë alarmi për mungesën e sigurisë juridike, “që tregon se qytetarët janë krejt të pambrojtur nga ligji, nga shteti, dhe se në Shqipëri nën dyshen Rama-Meta, është instaluar rregulli i xhunglës, ku fiton më i forti”.