Borxhet në bankë/ Projektligji: Ja si do të fshihen kreditë e këqija

0
248

Ervin Kaduku

Çfarë parashikon ndryshimi lidhur me rregullimin me ligj të fshirjes së borxhit të keq që ka lindur në sistemin bankar

Kreditë që konsiderohen të humbura dhe që do të fshihen nga bilancet e bankave, kanë arritur në gati 60% të totalit të huave të pakthyera në afat apo rreth 440 milionë euro

 Projektligji për fshirjen e kredive i hartuar nga ekspertët e Financave është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, ku pritet të bëhen ndërhyrjet e fundit. Së shpejti ky projektligj do të miratohet nga qeveria dhe Kuvendi dhe do t’i hapë rrugë njohjes si shpenzim i zbritshëm kredive të këqija

Projektligji që parashikon fshirjen e kredive të këqija nga sistemi bankar është hartuar tashmë nga Ministria e Financave dhe është dërguar te Ministria e Drejtësisë, e cila do të bëjë ndërhyrjet e saj dhe do ta dërgojë atë për miratim në qeveri.

Ky projektligj pritet t’i japë zgjidhje një nga problematikave më të mëdha të bankave, ku huat e humbura nuk njiheshin nga organet tatimore si një shpenzim i zbritshëm, duke rënduar detyrimet fiskale të tyre.

Kreditë që konsiderohen të humbura dhe që do të fshihen nga bilancet e bankave kanë arritur në gati 60% të totalit të huave të pakthyera në afat, apo rreth 440 milionë euro.

Përmes fshirjes së kredive të këqija parashikohet që niveli i tyre të zbresë në 17% të totalit, duke përmirësuar situatën e sistemit dhe duke lehtësuar bankat për të kredituar më shumë individët dhe bizneset.

Ndryshimi që është bërë saktëson që nëse ka nisur një procedurë ekzekutimi dhe kanë kaluar 365 ditë, pra një vit, për efekte fiskale kjo do të konsiderohet si shpenzim i njohur apo i zbritshëm. Kjo lehtëson dhe jep incentiva për bankat që të mund të pastrojnë bilancet e tyre.

 

Relacioni

Ndryshimi i parashikuar konsiston në rregullimin me ligj të fshirjes së borxhit të keq që ka lindur në sistemin bankar.

Bazuar në Rregulloren e Bankës së Shqipërisë dhe Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNFR”) bankat krijojnë provigjione për mbulimin e humbjeve të mundshme nga moskthimi i kredive, duke rënduar periodikisht shpenzimet e tyre.

Ky provigjon është kryesisht kalimi në shpenzim i shumës që banka e ka dhënë si kredi por që nuk parashikon që të paguhet/rikuperohet nga klienti (dhe jo ndonjë shërbim i dhënë klientit i cili regjistrohet si e ardhur e nuk parashikohet të rikuperohet).

Në varësi të karakteristikave të një kredie specifike si: shumës së mbetur, kolateralit, garantorit, ecurisë dhe rezultateve të proceseve gjyqësore, kur kreditë klasifikohen si të “humbura”, bankat krijojnë provizione në masën 100% të shumës së pashlyer dhe për pjesën për të cilën nuk ka shpresa të arsyeshme për rimarrjen e tyre, i fshijnë ato nga bilancet.

Në këtë kuptim, fshirja e kredive të këqija është një veprim kontabël, i cili nënkupton vetëm që nga bilanci të hiqen asetet të cilat nuk plotësojnë përkufizimin e të qenët aset sipas SNFR-së.

Neni 24 aktual nuk merr në konsideratë veprimtarinë bankare, dhe nuk reflekton natyrën e kredisë të këtij sektori, por i referohet borxhit të keq të krijuar kryesisht në marrëdhëniet e sektorëve jobanka.

Për shkak të specifikave të këtij sistemi, në nenin 24, përveç specifikimit të pikës 1, përmbajtja e së cilës nuk ndryshon, parashikohet një tjetër çështje ‘pika 2’ që përcakton procedurë të veçantë për fshirjen e borxhit të keq nga bankat.

Sipas kësaj pike, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq lidhur me procesin e kredidhënies njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e afateve, 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, ose 365 ditë pas lëshimit nga Gjykata të Urdhrit të Ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/paluajtshme.

Rregullimi me ligj i kësaj dispozite pavarësisht përcaktimit në udhëzim, shmang interpretimet e ndryshme, dhe qartëson procedurat në lidhje me procesin e fshirjes së kredive të këqija, për bankat.

Projekti është dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, e cila është shprehur dakord me përmbajtjen e projektit, duke sugjeruar ndryshimin e aspektit teknik lidhur me trajtimin si shtesë dhe jo ndryshim të nenit 24.

 

Projektligji

Në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhet ky ndryshim:

Neni 1

Neni 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 24

“1. Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, borxhi i keq njihet si shpenzim i zbritshëm, në rast se plotësohen, njëkohësisht, tri kushtet e mëposhtme:

a) një shumë, që korrespondon me këtë borxh, është përfshirë më parë në të ardhurat;

b) borxhi është fshirë nga librat kontabël të tatimpaguesit;

c) janë ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore për arkëtimin e tij.

2. Në rastin e bankave, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jo banka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq lidhur me procesin e kredidhënies njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e këtyre afateve:

a) 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme; ose

b) 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/paluajtshme”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency