Ushtria në trafikun e drogës?/ PD: 4 ditë pa përgjigje, Kodheli po i fshihet transparencës. PS: Sulm me akuza të pavërteta

0
144

Gëzim Saliu

 

Sot depozitohet në Kuvend kërkesa për seancë dëgjimore urgjente me Kodhelin. Noka: Përfshirja e ushtrisë në trafikun e drogës përbën shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë si anëtar i NATO-s

 

FLAMUR NOKAAkuzat e opozitës për implikimin e ushtrisë shqiptare në trafikun e drogës përplasin dy forcat kryesore në vend, ku nga njëra anë Partia Socialiste i cilëson ato si sulme ndaj forcave të armatosuara e atyre të rendit e ndërkohë Partia Demokratike nënvizon mungesën e transparencës të mazhorancës dhe minsitres së Mbrojtjes Mimi Kodheli lidhur me këtë çështje. “Ditë pas dite opozita nuk rresht së sulmuari dy institucione jetike të çdo shteti demokratik, forcat e rendit dhe forcat e armatosura. Policia dhe ushtria janë të depolitizuar, në funksion të sigurisë së Republikës dhe shtetasve shqiptarë”, tha deputeti socialist Besnik Bare nga selia e PS-së. Por sipas opozitës, reagimi i mazhorancës nuk është ai i duhuri, në rastin kur forcat e armatosura gjenden përballë akuzës më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar, se bazat e saj janë përfshirë në trafikun e drogës. “Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka 4 ditë që është zhdukur, dhe papritur del në skenë një ambjentalist. Ambjentalisti që doli sot nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës dhe të mbarë publikut tashmë, se a ka informacion Ministrja e Mbrojtjes për përfshirjen e institucionit që drejton në trafikun e drogës. Zonja Ministre mos u fsheh por përgjigju: A keni informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së forcave të armatosura për trafik droge? Nëse ke informacion, çfarë masash ke marrë para fakteve të tilla tronditëse. Zonja Ministre nuk mund ti fshihet pafundësisht transparencës”, theksoi deputeti demokrat Flamur Noka.

 

Qëndrimet

Në lidhje me këtë çështje, Partia Demokratike do të depozitojë ditën e sotme në Komisionin e Sigurisë kërkesën për seancë dëgjimore urgjente me Ministren e Mbrojtjes, për të zbardhur sipas saj, skandalin e rëndë me forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë. “Përfshirja e ushtrisë tonë në trafik droge, është dëmtimi më i madh që mund ti bëhet imazhit të vendit tonë, është shkatërrim i rolit dhe i përgjegjësive që kemi si anëtar të NATO-s. Ministrja duhet të japë llogari për këto të dhëna tronditëse, dhe përgjegjësitë e saj dhe të kryeministrit, për këtë aferë që e njollosin Shqipërinë anëtare të NATO-s me turpet e një republikë të dështuar të trafikut të drogës”, tha Noka. Por sipas mazhorancës, PD po merr në mbrojtje politike shpërdoruesit e detyrës si edhe po sulmon forcat e rendit e ato të armatosura. Në këtë kontekst deputetit Bare tha se qeveria e shkuar la pas një situatë të rënduar sa i përket sigurisë. “Drejtuesit politikë të forcave të rendit dhe forcave të armatosura ishin të zhytur në korrupsion dhe ishin kthyer në simbol të paaftësisë dhe lidhjeve me krimin e organizuar dhe trafikun.  Pikërisht tani, kur çdo ditë dalin në pah fakte të reja që dëshmojnë shpërdorimin e detyrës së ish funksionarëve të lartë të qeverisë së kaluar, opozita jo vetëm ka marrë në mbrojtje politike shpërdoruesit e detyrës, por sulmon në mënyre të turpshme forcat e armatosura dhe forcat e rendit”, u shpreh ai, duke shtuar se siguria e shqiptarëve është objektivi kryesor i qeverisë e në këtë funksion sipas Bares modernizimi i forcave të armatosura dhe forcave të rendit është detyrë parësore.

 

Ngjarja e Korçës/ PD akuza qeverisë, Duma: Largimi nga puna çoi në vetëvrasjen e nënës së dy fëmijëve

Partia Demokratike akuzon qeverinë për vetëvrasjen e një nëne me dy fëmijë pas largimit nga puna. Kordinatorja për marrëdhëniet publike në PD Grida Duma u shpreh dje se dyshja e mazhorancës qeverisëse Rama –Meta nuk dëgjuan lutjet e 52-vjecares Bruna Mejko, e cila është vetëhelmuar pas largimit nga puna. “Një grua, një bashkëshorte dhe nënë, e vetmja e punësuar në një familje korçare, i ka dhënë fund dje jetës, pasi spastrimet që po bën qeveria në administratë e hodhën atë në rrugë. Bruna Meko nuk e përballoi dot dhunën e dyshes Rama-Meta që pas një terrori psikologjik, dhe në dëshpërim e sipër nëna e dy djemve dhe bashkëshortja e një burri që lëngon prej vitesh në shtrat, u vetëhelmua.Puna që 51-vjeçarja bënte prej më shumë se 10 vitesh, ishte e vetmja e ardhur financiare për familjen Meko. Të afërmit dhe kolegët e saj tregojnë se ajo i kishte paralajmëruar zbatuesit e spastrimeve në administratë, se nuk do ta përballonte dot nëse do ta hiqnin nga puna”, u shpreh Duma. Më tej, ajo e cilësoi qeverinë përgjegjëse për vdekjen e 51-vjeçares dhe theksoi se shkarkimet denogruese nga puna po zhdukin shpresën e shqiptarëve.  “Por revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje”, deklaroi Duma, duke theksuar se Partia Demokratike është thellësisht e indinjuar nga kjo ngjarje dhe gjendet pranë familjes Meko në këtë ditë të tmerrshme. “Partia Demokratike akuzon Edi Ramën dhe Ilir Metën, dhe spastruesit e tyre në terren, si përgjegjës të zhdukjes së shpresës që po shkaktojnë me shkarkimet denigruese nga puna, si përgjegjës të ndarjes nga jeta të Bruna Mekos”.

 

Reagimi i PS/ Xhaçka: Duma të kërkojë falje, s’bëhet politikë me vdekjen

Akuzat e Partisë Demokratike për vetëvrasjen e 52-vjeçares nga Korça si pasojë e largimit nga puna, janë cilësuar të pavërteta nga socialistët, të cilët përmes deputetes së këtij qarku Olta Xhaçka pohuan se PD po bën politikë me vdekjen.  “Sot ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë.  Përmes Grida Dumës, Partia Demokratike sot ka zgjedhur të bëj politikë me vdekjen dhe me fatkeqësinë. Kjo është e pamoralshme, e turpshme dhe e pafalshme”, tha Xhaçka. Sipas deputetes së PS-së, akuza e bërë nga PD, ishte një shpikje e radhës. “Për arsye plotësisht dhe vetëm etike, në respekt të një personi që sot nuk jeton më dhe familjarëve të saj, të cilëve i shprehim ngushëllimet më të sinqerta, nuk dëshiroj të jap asnjë detaj për çështje të cilat nuk do të përbenin asnjë interes publik nëse Grida Duma nuk do të kishte bërë sot shfaqjen e turpshme që bëri”, pohoi Xhaçka. Në pozitën e deputetet së qarkut,  ajo bëri me dije se për këtë rast nuk ka pasur pushim apo largim nga puna të të ndjerës Meko. “I bëj thirrje Partisë Demokratike, Grida Dumës dhe çdo personi tjetër të përfshirë në këtë deklaratë të turpshme, të kërkojnë ndjesë dhe të mos kërkojnë përfitim politik nga çdo gjë. Të paktën, jo nga vdekja dhe fatkeqësia”, theksoi deputetja e PS-së.

 

Rrëfimi/ Bashkëshorti i 52-vjecares: gruaja u vetëhelmua për shkak të transferimit

Pas reagimeve dhe debateve mes dy kampeve politike, të majtë dhe të djathtë, për vetëflijimin e 52-vjeçares Brunilda Meka, ka reaguar bashkëshorti i saj. Sipas tij, gruaja e tij u transferua me qëllim persekutimi, si inspektore bujqësie në fshatin Mollas të Kolonjës.  “Që në vitin 93 gruaja ishte në marrëdhënie pune. Ajon është lajmëruar në datën 4 për një transferim nga vendi i punës, duke e dërguar nga Korça në Ersekë. Në dokumentin zyrtar që unë zotëroj, vërtetohet se ajo e ka transferuar të ndjerën gruan time në Mollas të Ersekës, me detyrën inspektore e Bujqësisë”. Sipas tij, ai dhe familja e tij nuk është përfaqësues i asnjë partie politike. “Gruaja na la një letër lamtumire, ku thuhej se: më morën në qafë, zoti i faltë”, shtoi më tej Driton Meka. Brunilda ishte emëruar në detyrë si inspektore e Bujqësisë në Mollas të Kolonjës dhe duhej të bënte çdo ditë afërsisht 100 km rrugë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency