Gëzim Saliu
Ministri i Financave: 192 kallëzime penale për 569 autorë, përgjigje nga Prokuroria vetëm 10 raste
Organi i akuzës vihet në qendër të kritikave nga mazhoranca qeverisëse lidhur me hetimin e dosjeve të korrupsionit. Pasi Kryeministri Rama deklaroi dy ditë më parë se në zyrën e kryeprokurorit ndodhet një numër i madh dosjesh që implikojnë zyrtarë të nivelit të lartë dhe të ulët, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, përmes një letre drejtuar kreut të akuzës ka kërkuar sqarime se përse nuk janë hetuar kallëzimet penale për krim financiar. Sipas kryefinancierit shqiptar, institucioni që ai drejton është i shqetësuar për qëndrimet pasive që po mban organi i akuzës për çështjet e depozituara nga Ministria e Financave. “Këto kallëzime, i referohen veprave penale në disa fusha, që nga shpërdorimi i detyrës, mashtrimi dhe fshehja e taksave por edhe veprimtari të paligjshme në lojërat e fatit dhe pastrimi i parave. Por përballë këtyre 192 çështjeve, Prokuroria e ka informuar Ministrinë vetëm për 10 raste, që përbëjnë pak më shumë se 5 për qind e totalit. Nga këto, në një rast Prokuroria ka vendosur të mos e fillojë hetimin, në dy të tjerë e ka pushuar çështjen, ndërsa për 7 kallëzimet e mbetura ka vendosur delegimin e dosjeve”, – theksoi në letër Cani.
Letra
Në krye të letrës së tij drejtuar kryeprokurorit Llalla, ministri Cani informoi se Ministria e Financave dhe institucionet që ajo ka në varësi, kanë paraqitur pranë organit të akuzës 192 kallëzime penale, të cilat implikojnë 569 autorë. Përballë këtyre kallëzimeve, sipas ministrit, Prokuroria ka pasur një qëndrim pasiv, pasi janë proceduar me hetim deri tani vetëm 5% e rasteve. Përballë kësaj situate, Cani shpreh në letrën e tij shqetësim dhe kërkoi vëmendjen e Kryeprokurorit për mungesën e informimit mbi çështjet e kallëzuara. Ndaj, në fund të letrës që i dërgon Prokurorit të Përgjithshëm, ai ka bashkëlidhur edhe të dhënat e detajuara për rastet që janë kallëzuar nga Ministria e Financave. Në këtë listë, mësohet se janë të kallëzuar një sërë ish-zyrtarësh të Ministrisë dhe Drejtorisë Tatimeve dhe asaj të Doganave. Vetëm dy ditë më parë në një intervistë televizive, i pyetur lidhur me kërkesat e ndërkombëtarëve për rezultate në luftën kundër korrupsionit, Kryeministri Rama deklaroi se nuk kanë munguar kallëzimet nga ana e qeverisë në organin e akuzës. “Mund të them për sa më takon se jam i bindur se në tryezën e Prokurorit të Përgjithshëm janë rastet e nevojshme për të dhënë një shembull për luftën kundër korrupsionit nga niveli më i lartë deri tek më i ulëti. Unë dua të besoj se Prokurori do ti dalë fjalëve me vepra”, – tha Rama. Ndërkohë, kryeprokurori Adriatik Llalla në raportimin e tij në Kuvend lidhur me punën e organit të akuzës, sa i përket korrupsionit theksoi se kishte një përparim të dukshëm të aktivitetit, falë sipas tij edhe aktivizimit më madh të qytetarëve. “Ka një rritje të procedimeve penale me 12% krahasuar me vitin 2012, duke arritur në 54% vitin e shkuar. Nga ana e prokurorisë është kryer një analizë më e plotë e fakteve të referuara. Kjo ka ndikuar që një pjesë e kallëzimeve, të cilat nuk kanë qenë të plota, të rikthehen për hetime të mëtejshëm”, – kishte pohuar Llalla.
Raportimi në Kuvend
Çfarë tha Llalla për luftën kundër korrupsionit
Në vitin 2013 ka një rritje prej 22% të numrit të procedimeve penale të regjistruara për vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik në krahasim me vitin 2012. Në lidhje me të pandehurit, për grup vepra penale kundër korrupsionit, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar prej 18.5% krahasuar me një vit më parë. Është konstatuar një ulje e numrit të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 13%. Por, ndërkohë, ka rritje të numrit të pandehurve të dënuar nga gjykata me 67% përkundrejt vitit 2012. Referuar këtyre shifrave, duhet theksuar se nga ana e prokurorisë është kryer një analizë më e plotë e fakteve të referuara. Kjo ka ndikuar që një pjesë e kallëzimeve, të cilat nuk kanë qenë të plota, të rikthehen për hetime të mëtejshme. Diçka e tillë ka ndikuar në uljen e numrit të të pandehurve që janë dërguar për gjykim. Nga ana tjetër, për rastet me prova të mjaftueshme, nga ana e prokurorisë janë kryer hetime të plota dhe janë dërguar me prova në gjykatë. Kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të personave të dënuar, që, siç u theksua më lart, janë 67% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Kërkesë qeverisë
Karburantet, Konfindustria: Të merren masa, abuzime me cilësinë dhe volumet e shitura
Konfindustria kërkon nga qeveria që të marrë masa të menjëhershme për të rregulluar tregun e karburanteve. Kërkesa e bërë publike përmes një njoftimi, vjen pasi sipas Konfindustrisë biznesi vendor kërkon vëmendje për këtë sektor pasi kjo po i dëmton në punën e përditshme. “Pasojat e ardhura nga mungesa e rregullimit të tregut të karburanteve ka rritur kostot e biznesit, por edhe të vetë qytetarëve”, – thuhej në njoftim. Nga ana tjetër, Konfindustria shprehu shqetësimin në lidhje me abuzimet që bëhen me volume e shitura dhe cilësinë e karburantit. “Më konkretisht kërkohet nga qeveria shqiptare marrja e masave për dhënien e zgjidhjeve të qëndrueshme afatgjata. Tregu i karburanteve në Shqipëri është mbi 10% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto me një qarkullim vjetor mbi 1 miliard euro/vit dhe me ndikim të fuqishëm në bizneset, qytetaret dhe zhvillimin ekonomik tërësor të vendit”. Po ashtu një tjetër shqetësim i Konfindustrisë është edhe mospublikimi i karburanteve që kanë abuzuar me volumin nga Inspektorati i Metrologjisë. “Mbështesim në parim penalizimin dhe publikimin nga ana e Inspektorati Qendror Teknik të disa pikave te karburantit shkelëse të ligjit për cilësinë”, – theksohej në njoftimin e Konfindustrisë. Ndërkohë kryeministrit Rama ka deklaruar më parë se qeveria nuk ka ndërmend të publikojë emrat e kompanive që kanë abuzuar në tregun e karburanteve. “Nuk e di ku e keni ndeshur këtë praktikë në Evropë që përveçse të paguajnë gjobën ti bësh rezil duke i publikuar emrin. Kompanitë janë në të drejtën e tyre të bëjnë gabime dhe në momentin që paguajnë për këto gabime, kanë të drejtë të vazhdojnë. Kjo nuk është një praktikë demokratike dhe këtë nuk e bën asnjë vend në botë”, – tha Rama, i pyetur dy ditë më parë lidhur me këtë çështje.






