Komisioni hetimor për emërimet në polici/ Shkresa e vitit 2004-ës për policinë përplas deputetët në Kuvend  

0
115

Florenc Drizari

 

Pjerin Ndreu: Shkresa e 2004-ës, njëlloj si këto tymëset e Visho Ajazit

 Strazimiri: E rëndësishme është materiali autentik, ka ngritur shqetësim të madh

komisioni hetimor Komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit” vendosi që në datën 7 maj të paraqesë raportin për konstatimet e kryera gjatë punës disa javore. Në mbledhjen e djeshme anëtarët e komisionit hetimor u përfshinë në debate dhe akuza të ashpra lidhur me një shkresë të vitit 2004 e që sipas kryetarit të komisionit, Arben Ristani, përbën interes për t’u verifikuar. Por kërkesa e tij solli reagimin e socialistëve të cilët theksuan se një shkresë e tillë është jashtë objektit të komisionit dhe se për atë dokument janë zhvilluar edhe disa procese gjyqësore. Debati u përqendrua mes deputetit socialist Pjerin Ndreu dhe deputetëve të opozitës, Ristani, Strazimiri, Halimi e Noka.

Fillimisht ishte kryetari i këtij komisioni, Ristani, i cili tha se “ka pasur një dokument të firmosur në atë kohë nga Bajram Ibraj me lëndën: Përgjithësime negative për disa punonjës të policisë për implikime në aktivitet kriminal dhe veprimtari korruptive, i vitit 2004”. Sipas tij, komisioni duhet të investohet në këtë drejtim për të bërë verifikimet e nevojshme. Por qëndrimi i tij u kundërshtua nga nënkryetari i komisionit hetimor Taulant Balla. Sipas deputetit socialist, shkresa është jashtë objektit të hetimit dhe komisioni duhet të zbatojë rregulloren, duke përmbyllur punën e tij hetimore.
Por deputetët nuk e lanë me kaq debatin që zgjati për rreth një orë në komisioni hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Deputeti i opozitës, Eduard Halimi, kërkoi që të zbatohet rregullorja, neni 13 në pikën katër. Sipas tij, ky komision do apo nuk do opozita apo mazhoranca, do t’i nënshtrohet ligjit për komisionet hetimore, ku theksohet e drejta e anëtarëve për të marrë informacione në lidhje me objektin e hetimit nga një sërë organesh shtetërore.
Më pas reagoi edhe deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu, i cili pranoi njohjen me shkresën që pretendoni deputetët e opozitës. Sipas Nrdreut, i cili njëkohësisht ka qenë ish-drejtues i policisë për periudhën në fjalë, ai material ka pasur për qëllim denigrimin e punës së policisë dhe për këtë janë zhvilluar procese gjyqësore. “Ai material fatkeqësisht është ndërtuar nga një ministër i majtë, i urdhëruar, ku janë marrë dhe janë njollosur një elitë e tërë policore dhe ju me dashakeqësi e nxirrni atë material nga arkivat për t’i treguar opinionit publik se ka pasur inkriminime. Ajo është njëlloj si këto tymëset e Visho Ajazit dhe për sa kohë që asnjë fakt nuk është përdorur në proceset gjyqësore që drejtuesit, ish-drejtuesit e policisë, kanë kaluar”, – tha Ndreu. Pas kësaj deklarate, reaguan ashpër edhe deputetët e opozitës të cilët mbështetën argumentet që kjo shkresë përbën interes për të verifikuar emërimet e para disa muajve në Policinë e Shtetit. Edhe pse kjo çështje nuk u hodh në votim, pritet që kryetari i komisionit Arben Ristani t’i drejtojë një letër Ministrisë së Brendshme për marrjen e kësaj shkrese dhe diskutimin e saj në mbledhjen e ardhshme të komisionit hetimor.

 

Debate në komision për shkresën e 2004-ës

Ristani
Ka pasur një dokument të firmosur në atë kohë nga Bajram Ibraj me lëndën: Përgjithësime negative për disa punonjës të policisë për implikime në aktivitet kriminal dhe veprimtari korruptive, i vitit 2004.
Balla
S’ka lidhje me punën e komisionit.
Ristani
Mbi bazën e këtij policia ka hetuar dhe i ka larguar nga puna disa punonjës. Duke qenë se këta punonjës janë rikthyer në Policinë e Shtetit, duhet hetuar ky material. Largimet e këtyre personave duhen riparë se cilat kanë qenë motivacionet.
Balla
Ne funksionojmë mbi bazën e tri dokumenteve bazë. Kemi miratuar me konsensus të plotë një plan hetimi, të gjitha kërkesat e ardhura në drejtim të këtij komisioni dhe të gjitha kërkesat për informacion. Kërkesa e sotme nuk bazohet as në ligj e as në rregullore.
Halimi
Ne s’e kemi mbyllur hetimin dhe derisa të mbyllet hetimi, ky komision do apo nuk do opozita apo mazhoranca, do t’i nënshtrohet ligjit për komisionet hetimore.
Ndreu
Përveçse materiali që kërkon kryetari është jashtë afatit të objektit të komisionit, ka një problem tjetër që unë e njoh. Ai material fatkeqësisht është ndërtuar nga një ministër i majtë, i urdhëruar, ku janë marrë dhe janë njollosur një elitë e tërë policore dhe ju me dashakeqësi e nxirrni atë material nga arkivat për t’i treguar opinionit publik se ka pasur inkriminime. Ajo është njëlloj si këto tymëset e Visho Ajazit dhe për sa kohë që asnjë fakt nuk është përdorur në proceset gjyqësore që drejtuesit, ish-drejtuesit e policisë kanë kaluar dhe kanë marrë vendime gjykate të formës së prerë.
Stazimiri
Për sa u përket materialeve të tjera që dalin, kam komoditetin që flas jo si një pjesë e kolegëve këtu, që, me sa duket, janë në konflikt interesi me materiale. Emri nuk përmendet në atë material, nuk e kam njohur kurrë ministrin trafikant.
Ndreu
Po, po, kam unë.
Balla
S’jemi për 2004-ën këtu.
Ndreu
Kam konflikt interesi me atë material, konflikt edhe me atë që e ka bërë atë material, e kam bërë edhe publik, i kam tregu edhe vendin atij, edhe atij, që ka pas sipër e të gjithë atyre që u sulën.
Strazimiri
A mund të mbaroj?
Ndreu
Por është trup që ju ta merrni e ta nxirrni…
Strazimiri
E rëndësishme…
Ndreu
Po, pra po, kam unë…
Strazimiri
E rëndësishme është që materiali është autentik dhe ka ngritur një shqetësim jashtëzakonisht të madh. Një shqetësim që është nga 2004-a e sot po na rikthehet në punën e këtij komisioni.
Ndreu
Jo, jo. Po çfarë je ti, gjyqtar je ti?
Strazimiri
Të vazhdojmë punën e të mos mbrojmë njeri, të hetojmë për ato që paguhemi në çdo seancë.
Ndreu
Edhe një herë, meqë indirekt më përmendi, duhet të sqaroj këtu. Ai material përfshin edhe emrin tim këtu.
Strazimiri
Po atëherë s’duhet të flasësh.
Ndreu
Po unë e di cilësinë dhe burimin e materialit.
Strazimiri
Unë nuk e di, hajde ta shohim pak.
Ndreu
Të cilin ju me dashakeqësi po e merrni dhe po e nxirrni.
Strazimiri
Atëherë hajde ta shohim.
Ndreu
Unë jam përballur njëherë me atë material dhe me ata që e kanë nxjerrë atë material, por më vjen keq për ju që keni rënë në batakun e vrimës së çelësit dhe keni krijuar…
Strazimiri
Kjo është retorikë, a të kthehemi tek ligji tani?
Ndreu
O zotëri, do më dëgjosh mua? S’je kryetar komisioni tani. Më atakove direkt dhe unë po flas hapur.
Strazimiri
Është opinioni yt e nuk është imi.
Ndreu
Do rrish mirë apo si e ke hallin ti?
Qefaliaj
Lëre or burrë ta mbarojë tani.
Ndreu
Të lutem, opinionin tim e jap por s’je ti që më drejton mua se ç’të opinion të jap. Për të gjithë ish-drejtuesit e policisë që ju pretendoni ka një vendim gjykate, të cilëve u ka dhënë pafajësi për të gjitha vendimet që janë paraqit në gjykatë apo nuk janë paraqitur në gjykatë. Këtu mbaron historia e hetimit të këtij komisioni.
Halimi
Pse duhet të kemi frikë ne nga shkresat zyrtare. Sikur të merrej me votimet dhe ta mbulojmë, po çfarë duhet t’i themi qytetarëve. Po deri sa shkresa ekzistoka dhe dokumenti qenka zyrtar. Shteti një është, ikën një forcë dhe vjen një tjetër.

 

Forumi i Biznesit Maqedoni-Shqipëri-Kosovë, / Meta: Treg rajonal për investimet e huaja

 Forumi i Biznesit dhe i Investimeve Maqedoni-Shqipëri-Kosovë zhvilloi dje një aktivitet në Tiranë, duke ftuar edhe përfaqësues të politikës shqiptare për të diskutuar mundësitë e liberalizimit të tregut mes këtyre tri vendeve. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi këtë aktivitet të biznesit, duke vënë theksin tek risia e mbledhjes së tij takimi. Meta tha se rajoni ynë duhet të shikohet si një treg rajonal investimesh, jo vetëm për investimet e ndërsjella, por sidomos për investimet e huaja strategjike në vendet tona.

“Ka ardhur koha që të mësojmë nga eksperiencat e njëri-tjetrit për të krijuar një klimë biznesi sa më miqësore në nivel rajonal ku më tepër sesa konkurrencës me njëri-tjetrin duhet t’i japim më shumë rëndësi konkurrencës së rajonit tonë me rajonet e tjera kudo në botë për shkak se tregjet tona modeste dhe të fragmentuara nuk mund të bëhen një atraksion i vërtetë për investitorët e mëdhenj strategjikë në rast se nuk do të shkojmë drejt krijimit të një tregu rajonal për investimet e huaja”, – theksoi Meta.

Duke folur për situatën ekonomike në rajon, Kryetari i Kuvendit tha se ajo është akoma e brishtë dhe se kjo e bën edhe më emergjente nevojën për të ndërmarrë reforma të thella strukturore ekonomike për të përqafuar një model ekonomik që ka në zemër nxitjen e prodhimit dhe eksporteve, thithjen e investimeve në manifakturë, turizëm, bujqësi, në shërbime dhe teknologjinë e informacionit etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency