Librazhd – / Akuza për tradhti, nëna mbyt foshnjën me jastëk

0
39

Anxhela Tato

 Rrëfimi i Orjola Lleshit: E vrara fëmijën në gjendje degresive, ishte fryt i një lidhjeje jashtëmartesore

 Policia, 24-vjeçarja njoftoi me sms burrin dhe vjehrrën pas krimit, pohoi tradhtinë

vrasja librazhd Mbyti me jastëk fëmijën e saj vetëm 6-javësh, duke e justifikuar me konfliktet për atësinë. Nëna 24-vjeçare Orjola Lleshi është prangosur nga ana e forcave të policisë, ndërsa është shprehur se krimin e ka kryer në gjendje depresive. Në momentet e para e reja ka deklaruar se fëmija i ka vdekur, kur po e ushqente me gji, por është tradhtuar nga sms-të e dërguar bashkëshortit dhe vjehrrës, ku bënte me dije se djali 6-javësh ishte fryt i një lidhje jashtë martesore. E tronditur e reja Orjola Lleshi ka pranuar të rrëfehet para oficerëve të policisë gjyqësore, duke pohuar krimin. Vajza 24-vjeçare ka treguar për debatet e herëpashershme me burrin në lidhje me atësinë e fëmijës, i cili e akuzonte se foshnja nuk ishte i tij. Ndërsa pesha e fajit rëndonte në ndërgjegjen e 24-vjeçares, e cila e kishte të vështirë të vazhdonte duke ruajtur sekretin se fëmija ishte fryt i një lidhje jashtë martesore. Këto kanë qenë arsyet që e reja është nxitur për të kryer krimin monstruoz, duke mbytur me jastëk në krevat foshnjën. E reja ka shfaqur pendesë për çka ka kryer, duke kërkuar falje dhe duke u justifikuar me gjendje depresive që po kalonte.

 

Ngjarja

Krimi i rëndë ka ndodhur në fshatin Kutërman, në Komunën Qendër të Librazhdit, ku 24-vjeçarja Orjola Lleshi jetonte te familja e burrit, mbyti me jastëk djalin e saj vetëm 6-javësh S. Lleshi. 24-vjeçarja, e cila jetonte në banesën e burrit, që ishte emigrant në Greqi, e ka kryer krimin në banesë në një moment që ndodhej vetëm, ndërsa më pas ka njoftuar të afërmit për vdekjen. Sipas policisë, dyshohet që gruaja të ketë rënë në depresion pas lindjes. Mësohet se gruaja dhe bashkëshorti i saj kishin zënka të shpeshta, pasi burri i saj kishte dyshime mbi atësinë e fëmijës. Fillimisht ajo kishte deklaruar në polici se fëmija është mbytur teksa po merrte gji, por ekspertiza në policinë e Librazhdit ka dalë në konkluzion se foshnja 6-javësh është mbytur me jastëk. 24-vjeçarja e vendosur përballë fakteve ka pranuar krimin, ndërsa ka dëshmuar se e ka vrarë djalin në gjendje depresioni. Vijojnë hetimet për zbulimin e motiveve të këtij akti ekstrem.

 

Hetimet

Në fillim Orjola Lleshi i ka nisur sms burrit, më pas vjehrrës. U ka treguar që djalin e sapolindur e kishte me një person, me të cilin kishte pasur lidhje jashtë martesore. Pas kësaj ndërmori aktin kriminal dhe mbyti foshnjën me jastëk. Ajo i tha vjehrrës që fëmija iu mbyt duke pirë, por sms-të zbuluan se ajo e vrau fëmijën e saj. Fryt i një marrëdhënie të fshehtë, kishte afruar depresionin për gruan e re. Situata është acaruar më tepër kur bashkëshorti Artan Lleshi, emigrant në Greqi e akuzonte për tradhti dhe i kërkonte divorcin. Në kushte te tilla, vrau djalin 6-javësh dhe la vetëm djalin tjetër 3 vjeç.

