Baza kontribuese në sistemet e pensionit në Evropë është në rënie. Studiuesit llogarisin se si mund të forcohen sistemet sociale në Evropë. Por propozimet e tyre nuk janë të lehta të zbatohen.
Më shumë se dy dyzina vende të BE-së kanë vënë nën lupë studiuesit dhe ashtu si shumë shpesh Suedia është në krye. Këtë herë bëhet fjalë për plakjen e shoqërisë dhe duket se vendi skandinav e ka atë shumë mirë nën kontroll: “Kjo lidhet me një politikë shumë të mirë të tregut të punës, me një papunësi shumë të ulët. Por lidhet edhe me sjelljen me të moshuarit: në Suedi të moshuarit janë të lidhur shumë mirë në jetën e punës. Dhe kjo është me siguri një nga sfidat më të mëdha të vendeve të BE-së”, thotë Michael Bräuninger nga Instituti për Ekonomi Botërore në Hamburg. Shtetet e tjera evropiane – këtu studiuesi ka parasysh Gjermaninë dhe Italinë, që aktualisht ndodhen përpara një pragu: brezat me lindje të larta në vitet 1960 po shkojnë drejt pensionit dhe pensionet e tyre duhet të financohet nga brezat më të rinj, me nivel lindshmërie shumë më të ulët.
Si Gjermania, ashtu edhe Italia vitet e kaluara kanë ndërmarrë disa reforma të efektshme, në mënyrë që sistemet ligjore të pensioneve të mbeten të financueshme, mendon Bräuninger. Ai i referohet rritjes së moshës së pensionit si dhe stimujve për qytetarët që ata të kujdesen edhe privatisht për pensionin. Në Gjermani kjo ndodh me anë të të ashtuquajturit “pensioni Riester”: kush lidh një sigurim privat pensioni, merr për këtë një subvencion nga shteti.
Kryesisht në vendet në lindje të BE-së Bräuninger sheh megjithatë vështirësi të mëdha në të ardhmen: “Ato kanë ende edhe ca kohë derisa të përballen masivisht me problemin e plakjes së shoqërisë. Nëse duan të marrin masa në kohë për përballimin e tij, duhet të pengojnë largimin e krahut të punës të ri dhe veçanërisht produktiv.”
Sa më e madhe të jetë pjesa e popullsisë aktive, e cila duhet të derdhë kontribute në arkat ligjore të pensioneve, aq më i fortë është sistemi social i një vendi – ky është argumenti qendror i një studimi, të cilin e publikuan të mërkurën (09.04.2014) Michael Bräuninger dhe kolegia e tij nga Instituti për Ekonomi Botërore në Hamburg, Christina Benita Wilke. Sipas këtij studimi edhe në Gjermani ka ende punë për të bërë: “Në veçanti pjesëmarrja aktive e grave në tregun e punës duhet të përmirësohet. Gjermania duhet të bëjë me siguri më shumë se deri tani për të përmirësuar koordinimin e punës me familjen”, thotë Christian Bäumler, kryetar i Punëmarrësve Kristian-Demokratë të Gjermanisë (CDA). Në Suedi rreth 80 për qind e grave mes 15 dhe 64 vjeç marrin pjesë në jetën e punës, në Gjermani vetëm 70 për qind, edhe pse vitet e fundit gratë gjermane kanë përparuar në këtë drejtim.
“Shoqëri e cila me mendje synon pensionin me 50”
Një tjetër aspekt për t’i forcuar në periudhë afatgjatë sistemet sociale evropiane, studiuesit e institutit nga Hamburgu e shohin në moshën e pensionit. Ata i referohen një propozimi të Komisionit të BE-së të vitit 2012. Ai parashikon që rritja e moshës së pensionit të lidhet me rritjen e jetëgjatësisë së pritshme. Në pjesën më të madhe të vendeve evropiane pragu ligjor për pensionin është mosha 65 vjeç.
Në Gjermani në vitin 2006 u vendos që ajo të rritej hap pas hapi deri në 67 vjeç, por qeveria aktuale planifikon që punëmarrësit të mund të dalin që në moshën 63 vjeç në pension nëse kanë derdhur për 45 vjet rresht kontribute në arkën e pensioneve. Një “sinjal fatal”, gjykojnë autorët e studimit të institutit në Hamburg dhe kërkojnë një “ndryshim persektive”: “Mundësitë e shumta të daljes në pension dhe rregullat bujare për pension në vitet ’70 dhe ’80 kanë karakterizuar pikërisht në Gjermani një shoqëri, e cila që në moshën 50 vjeç mendon për pensionin.”
Kryetari i CDA-së, Christian Bäumler kundërshton: “Ndryshimi i mentalitetit duhet të ndodhë para së gjithash tek punëdhënësit. Ajo që unë shoh është që gatishmëria e punëdhënësve, pikërisht në sipërmarrjet e mëdha, për të punësuar punonjës mbi të 60-t, është relativisht e vogël. Pjesa më e madhe e punëmarrësve, p.sh. në koncernet e mëdha të automobilëve që punojnë në montimin e pjesëve të makinave, janë që në fund të të 50-ve në parapension”. Bäumler sheh edhe mundësi të tjera për arritjen e synimit të tërheqjes së më shumë njerëzve që punojnë dhe kështu më shumë kontribuesve në arkat e pensioneve: p.sh. përmirësimin e aksesit të imigrantëve në tregun gjerman të punës.