Grupet e interesit të sistemit farmaceutik kundërshtojnë edhe projektligjin e ri të barnave, i cili është bërë gati nga Ministria e Shëndetësisë
Shoqata e Distributorëve Farmaceutikë ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se po ndërhyn në mënyrë antiligjore në procedurat tenderuese të medikamenteve. “Ajo që është më e rëndësishme, është të kuptoni që konventat ndërkombëtare, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon që standardet të jenë të tilla, që të garantojnë sigurinë dhe cilësinë e barnave, që do të thotë zinxhiri i shpërndarjes nga prodhuesi deri tek pacienti apo konsumatori final duhet të jetë i mirëkontrolluar. Dhe sistemi që ne kemi aktualisht garanton këtë gjë. Në qoftë se një hallkë shkëputet dhe në këtë moment kjo po ndodh, atëherë ka vend për abuzime dhe ka vend për të rritur rrezikun e futjes së barnave që nuk garantojnë standardet e cilësisë dhe të sigurisë. Ne kemi nisur një shkresë për ministrin e Shëndetësisë, ku i kërkojmë sqarim se si ata kanë menduar që do ta monitorojnë situatën pas këtyre ndryshimeve. Normalisht që nuk kemi pasur një përgjigje”, – u shpreh Roland Xhaferaj, kreu i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë. Gjithashtu, grupet e interesit të sistemit farmaceutik kundërshtojnë edhe projektligjin e ri të barnave, i cili është bërë gati nga Ministria e Shëndetësisë.
Reagimi
Në një reagim të saj, Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar përfaqësuesve të tregtimit të produkteve farmaceutike që të mos bëjnë biznes me shëndetin. “Shëndeti për ne nuk është biznes. Ne duam të ofrojmë përkujdesje shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë, jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë. Në këtë pikëvështrim, pavarësisht nga prishja e disa interesave klienteliste, reforma që kemi ndërmarrë po funksionon dhe qytetarit po i shërbehet më mirë. Sot në farmaci ka më shumë barna dhe me çmime më të ulëta. Hoqëm TVSH-në prej 10%, ndërkohë që 56 barna të reja iu shtuan listës së barnave të rimburueshme këtë vit, plot katër herë më tepër se katër vitet e fundit të marra së bashku. Sot në spitale ka filluar furnizimi dhe falë uljes së çmimit, furnizimi është më i gjerë. Vitin e kaluar buxheti për barnat dhe materialet mjekësore i miratuar ka qenë 1.7 miliardë lekë, ndërkohë që sivjet është bërë 2.2 miliardë lekë, duke u rritur 29.4%”, – thuhet në një reagim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Barnat pa TVSH, kontroll farmacive
Autoritetet e shëndetësisë kanë nisur monitorimet në të gjitha farmacitë e vendit për tregtimin e barnave pa TVSH. Sipas përfaqësuesve të Qendrës së Kontrollit të Barnave, janë kryer rreth 150 inspektime, kryesisht në Tiranë, nga të cilat ka rezultuar se ka ende subjekte farmaceutike që tregtojnë mallin e mbetur stok me TVSH. Përfaqësuesit e shëndetësisë paralajmërojnë masa penalizuese sipas ligjit, por ndërkohë u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet e abuzimit nga ana e farmacistëve, kur këta të fundit vazhdojnë të shesin barna me TVSH. “150 farmaci të kontrolluara në të cilat vetëm në 10 raste janë konstatuar shitje të barnave me TVSH. Normalisht ndaj këtyre subjekteve që kanë shkelur ligjin do të merren masa përkatëse në zbatim të ligjit. Nga data 1 prill, kur kanë filluar dhe ndryshimet ligjore të hedhura aktualisht në treg, rreth 2 milionë pulla që i përkasin si importit ashtu edhe prodhimit vendas.
Monitorimi i situatës në treg për barnat me TVSH është një proces që ka filluar në qytetin e Tiranës, por do vijojë dhe do shtrihet në të gjitha subjektet farmaceutike. Do t’u kërkoja të gjithë qytetarëve që në çdo rast kur do të gjenden përpara një bari me TVSH të evidentojnë rastin. Të denoncojnë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe ne të marrim masat tona”, – u shpreh drejtorja Juridike e QKKB, Migena Rizai. Duke filluar që nga 1 prilli, në bazë të vendimit të qeverisë, në territorin shqiptar në tregun farmaceutik, barnat do të shiteshin pa TVSH. Por ky vendim, sipas monitorimeve, ende nuk po gjen zbatim, pasi një pjesë e mirë e farmacive, kryesisht në kryeqytet, kanë sasi të mjaftueshme barnash të mbetura stok, të cilat i kanë blerë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Universiteti i Tiranës / Të hiqet Matura Shtetërore
Universitetet kërkojnë heqjen e maturës shtetërore si kriter për hyrjen në shkollë të lartë. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, sugjeron që Matura Shtetërore të jetë proces përmbyllës i shkollës së mesme, ashtu siç ka qenë vite më parë, ndërsa për pranimet në shkollë të lartë, universitetet duhet të vendosin vetë kriteret për përzgjedhjen e kandidateve deri dhe testime për degët specifike. Rektori i Universitetit të Tiranës kritikon ashpër Maturën Shtetërore. Sipas Kules, keqadministrimi i provimeve solli jo vetëm deformime të rezultateve të maturanteve, por edhe ulje të cilësisë në universitete. Megjithatë, ndryshimet e kërkuara nga shkollat e larta për mënyrën e pranimeve në universitete mund të bëhen vetëm vitin e ardhshëm. Edhe këtë vit Matura Shtetërore do të jetë i vetmi kriter për hyrjen në shkollë të lartë. Ndërkohë, qeveria pritet që shumë shpejt të publikojë kuotat e reja të pranimeve për në universitete, ku pritet një ulje për të gjitha degat.
Studimi/ Tre të katërtat e njerëzve me grip nuk shfaqin simptoma
Tre të katërtat e të rriturve me gripin sezonal dhe pandemik nuk shfaqin asnjë simptomë, thonë shkencëtarët në Britani. Autori kryesor, dr. Andrew Hayward, nga Kolegji Universitar në Londër, tha se studimi Flu Watch monitoroi pesë grupe të njëpasnjëshme të familjeve në të gjithë Anglinë gjatë gjashtë sezoneve të gripit nga 2006-2011. “Rastet e raportuara të gripit përfaqësuan majën e një ajsbergu të madh klinik dhe nënklinik, i cili është kryesisht i padukshëm për sistemet kombëtare të mbikëqyrjes, të cilat vetëm i regjistrojnë rastet që kërkojnë kujdes mjekësor”, – tha Hayward në një deklaratë. “Shumica e njerëzve nuk shkojnë te mjeku kur kanë grip. Edhe kur konsultohen me mjekun, ata shpesh nuk dallohen dot që kanë grip. Mbikëqyrja në bazë të pacientëve të cilët konsultohen në masë të madhe e nënvlerëson numrin e rasteve të komunitetit, gjë që nga ana tjetër mund të çojë në shifra të larta të përqindjes së rasteve, të cilat përfundojnë në spital apo vdesin. Informacionet mbi barrën e komunitetit prandaj janë kritike për t’i informuar programet e ardhshme parandaluese dhe kontrolluese”. Pjesëmarrësit e studimit dhanë mostra gjaku para dhe pas çdo sezoni të gripit dhe të gjitha familjet që morën pjesë u kontaktuan çdo javë për t’i identifikuar rastet e kollës, ftohjes, dhimbjes së fytit ose “sëmundjeve të ngjashme me gripin”. Çdo personi që raportoi simptoma iu kërkua ta ofronte një strisho të hundës në ditën e dytë të sëmundjes për t’u testuar për viruse të ndryshme respiratore.