 

Vjehrra

“Nusja më rrëfeu se e kishte tradhtuar burrin”. Kjo është dëshmia që jep vjehrra e nënës së re, e cila vrau foshnjën. Vjehrra thotë se pas ngjarjes së rëndë nusja pranoi që kishte pasur një lidhje jashtëmartesore. “Orjola më tha se kishte bërë gabim që tradhtoi burrin, por unë i thashë se pavarësisht gabimit, djali im do ta falte. Ajo më tregoi se foshnjën e kishte mbytur, pasi e kishte nga një lidhje jashtë martesore”, – është shprehur për mediat vjehrra e 24-vjeçare.

 

Dibër – aperture/ Vret me 2 plumba shokun në gjendje të dehur

 Konflikti për motive banale, i dehur Ilir Rajta ka marrë armën në banesë dhe ka qëlluar Shpend Skanën

 I plagosuri Ndriçim Cuku ndërhyri për t’i hequr armën autorit, u godit në barkë

 Grindja nën efektin e pijes i ka marrë jetën 34-vjeçarit Shpend Skana, ndërsa ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë Ndriçim Cuku. Mësohet se krimi ka ndodhur në një lokal në Lurë, ku autori Ilir Rajta dhe viktima kanë nisur të debatojnë. Nga të dhënat e para bëhet me dije se të dy kanë ngritur tonin e zërit dhe janë konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin. I dehur autori është kthyer në banesë, ku ka marrë armën e zjarrit. Me tu kthyer në lokal, i ka kërkuar viktimës që të dalë jashtë. Në këto moment i ka drejtuar armën, duke e qëlluar me dy plumba në kraharor. Ndërsa i plagosuri ka tentuar të ndërhyjë, duke i hequr armën nga dora autorit. Por nuk ia ka rritur dot mbanë, pasi autori e ka qëlluar në stomak dhe është larguar me shpejtësi. Patrulla policie janë vënë në kërkim të autorit, i cili dyshohet se mund të jetë fshehur në zonat përreth vendit të ngjarjes, në pamundësi për tu larguar. Krimi ka ndodhur për shkak të alkoolit, i cili ka nxehur gjakrat mes të dyja palëve. Debatin nuk ka mundur dot ta kapërdijë autori, i cili nën stimulin e alkoolit nuk ka hezituar t’i marrë jetën shokun të tij. Ndërsa dëshmitarët kanë rrëfyer se dy djemtë ishin miq me njëri-tjetrin dhe pasditen e djeshme kishin abuzuar me alkoolin. Por mes tyre nuk ka pasur asnjëherë probleme dhe askush nuk e mendonte se një konflikt ordiner alkooli, do përfundonte me vdekjen e 34-vjeçarit Shpend Skana.

 

Krimi

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit të viktimës me autorin, të identifikuar si Ilir Rajta. Ky i fundit, i cili është shpallur në kërkim dyshohet se ka qenë në gjendje të pirë. Sipas policisë së Dibrës, ata janë konfliktuar fillimisht brenda një lokali dhe dyshohet se autori më pas ka marrë armën në banesë dhe është rikthyer duke qëlluar me dy plumba në gjoks Shpend Skanën, ç’ka i ka shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq 31-vjeçari, Ndriçim Cuku, i cili ka mbetur i plagosur ka ndërhyrë për të shuar sherrin, por është qëlluar më automatik nga autori. Plumbat e kanë prekur në bark, duke i shkaktuar plagë të rënda. Mjekët e Lurës i kanë dhënë ndihmën e parë, ndërsa është kërkuar mbërritja e helikopterit nga Tirana. Mbërritja është bërë me mbi një orë vonesë, për shkak të motit të keq. Policia ndërkaq, po punon për kapjen e autorit.

 

Transportimi

Policia bën me dije se pas vështirësive nga moti i keq është transportuar drejt Tiranës 31-vjeçari Ndriçim Cuku, i cili u qëllua me automatik teksa po përpiqej të ndalte një sherr mes dy personave. Policia bën me dije se 31-vjeçari i qëlluar me automatik në bark ka ndenjur për më tepër se një orë në spital në Lurë, pasi helikopteri është vonuar për shkak të mjegullës së dendur. Gjendja shëndetësore e 31-vjeçarit vijon të jetë e rëndë, ndërsa i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e plumbave. Vonesa e helikopterit e ka rënduar dhe më tepër shëndetin e të plagosurit, i cili ka humbur shumë hemorragji gjatë qëndrimit në spital.

Vetëvrasja – talio/ Pret fytin në gjendje depresive 58-vjeçari i arrestuar dy herë nga policia për prostitucion

Dëshmitarë të skenës horror treguan se 58-vjeçari Madrit Arapi, baba i dy fëmijëve, i divorcuar, ndërsa ishte duke debatuar me të afërmit dhe mjekët, ka rrëmbyer papritur një mjet prerës nga komodina pranë krevatit ku qëndronte i shtrirë dhe ka prerë fytin e tij duke u mbuluar i tëri në gjak. Menjëherë pas kësaj skene të tmerrshme dhe të pazakontë ka ndërhyrë personeli mjekësor për të shpëtuar pacientin. Por 58-vjeçari i shtruar mbrëmjen e së hënës në urgjencë në kushte tejet të rënda depresive ka arritur të vetëplagoset mjaft rëndë, duke prerë fytin në sy të familjarëve që e shoqëronin në dhomën e repartit të urgjencës. Ai është transportuar që andej në pak sekonda për në repartin e reanimacionit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale mjaft delikate, për shkak se dëmtimi i shkaktuar në fyt ka qenë i rëndë dhe me pasoja të rrezikshme. Ai, sipas disa të afërmve, prej kohësh kishte kaluar në depresion dhe situata e tij shëndetësore ka ardhur duke u përkeqësuar. Më herët ai ka qenë i angazhuar me një biznes në fshatin Xibrakë të komunës së Labinotit, ku ka pasur një motel buzë rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd. Por rezulton persona i skeduar nga policia, i arrestuar për akuzën e përdorimit të ambienteve për prostitucion. Të paktën dy herë Arapi ka kaluar disa muaj heqje lirie dhe së fundi ai ishte shfaqur mjaft problematik në rrethin familjar dhe atë shoqëror.

 

Lufta në Siri – talio/ Familjarët e Orion Reçit: Akuzat, e pavërteta, nuk është teolog, por besimtar

Ka kaluar vetëm dy muaj nga arrestimi i Orion Reçit, i akuzuar si pjesë e rrjetit të rekrutimit dhe dërgimit të “ushtarëve” shqiptarë në kampet e luftës në Siri. Ndërsa në një reagim për gazetën “Standard” familjarët mohojnë akuzat. I arrestuari është cilësuar nga Prokuroria si teologu i xhamisë së Unazës së Re, ku jepte mësim së bashku me imamin e vetëshpallur Genc Balla. Kunati i të arrestuarit Orion Reçi tregon se i afërmi i tij nuk ka shkollim në fushën e teologjisë dhe nuk ka lidhje me asnjë nga akuzat e Prokurorisë. Ai rrëfen se Orioni është falur në disa xhami, përfshirë këtu edhe atë të Unzës së Re. Është e vërtetë që ka pasur njohje me imamin, por vetëm si një besimtar, i cili falej në këtë xhami. Por i arrestuari nuk ka pasur lidhje të tjera me Genci Ballën, i cili nga besimtarët njihej me titullin imam. Për sa i përket rekrutimit në Siri dhe teologjisë, Mexhan Shtufi tregon se për të qenë teolog duhet të kesh 8 vite studime dhe të jesh i diplomuar. Por Orioni nuk e ka këtë shkollim, çka do të thotë që ai nuk kishte sesi të punonte me titullin teolog. Fakti që mund të ishte njohës i Kuranit dhe i gjuhës arabe nuk do të thotë se është teolog. “Orioni ka qenë njohës i Kuranit, por kjo nuk e bën atë teolog, pasi ai nuk ka arsimin përkatës. Çdo besimtar i fesë islame mund të jap kontributin e tij, por kjo nuk të bën teolog. Kështu që ky cilësim është totalisht i gabuar dhe i pavërtetë. Akuzat e prokurorisë nuk janë reale, pasi Orioni nuk ka lidhje me Sirinë. Ai është falur në disa xhami si dhe tek ajo e Unazës së Re dhe duke qenë besimtar Genci Ballën e njihte si imam. Kaq është e gjitha dhe këto akuza janë të pavërteta dhe të pabaza”, – shprehet Mexhan Shtufi.