Sa do të rriten pensionet duke filluar nga 2015-ta?  

0
144

Pensionet suplementare shtetërore për funksionarët politikë, profesorët, ushtarakët etj. do të rishikohen, me synim lidhjen më të mirë mes kontributit dhe përfitimit dhe uljen e subvencioneve nga shteti

banner_1l6a1404 Zbardhet drafti se si do të funksionojë skema e ardhshme e pensioneve. Një skemë që sipas qeverisë, do të sjellë më shumë të ardhura. Por përveç ndryshimit të skemës, drafti i ri parashikon rritje dhe për të moshuarit të cilët tashmë kanë dalë në pension. Gjatë konferencës për prezantimin e draftit të ri të pensioneve, ku kanë qenë të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe drejtorja e ISSH-së, Vjollca Braho, është publikuar edhe dokumenti i plotë i skemës së re.

 

Skema e parë

Një reformë e tillë forcon parimin kontributiv të sistemit aktual dhe e redukton shkallën e lartë të rishpërndarjes që e karakterizon atë, duke u dhënë individëve më shumë shtysa për të qenë pjesë e sistemit të sigurimeve shoqërore si edhe për të kontribuar më shumë duke deklaruar pagën reale. Nga ana tjetër, ky opsion parashikon edhe një pension social për të gjitha ata të moshuar të së ardhmes që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e një pensioni. Në skemën e reformuar pensioni bazë do të zëvendësohet me pensionin social. Veç kësaj, do të hiqet kufizimi i pensionit maksimal deri në dyfishin e pensionit minimal si edhe do të hiqet llogaritja me 75% e pagës neto. Gjithashtu, reforma synon të zhdukë diferencën mes pensioneve rurale e urbane dhe nuk ofron më privilegje të veçanta për fermerët por i përfshin ata në skemën e vetme të vendit. Realizimi i kësaj reforme kërkon marrjen e masave të mëposhtme:

Rregulla të sakta e strikte për indeksimin e masës së pensionit, duke parashikuar vetëm indeksim me inflacionin. Heqja e tavanit të pensionit maksimal. Njësimi i pagës minimale kontributive me pagën minimale zyrtare dhe indeksimi i pagës maksimale kontributive me rritjen e pagës mesatare. Rritja e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025. Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Që nga viti 2032 mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056. Heqja e privilegjeve për njohjen e periudhave të sigurimit pa paguar kontribute për gratë, siç është njohja e viteve të studimit si vite të siguruara.

Përmirësimi i mënyrë së llogaritjes së pensioneve për nënat me shumë fëmijë dhe pensionet familjare duke përcaktuar si moshë për përfitimin e pensionit nga bashkëshortët, moshën e daljes në pension. Rritja e normës së kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017. Përmirësimi i formulës së pensioneve të zonave rurale. Sot, një fermer që ka mbi 17 vjet e gjashtë muaj sigurime në shtet ose si i vetëpunësuar, përfshi edhe sigurimet në kooperative, përfiton pension shteti. Kjo periudhë sigurimi do të rritet gradualisht (1 vit në vit) deri në shuarjen tërësore të njohjes së periudhës si ish kooperativist. Vendosja e elementeve dekurajuese për dalje në pension të parakohshëm dhe inkurajimi i daljes vonë në pension. Pensionistët aktualë do të vazhdojnë të përfitojnë pensionin ashtu si në të shkuarën dhe masa e pensionit do të rritet çdo vit ashtu siç e parashikon ligji, në përputhje me inflacionin.

Të gjithë individët që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni do të përfitojnë një pension social, i cili mund të përfitohet vetëm nga individët mbi 70 vjeç që kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive. Ky pension do të jepet duke pasur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.

 

Pensionet suplementare shtetërore

Pensionet suplementare shtetërore për funksionarët politikë, profesorët, ushtarakët etj do të rishikohen me synim lidhjen më të mirë mes kontributit dhe përfitimit dhe uljen e subvencioneve nga shteti. Reforma do të synojë rritjen e moshës së daljes në pension (funksionarët politikë e kanë 55 vjeç), rritjen e normës së kontributit si edhe ndryshimin e formulës së llogaritjes së përfitimeve (shembull: sot një deputet apo ministër, për x lek që derdh si kontribut merr 47x lek si përfitim – formula do të ndryshohet në mënyrë që të përfitojnë 10x më shumë e jo 47x më shumë).

