Përmes një udhëzimi lidhur me ligjin “Për miratimin e rregullores model të planifikimit”, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, kërkoi që Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit të shprehet mbi kërkesat për kontrollin e përputhshmërisë me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit, të miratuara ose në proces, për të gjitha zhvillimet që kërkohet të kryhen, përfshirë dhe në zonat e pezulluara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Sipas këtij udhëzimi, autoritetet e planifikimit të territorit, përpara shqyrtimit të kërkesave për zhvillim, dhe si kusht për dhënien dhe ligjshmërinë e lejeve zhvillimore kanë detyrimin të kërkojnë paraprakisht konfirmim nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për përputhshmërinë e zhvillimit që propozohet për t’u kryer me instrumentet e planifikimit, të miratuara ose në proces, përfshirë me politikat e strategjitë sektoriale, kombëtare apo vendore. Po ashtu, në këtë udhëzim bëhet e ditur edhe se cilat do të jenë kushtet që duhet të plotësojnë e planifikimit të territorit dhe/ose zhvilluesit për të marrë miratimin nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. 1) kërkesë për kontrollin e përputhshmërisë; 2) vërtetimin nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe planvendosjen e pronës ku propozohet të kryhet zhvillimi; 3) projektin zhvillimor, kur të evidentohen treguesit e zhvillimit; dhe 4) hartën e përdorimit ekzistues të tokës në një rreze 1.5 km nga zhvillimi i propozuar. Pasi merr propozimet, Agjencia shqyrton përputhshmërinë e zhvillimit të propozuar me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit, të miratuara ose në proces, dhe bashkërendon veprimet me autoritetet e tjera të planifikimit. Pas shqyrtimit, përgatit informacionin përkatës dhe vë në dijeni Këshillin Kombëtar të Territorit. “Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit shprehet brenda 30 ditëve nga marrja në dorëzim e kërkesës për kontrollin e përputhshmërisë”, – thuhej në udhëzimin e ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni.
Nishani me kreun e OSBE-së/ “Bashkëpunim për reformën territoriale, efekt jo vetëm politik, por edhe ekonomiko-social”
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, priti dje në një takim Kryetarin e Radhës së OSBE-së, Didier Burkhalter, President dhe ministër i Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane, ku vlerësoi maksimalisht ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Shqipërinë, që nga fillimi i proceseve demokratike, duke veçuar kontributet e saj në ekonominë, zhvillimet demokratike dhe shoqërinë shqiptare. Më tej, Presidenti Nishani çmoi lart bashkëpunimin me OSBE-në dhe Prezencën e saj në Shqipëri për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në fushën e legjislacionit, të drejtave të njeriut, çështjet e sigurisë, në evoluimin pozitiv të ligjit elektoral dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për reformën territoriale, e cila ka një rëndësi shumë të madhe, jo vetëm për efektet politike, por veçanërisht për pasojat ekonomike dhe sociale, që prodhon, dhe, për këto arsye, ajo duhet të bazohet në konsensus politik dhe duhet të përthithë mendimin e qytetarit. Pasi nënvizoi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me orientim nga e ardhmja, edhe falë bashkëpunimit me OSBE-në, Presidenti Nishani u shpreh se Shqipëria ka bërë disa herë thirrje për marrjen e masave që Kosova të afrohet gradualisht me OSBE-në deri në pjesëmarrjen e saj të plotë në Organizatë. Ndërkohë, Presidenti Burkhalter vuri në dukje interesin e vendit të tij për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe shtoi se Zvicra ka vullnetin e plotë të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë për arritjen e standardeve të kërkuara evropiane edhe pse nuk është vetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. “OSBE-ja po kontribuon në paqëtimin dhe bashkëpunimin në Ballkan dhe se po e bën këtë edhe nëpërmjet përfshirjes së Kosovës në aktivitete që lidhen me OSBE-në. Nismat e ardhshme do të jenë shumë efikase për rajonin, por ato duhet të gëzojnë mbështetjen e të gjitha palëve”, – tha Burkhalter.





