Anxhela Tato
Media greke, publikohet videoja e plotë e torturave makabre ndaj Ilia Karelit
Pamjet filmike, drejtori i burgut: Ai që është burrë të shkojë ta rrahë, por të mbajë përgjegjësi
Detaje të reja tronditëse nga vrasja makabre e Ilia Karelit. Zemra i është hequr nga trupi gjatë ekspertizës mjekoligjore, për të fshehur skenat e dhunës. Sipas shpjegimit mjekësor, organi jetik i njeriu është i lidhur me trurin dhe ka një kujtesë vizive të kujtimeve në masën 20%. Ndërsa pritet që këtë javë të mbërrijë në Shqipëri. “Kathimerini” publikon videon me pamjet ekskluzive të torturave ndaj Ilia Karelit në burgun e Nigritas. Me anë të filmimeve tregohet me detaje ajo që ka ndodhur dhe gardianët e përfshirë. Drejtori i burgut në një moment u drejtohet atyre dhe u thotë se ai që është burrë mund të shkojë ta godasë, por më vonë duhet ta pranojë që e ka bërë. Një video prej rreth 6 minutash tregon pamjet tronditëse të asaj që ka ndodhur në burgun grek të Nigritas, ku u torturua deri në vdekje shtetasi shqiptar Ilia Kareli. Pamjet tregojnë momentin kur ai zbret nga makina e policisë për në burgun e Nigritas, ku e presin 10 zyrtarë të policisë. Në korridorin e burgut, një prej zyrtarëve shfaqet shumë armiqësor ndaj tij. Në këto momente ndërhyn edhe drejtori i burgut, i cili përpiqet të qetësojë situatën. Ky është momenti që bëhen edhe fotografitë e para të Karelit. Kareli më pas shoqërohet në atë që konsiderohet si qelia-frigorifer që është në fillim të korridorit të burgut. Ai do të qëndrojë aty derisa të bëhet gati qelia e tij. Fotografi bën gati vendin ku do të shkrepen fotografitë. Në këto pamje duket se Kareli nuk ka marrë goditje të forta, pasi ai qëndron ende në këmbë. Gardianët e pranishëm janë në turn, por ka edhe disa që janë thërritur posaçërisht për të shoqëruar Karelin. Janë tetë gardianët që hyjnë në qelinë-frigorifer ku ndodhet ende Ilia Kareli dhe ku rrihet barbarisht për 30 minuta pas largimit të drejtorit nga korridori. Ky i fundit u drejtohet tetë gardianëve që hyjnë në qelinë-frigorifer se kush është burrë mund ta godasë, por më pas duhet ta pranojë që e ka bërë. Ky është edhe momenti ku nis dhe torturimi deri në vdekje i Karelit.
Pamjet
Në video duket edhe drejtori i burgut të Nigritas, i cili është në mesin e gardianëve që shoqërojnë Karelin, përpara se ai të dhunohej për vdekje nga 15 prej tyre. Madje, vetë drejtorit i burgut u bën me shenjë gardianëve për ta futur fillimisht Karelin në dhomën e torturave. Më tutje, dalin disa oficerë trupë mëdhenj, të cilët futen në dhomën ku indikonte drejtori. Kareli ka mbërritur në burgun e Nigritias rreth orës 16:00 të 27 prillit, është mbajtur në ambientet e korridorit të burgut, ku edhe është fotografuar, dhe nga ky moment për më shumë se dy orë është torturuar në “dhomën e frigoriferit”. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar të gjitha lëvizjet në korridor të gardianëve të cilët futen dhe dalin nga “dhoma e frigoriferit”. Dyshohet se është shfrytëzuar pikërisht kjo dhomë për të kryer torturat makabre ndaj Karelit, për faktin se nuk monitorohet nga kamerat. Pamjet dokumentojnë akuzat e ngritura nga prokuroria greke për gardianët, atë të ushtrimit të dhunës me batanije të lagura. Kamerat shfaqin momentin kur një gardian hyn në dhomën e torturave duke tërhequr një batanije. Pas 2 orë e gjysmë goditjesh e torturash ndaj të dënuarit shqiptar, tortura të cilat i shkaktuan vdekjen vetëm disa orë më pas, Ilia Kareli është transferuar në qeli. Kur ora shënon 18 e 30 minuta shfaqen torturuesit të cilët tërheqin zvarrë Karelin për ta çuar në qelinë e tij. Pamjet janë të tmerrshme. Dhoma e torturave dhe qelia ndodhen në të njëjtin korridor dhe në momentin e transferimit në qeli, duket edhe pafuqia e Karelit për të ecur vetë në këmbë, teksa mbahet nga gardianët, pa kanatieren e zezë me të cilën erdhi në burg dhe me pantallonat që janë gati duke i rënë. Kareli më tej është lënë në qeli i zhveshur. Pas rreth 1 ore, në 16 e 25 minuta, një gardian hyn në qeli për të sjellë ushqimin, teksa Kareli dergjet i shtrirë dhe i palëvizur, ushqim të cilin i dënuari shqiptar, edhe pse e kishte kërkuar, nuk mundi ta shijonte, për shkak se ndërroi jetë nga dhuna makabre ndaj tij. Në fund, në mesnatë, në kamera shfaqet një barelë, e cila hyn në qelinë e Karelit, për të marrë trupin e pajetë.
Shkodër/ Bazë trafiku eksplozivësh, pranga 2 personave
Zbulohet një bazë e trafikut të lëndëve eksplozive të telekomanduara. Pas një hetimi dymujor nga ana e forcave të policisë është bërë e mundur vënia në pranga e dy shtetasve: Lulzim Toska, 36 vjeç, dhe Pjetër Babaj, 58 vjeç; ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 copë mina me telekomandë, 6 copë kapsolla elektrike, aksesorë ndihmës për vënien në funksionim të minave me telekomandë, 4 armë zjarri pistoletë, rreth 30 fishekë pistoletë, 50 fishekë automatiku dhe një silenciator. Dyshimet janë se kjo bazë ishte urë lidhëse me Malin e Zi, nga ishte prejardhja e eksplozivëve. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pas një pune hetimore prej 2 muajsh, kanë finalizuar me sukses një operacion kundër trafikimit të bombave me telekomandë. Fillimisht policia ka arrestuar në urën e Bunës, Pjetër Babaj, i dënuar edhe më parë për trafik armësh”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Në automjetin e tij, polici gjeti dy mina me sahat. Pas kontrollit të banesës në lagjen “Tre heronjtë” u bë e mundur të gjendeshin edhe minat e tjera, së bashku me kapsollat elektrike dhe aksesorët e tjerë. Bazuar në informacionet e mbledhura, policia vijoi kontrollin në banesën e shtetasit Lulzim Toska, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i Babajt. Në këtë banesë u gjetën 4 armë zjarri pistoleta dhe 1 silenciator. Policia vazhdon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Fier/ Përplaset makina me motorin, 1 i vdekur dhe 1 i plagosur
Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti rrugor që u regjistrua pasditen e së enjtes në aksin Fier – Levan. Një mjet tip “Audi”, me targa AA 006 GV, që udhëtonte në drejtim të Fierit në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, ka përplasur një motoçikletë, në të cilën udhëtonin dy persona, ndërsa më pas është përplasur me një tjetër mjet. Përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e mjetit, Lavdosh Lala, 45 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Besnik Gjojdeshi, i cili është dërguar në spitalin e Fierit. Blutë e Fierit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa kanë shoqëruar edhe drejtuesin e mjetit që e shkaktoi atë.