Komisioni për Politikën e Jashtme/ Siguria kombëtare, tjetër agjenci spiunazhi pranë qeverisë

0
37

Florenc Drizari

Sokol Dervishaj: Informacioni i institucioneve të sigurisë është i fragmentuar, institucion i njëanshëm

komisioni i jashtem politikaQeveria pritet të krijojë një strukturë të re, e cila do të merret me koordinimin e informacioneve të klasifiuara, të ardhura nga shërbimet inteligjente shqiptare apo nga ato institucione që kanë të drejtë të merren me informacionet sekrete. Iniciativa e qeverisë vjen pak ditë pas debateve mes pozitës dhe opozitës lidhur me publikimin e informacioneve sekrete, kujtojmë shkresën e publikuar të SHISH-it për dyshimet mbi përdormin e mundshëm të strukturave të ushtrisë në trafikun e drogës. Edhe pse nuk bëhet e qartë se çfarë do të jetë kjo strukturë e re, agjenci, drejtori apo një zyrë pranë Këshillit të Ministrave, ajo që deklarohet nga përfaqësues të qeverisë, është roli i kësaj strukture në mbledhjen dhe analizimin e informacioneve sekrete, për t’ja shpërndarë më parë krerëve të shtetit, Presidentit, Kryeministrit apo Kryetarit të Kuvendit.

Nisma u publikua dje në Komisionin për Politikën e Jashme, ndërkohë që bëhet e ditur se iniciativa e është në fazën e hartimit të draftit dhe konsultimeve me ekspertët dhe ndërkombëtarët. Komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me zëvendësministrin e Jashtëm, Sokol Dervishaj, mbi hartimin e Strategjisë për Sigurinë Kombëtare.

“Kemi hartuar një material analitik, i cili bën një analizë të përgjithshme të gjithë situatës në vend, duke filluar me mjedisin strategjik, mjedisin e brendshëm, mjedisin e jashtëm, dobësitë tona të brendshme, por edhe mundësitë që Shqipëria ka për t’u ballafaquar me këto problematika. Ky dokument duhet të shërbeje si dokument kuadër, për të parashtruar objektivat e secilit institucion, si dhe një dokument që i shërben publikut dhe interesave madhore të vendit”,-tha zëvendës ministri i Jashtëm, Sokol Dërvishi. Sipas tij kjo nismë vjen edhe në sajë të mungesës së kontatuar nga institucionet e shërbimeve të inteligjencës në koordinimin e informacioneve. Ai tha se për këtë projekt ka pasur edhe bashkëpunim me qendrën Marshall, e cila ka asistuar nga pikëpamja metodologjike për hartimin e këtij dokumenti. “Një mekanizëm i ri i cili të të jetë në shërbim të institucioneve që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta për Sigurinë Kombëtare në kuptimin e një strukture permanente. Ne kemi në Shqipëri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, parlamenti ka Komisionin e Sigurisë Kombëtare, pranë kryeministrit ekziston një komitet që merret më çështjet e sigurisë kombëtare, por këto janë në konceptim Ad Hoc, nuk ka një strukturë permanente Ekzekutive me fuqi analitike, në mënyrë që të informojë, prodhojë informacion të specializuar, të filtruar dhe të koordinuar në kuptimin e ballafaqimit të disa burimeve për të arritur në një konkluzion,që më pas ti vihet në dispozicion institucioneve vendimmarrëse për të marrë vendimet e duhura dhe për tu dhënë atyre këshillim dhe rrugët e zgjidhjes për të arritur në vendime sa më të drejta”,-deklaroi Dervishi. Sipas zëvendësministrit, kjo strukturë e re do të ketë një qasje më gjithëpërfshirëse e strategjike, në raport me prioritet që ka vendi, e analizën e problematikave që ka dhe në raport me burimet të cilave vendi duhet të vendos në dispozicion të përmbushjes së këtyre qëllimeve. Më herët ka qenë vetë Kryeministri Edi Rama i cili ka folur për një reformë në strukturat e shërbimeve të inteligjencës shqiptare. Kjo agjenci pritet ti bashkangjitet shërbimeve të tjera të përgjimit në Shqipëri, si SHISH, SHIU (AIM), Prokuroria e Përgjithshme, strukturave në Ministrinë e Brendshme apo në ministrinë e Financave etj.

 

Përplasjet PS-PD për shkresën e SHISH-it

Për dy javë me radhë përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës debatuan lidhur me një shkresë të SHISH-it për disa indicje në përdorimin e avionëve në trafiqet e drogës. Opozita akuzoi krerët e mazhorancës për mungesë transparence dhe kërkoi hetimin e dyshimeve të ardhura nga SHISH dhe shërbimet e inteligjencës së Ushtrisë, ndërkohë që mazhoranca mohoi të kishte fakte të tilla. Gjatë debateve të zhvilluara në seancat plenare, të dy palët pretendonin se kishin të njëjtat shkresa lidhur me akuzat e ngritura në Kuvend, duke aluduar për një shkresë nga shërbimet inteligjente, SHISH. Pas daljes në media të shkresës nga SHISH, palët kërkuan zbardhjen e çështjes, duke ngritur edhe një komision hetimor parlamentar. Ndërkaq, vetëm kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, me anë të një njoftimi në faqen zyrtare të këtij shërbimi, ka deklaruar se debatet politike nuk duhet të prekin punën e këtij institucioni. Sipas tij, shkresa në të cilin iu referua opozita dhe mazhoranca, nuk kishte prova dhe fakte për trafikimin e drogës, por vetëm indicie dhe dyshime për një trafik të mundshëm. Nga ana e tyre, krerët e opozitës kanë deklaruar se do t’i shkojnë deri në fund hetimit të kësaj çështjeje.

 

Zbardhet vendimi i qeverisë/ Ndryshojnë rregullat për regjistrimin e pronave

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme vendosi miratimin e rregullave të reja për përcaktimin e kushteve dhe procedurave lidhur me përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme. Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, qeveria vendosi përcaktimin e kushteve dhe procedurave për kryerjen e përmirësimit dhe përditësimit të të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme që administrohet në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në formate digjitale dhe manuale. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është proces që ka për qëllim: a) aktualizimin dhe garantimin e informacionit për pasuritë e paluajtshme, të regjistruara; b) saktësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar; c) përditësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar, në bazë të  transaksioneve të kryera nga ZVRPP-ja, pas procesit të regjistrimit fillestar; ç) regjistrimin e pasurive të paluajtshme që ndodhen brenda kufirit të zonës kadastrale, të paregjistruara më parë; d) rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit. Sipas VKM-së, përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është një proces që lidhet me: a) indeksimin dhe sistemimin e arkivit digjital të dokumentacionit tekniko-ligjor; b) saktësimin e pozicionit gjeografik e të kufijve të pasurive të paluajtshme si dhe të elementeve matematike të hartës kadastrale; c) saktësimin e të dhënave në kartelën digjitale të pasurisë së paluajtshme. Sipas pikës 7 të projektvendimit, përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme do të kryhet me kërkesë të subjektit të interesuar ose me nismën e regjistruesit dhe/ose të kryeregjistruesit.