Një dashuri e re për Tom Cruise. Bëhet fjalë për aktoren Laura Prepon, e aktivizuar së fundmi në filma të ndryshëm. Prepon interpreton në seritë televizive “Orange Is The New Black”. Për herë të parë ata u panë bashkë në nëntorin e kaluar kur aktori 51 vjeçar u tërhoq prej saj ndërsa po xhironte një film. Më tej ai organizoi një darkë romantike në “Manor Hotel” të Los Anxhelosit. Me gjithë zërat e mundshëm për një lidhje mes Tom dhe aktores 34-vjeçare, nuk ka ardhur ende një konfirmim zyrtar prej tyre, shkruan “NOA”. Gjithsesi mediat amerikane bëjnë me dije se çifti po mundohet ta ruajë me fanatizëm lidhjen mes tyre, duke e përjetuar në mënyrë sekrete. Tom Cruise ka pasur në të shkuarën tre martesa, të fundit me aktoren Katie Holmes, me të cilën u nda në vitin 2012.
Fejesë për Lady Gaga?
I dashuri i Lady Gagas planifikon t’i propozojë asaj martesë së shpejti. Këngëtarja, emri i vërteti i të cilës është Stefani Germanotta, është në lidhje me yllin e “Chicago Fire”, Taylor Kinney, për tashmë dy vite. Dhe mediat amerikane tani raportojnë se ai është duke menduar t’ia bëjë pyetjen asaj, por nuk e ka gjetur unazën e duhur ende. “Taylor ka kërkuar unaza fejese për Stefin për tashmë disa muaj. Ai u ka thënë disa miqve të tij se dëshiron t’i propozojë asaj së shpejti”, – ka thënë burimi për revistën “Life & Style”.
Victoria Beckham mbush 40 vjeç: Kjo është dhurata më e mirë në 40-vjetorin tim
Dikur e famshme në muzikë, tani një ikonë e modës. Victoria Beckham mbush 40 vjeç. Ajo ka postuar disa foto me të shoqin, David Beckham. Ata kanë zgjedhur që të festojnë familjarisht në një resort luksoz në Kanionin e Madh në SHBA. Vic ka postuar edhe disa foto kur ka qenë e vogël. Ajo pranoi se dhurata më e mirë është i shoqi dhe katër fëmijët. “Kjo është arritja më e madhe imja”, – tha Vic.
Muskujt e Serena Williams
Në të njëjtën javë që tha se është krenare për trupin e saj, Serena Williams u shfaq me bikini në plazh për të treguar më qartë arsyen e krenarisë së saj. Tenistja amerikane nxori në pah format muskuloze në plazhin e Majamit ditën e djeshme, gjatë një dite relaksi me dy shoqe të saj. Serena tha për revistën “Fitness” se forma të tilla nuk i kanë pëlqyer kur ishte e re. “Kur isha e re nuk isha e kënaqur me fizikun tim. Më pas, kur nisa të fitoja turne, kolege që i kisha moshatare më thoshin që e pëlqenin shumë pamjen time dhe unë nisa ta pranoja trupin tim dhe gjoksin e madh. Rëndësi ka që ta pranosh veten ashtu siç je”, – thotë 32-vjeçarja, aktualisht numri 1 i botës në tenisin e femrave.
Di Caprio me të dashurën në Bora-Bora, por diçka nuk është në rregull…
Aktori duket se nuk ka qenë në gjendje dot të mbajë veten në formë, pas realizimit të suksesshëm të “The Wolf of Wall Street”. Leo Di Caprio duke u puthur e përkëdhelur me të dashurën Toni Garrn në plazhin e Bora-Boras. Çfarë mund të ketë më perfekte e kaq? Asgjë, natyrisht. Por është fiziku i aktorit ai që tërheq vëmendjen. Përkrah një femre modele si Toni “stonon” barku pak i fryrë i Di Caprios, i cili duket se nuk ka qenë në gjendje dot të mbajë veten në formë, pas realizimit të suksesshëm të “The Wolf of Wall Street”. Gjithsesi, çifti është dukur tepër i lumtur, duke shijuar këtë pushim romantik, pasi u harbuan në festivalin e “Coachella”-s gjatë fundjavës së kaluar. Dy pëllumbat janë shikuar duke luajtur përmes dallgëve, pa i kursyer puthjet e herëpashershme.