Skemat profesionale për profesionet e vështira do të kthehen në detyrim ligjor dhe do të përfshijnë disa kategori si punonjësit e industrisë minerare, punonjësit e industrive të tjera si nafta dhe metalurgjia, punonjësit e artit dhe kulturës etj. Këto skema do të kenë si synim garantimin e të ardhurave për individët që dalin në pension më herët sesa mosha zyrtare e daljes në pension. Ato do të jenë kontributive, ku masa e kontributit do të ndahet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të krijohen mbi bazën e marrëveshjeve kolektive. Mbikëqyrja e këtyre skemave do të bëhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ky opsion garanton mbajtjen e përfitimeve në nivel normal duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm të shkallës së zëvendësimit krahasuar me skemën aktuale. Në skemën aktuale shkalla e zëvendësimit qëndron mbi 30% deri në vitin 2032 e më pas fillon të bjerë në mënyrë dramatike, duke shkuar në 25% në vitin 2039, 18% në vitin 2050 dhe vetëm 6.2% në vitin 2080. Nga ana tjetër, reforma që parashikon ky opsion mundëson që shkalla e zëvendësimit të mos bjerë asnjëherë më poshtë se 30%. Në vitin e parë të veprimit, skema e reformuar jep një shkallë zëvendësimi prej 36.4%. Më pas vërehet një rënie graduale, duke qëndruar në rreth 30% nga viti 2025 deri në vitin 2057. Nga kjo pikë ky tregues fillon të rritet ngadalë duke arritur në 31% në vitin 2080. Ndonëse ky pension nuk është shumë gjeneroz, ai do t’i mbajë të moshuarit mbi nivelin e varfërisë e do të jetë edhe financiarisht i përballueshëm. Ata që dëshirojnë të ardhura shtesë do duhet të kursejnë më shumë. Reforma sdo të sjellë një ulje të pjesës së popullsisë mbi moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, e cila vjen si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension. Në qoftë se me skemën aktuale ky tregues arrin në 35% në vitin 2080, sipas këtij opsioni në vitin 2080 arrin në 29%. Ulja e numrit të pensionistëve shoqërohet me rritjen e pjesës që zë popullsia nga mosha 15 vjeç deri në moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, e cila nga 50.7% në skemën aktuale në vitin 2080 do të shkojë në 56%. Veç kësaj, reforma sjell një ulje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili në projeksionet e skemës aktuale merrte vlerën 69% në vitin 2080 ndërsa nën këtë opsion në vitin e fundit të parashikimit merr vlerën 52.3%.

 

Formula

Ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensionit në: P = PS + Sh, ku P është masa e pensionit mujor, PS është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë se sa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive dhe Sh është shtesa vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin aktual me kontributet mesatare të viteve të mëparshme.

 

Propozimi i dytë, reformimi paradigmatik duke lëvizur drejt sistemit me llogari nocionale

 

Përfshirja e detyrueshme në këtë skemë e të gjithë personave që kanë lindur pas datës 1.1.1978 ose që kanë hyrë për herë të parë në tregun e punës pas datës 1.1.1994. Të gjithë personat që kanë hyrë në tregun e punës para kësaj date, do të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit aktual të pensioneve, por të reformuar sipas propozimeve të bëra në opsionin e parë. Vendosja e një pensioni social për të gjithë ata që nuk kanë kontribuar mjaftueshëm sa për të marrë një pension nga sistemi nocional. Ky pension do t’u jepet të gjithë personave mbi 70 vjeç që 5 vitet e fundit kanë qenë rezidentë në Shqipëri. Ai do të ketë si kusht tjetër verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit. Pensionet suplementare shtetërore, skemat profesionale për profesionet e vështira dhe fondet private të pensioneve do të reformohen sipas rekomandimeve të bëra në opsionin e parë.

Ky opsion i ndan përfituesit në tre kategori. Në kategorinë e parë përfshihen pensionistë aktualë, pra ata që kanë dalë në pension para se të hynte në fuqi reforma. Numri i tyre bie në mënyrë drastike nga 415 mijë në vitin 2015 në rreth 100 mijë në vitin 2034 dhe pastaj shkon afër zeros rreth vitit 2055. Në kategorinë e dytë, përfshihen kontribuuesit aktuale që kanë hyrë për herë të parë në tregun e punës para vitit 1994 dhe që do të jenë pjesë e sistemit aktual të reformuar sipas Opsionit 1. Numri i tyre rritet gradualisht duke arritur kulmin në vitin 2034 me 218 mijë e pastaj fillon e ulet gradualisht duke u bërë zero rreth vitit 2075. Kategoria e tretë, përfshin ata individë që janë pjesë e sistemit të propozuar nën Opsionin 2. Numri i tyre rritet gradualisht në 200 mijë në periudhën 2017-2036 dhe arrin kulmin në vitin 2068 me rreth 450 mijë përfitues.

 

Formula e dytë

 

-P është masa e pensionit

– Ka është shuma agregate e kapitalit të akumuluar gjatë gjithë viteve kur janë derdhur kontribute

– F është fitimi nocional i akumuluar gjatë viteve si rezultat i aplikimit të normës nocionale

të interesit

– Jm është jetëgjatësia mesatare e popullsisë në moshën e daljes në pension

– Pra, në momentin e daljes në pension, shuma agregate e kapitalit të akumuluar dhe fitimet “nocionale” pjestohen me jetëgjatësinë mesatare dhe kthehen në një pension vjetor, i cili më pas konvertohet në pensione mujore

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency