Reforma administrativev/ “Jo” konsensusit në Parlament. Rama: S’presim pa kohë opozitën, kemi votë për të udhëhequr

0
107

Gëzim Saliu

Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, Kryeministri: Transformojmë qytetet e vendit. Berati, Gjirokastra, Bulqiza, Lezha do të jenë të parët që do të përfitojnë nga paketa e investimeve

 rama te konferenca Ndërsa opozita ka kërkuar konsensus deri në votimin në Kuvend për reformën administrative-territoriale, mazhoranca nuk ndryshon qëndrimin e saj, që palët të kenë të drejtën e konsensusit vetëm në Komisionin e posaçëm parlamentar. Pas bërjes së ditur nga përfaqësuesit e mazhorancës nga salla e Kuvendit se afati i fundit për të zënë vendet në Komision është deri të enjten e ardhshme, Kryeministri Rama tha dje se të majtët do ta mbyllin vetë këtë reformë, nëse opozita nuk bëhet pjesë e saj. Në takimin ku u prezantuan Fondet e Zhvillimit të Rajoneve, kreu i qeverisë pohoi se në përmbushje të kontratës me votuesit e saj, mazhoranca do ta përfundojë reformën territoriale. “Ne, pa as më të voglin dyshim, duam ta bëjmë bashkë me opozitën, për këtë arsye kemi kaq kohë që e presim opozitën, po nuk po e presim duarkryq, por ndërkohë po punojmë intensivisht edhe me komunitetet, falë mbështetjes së jashtëzakonshme që kemi marrë nga partnerët dhe nga donatorët, por ne jemi votuar në 23 qershor që të udhëheqim dhe populli shqiptar na ka hequr çdo alibi të mundshme për katër vite më pas, sepse na ka dhënë shumicën e cilësuar me të cilën ne mund, duhet dhe do të bëjmë reformën territoriale dhe do të bëjmë dhe reforma të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, për të cilat vazhdojmë të presim me durim, por nuk do të presim pafund, siç është reforma në drejtësi”, – deklaroi Rama. Në të njëjtën linjë me kreun e qeverisë, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Administrative dhe Territoriale, Bashkim Fino, tha se kjo javë është mundësia e fundit për opozitën për t’u bërë pjesë e këtij procesi. “Ne jemi për të udhëhequr dhe do të thotë që ne nuk do të presim pafundësisht, do ta kryejmë këtë reformë kaq të rëndësishme. Progres-zhvillimi dhe inovacioni janë aspektet që duhet të udhëheqin edhe reformën administrative territoriale”, – u shpreh ai.

Takimi

Në takimin e djeshëm, qeveria bëri të ditur vendimin e saj që përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit të investojë për të mbështetur 50 projekte në bashki dhe komuna të ndryshme në 12 qarqet e vendit. “Është një pakete e re dhe transformuese investimesh, e cila hapet sot, por nuk mbyllet sot. Projektet që do të marrin udhë menjëherë janë projekte që dolën fituese nga thirrja e parë, thirrja e dytë është e hapur dhe pjesa tjetër e paketës së investimeve do të plotësohet me përzgjedhjen e proceseve të tjera”, – tha Rama. Berati, Gjirokastra, Bulqiza, Lezha do të jenë disa prej qyteteve që përfitojnë nga kjo paketë e parë investimesh, e domosdoshme, sipas Kryeministrit, përballë një territori të copëtuar. “Ministria e Ekonomisë ka përgatitur kalendarin e investimeve dhe mekanizmin e investimeve. Çdo ministri do të monitorojë investimet e veta në mënyrë intensive. Kush nuk do të arrijë t’i qëndrojë gjithë grafikut të parashikuar në kalendar, cilado kompani, në cilindo zë, do t’i ndërpriten financimet. Do të jemi shumë striktë me zbatimin e kontratave dhe me standardet”, – deklaroi kreu i qeverisë. Po ashtu, ai bëri të ditur platformën dixhitale të arsimit, ku, sipas Ramës, do të kalohet nga librat dhe çantat me libra tek arsimi vetëm me një tabletë. “Do ta fillojmë me 60 shkolla, sepse është një proces që kërkon punë dhe është një proces ku duhen të trajnohen edhe mësuesit. Nga ana tjetër është një platformë që do të bashkojë mësuesit, nxënësit, gjithë shkollën, komunitetin e prindërve dhe qeverinë. Ashtu sikundër, me platformën e re do të bëhet i mundur mësimi në distancë”, – deklaroi Kryeministri Rama.

 

 

Projekti miratohet nga qeveria/ Ndryshon sheshi i Kavajës, hiqet monumenti me dy gishta?

Kreu i qeverisë Rama bëri të ditur dje se ndër projektet që do të financohen nga qeveria është edhe ai Bashkisë së Kavajës për rindërtimin e plotë të gjithë sheshit dhe rrugëve të hyrjes në shesh. “Me standarde krejt të tjera dhe krejt të merituar për një komunitet që për vite të tëra nuk ka arritur dot të shikojë asgjë, deri kur në vitin 2011 e dini mirë historinë, se si Kavaja pastaj ra në duart që po e nxjerrin nga errësira dhe nga pluhuri i llahtarshëm i gjithë atyre viteve harresë dhe talljeje demokratike”, – tha Rama. Por me ndryshimin e sheshit, duket se do të preket edhe monumenti i vendosur në qendër të tij me dy gishtat, si simbol i demokracisë. Në përplasjen që patën palët pak para zgjedhjeve të 23 qershorit, kreu i PS-së kishte deklaruar në një takim me gazetarët se monumenti është një shëmti nga ana estetike. “Monumenti nuk ka lidhje me simbolin, por me formën, Kavaja nuk e meriton, sheshi “Demokracia” ka qenë dhe do të mbetet, demokracinë nuk e solli Saliu, por studentët, intelektualët, shqiptarët, era e ndryshimit, Kavaja ka një rol shumë të madh. Ne do ta ndërtojmë sheshin dhe do t’i japim Kavajës përmasat e një qyteti mesdhetar dhe t’i japim atij komuniteti një shesh me dimension tjetër, do jetë sërish sheshi “Demokracia”, por ai monument është siç e tha kryetari i Bashkisë së Kavajës, nuk është tamam monument, nuk janë tamam as dy gishta dhe ajo është një farsë”, – kishte deklaruar Rama.

 

 

Zv.kryeministri/ Peleshi: Nga projektet e qeverisë do të hapen mijëra vende pune

Zv.kryeministri Niko Peleshi ka theksuar gjatë prezantimit të projekteve të qeverisë për qytetet e vendit se falë tyre do të hapen mijëra vende të reja pune. “100 milionë dollarë të alokuara nga buxheti në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve në projektet e infrastrukturës vendore, arsimit, shëndetësisë, artit dhe kulturës dhe mjedisit. Rreth 100 kantiere të reja pune do të fillojnë nga sot, qindra biznese ndërtimi, biznese shërbimesh të lidhura me to do të fillojnë sot të kenë një treg dhe një frymëmarrje të re. Mijëra vende të reja pune do të hapen nëpërmjet këtyre projekteve gjatë vitit 2014”, – tha Peleshi.

 

 

Kryeministri: Reformë për ujin, jo furgonëve për shërbim ndërqytetas si në Bangladesh

Qeveria do të bëjë publike së shpejti reformën për ujin, e cila, sipas Kryeministrit Rama, është një domosdoshmëri në kushtet e sotme. “Mjafton t’ju them që jemi sot në kushte jashtëzakonisht skandaloze dhe kemi një të dhënë skandaloze, të pakrahasueshme me askënd në botë. Ne kemi 6 herë më shumë punonjës në sistemin e ujit sesa mesatarja e Bashkimit Evropian dhe kemi 6 herë më pak ujë se në çdo vend të Bashkimit Evropian, duke qenë vendi i dytë më i pasur me ujë në Evropë. Kjo vjen nga fragmentimi total i njësive dhe nga fragmentimi total i sistemit të administrimit të ujit”, – tha ai. Në të njëjtën linjë, Kryeministri theksoi se po ndiqet e do të vazhdojë të ecet përpara me ndryshimet me transportin. Sipas Ramës, nuk do të lejohet që furgonët të ushtrojnë shërbimin e tyre jashtë rrethit. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes që furgonët 8+1 të bëjnë shërbim ndërqytetës, siç e bëjnë në Bangladesh apo siç e bëjnë në Afganistan, se ne nuk jemi as Bangladesh, as Afganistan, me gjithë respektin për popujt afganë dhe të Bangladeshit, por jemi në mes të Evropës dhe nuk mundet dot të shkojmë në Evropë me këto sisteme”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency