Lufta ndaj korrupsionit/ Firmoset urdhri i emërimit për 8 prokurorë

0
141

Anxhela Tato

 

 

Kryeprokurori Adriatik Llalla: I domosdoshëm forcimi i njësive të përbashkëta hetimore

 Publikohen emrat dhe postet ku do të punojnë 8 prokurorët e rinj, strukturohet njësia në Elbasan

 

 

adriatik-llalla_1Forcimi i luftës ndaj korrupsionit sjell përfaqësues të rinj në radhën e akuzës. Në një njoftim për shtyp kryeprokurori Adriatik Llalla publikoi emrat e tetë përfaqësuesve të akuzës për kryeqytetit dhe rrethet. Kështu, me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm, janë shtuar prokurorë në disa prej njësive task-forcë kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, si edhe krijohet kjo njësi në Prokurorinë e Elbasanit. Ngarkesa e madhe në punë ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme të shtojë numrin e prokurorëve në njësitë hetimore të task-forcës në disa qytete në vend. Për këtë arsye, duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit si prioritet kryesor të punës së prokurorisë, z. Llalla e vlerëson të domosdoshme forcimin e njësive të përbashkëta hetimore me kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore. “Gjatë muajve të fundit është konstatuar rritje e ndjeshme e ngarkesës së punës në njësitë e përbashkëta hetimore. Për këtë arsye, duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit si prioritet kryesor të punës së Prokurorisë, Llalla e vlerëson të domosdoshme forcimin e njësive të përbashkëta hetimore me kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore”, – thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Pozicionet ku shtohen prokurorët

 Në bazë të urdhrit të firmosur nga prokurori i Përgjithshëm ditën e djeshme caktohen në strukturat antikorrupsion në Prokurori, si më poshtë: 1. Në njësinë e përbashkët hetimore task-forcë Tiranë, shtohen dy prokurorë të komanduar; -Deniona Katro, e cila do të jetë e komanduar edhe drejtuese e njësisë; -Ramadan Troci; -Drejtuesi i mëparshëm i kësaj njësie, prokuror Gentian Trenova, do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë kësaj njësie. Pas ndryshimit të djeshëm, në këtë Njësi do të ushtrojnë funksionet 10 prokurorë.

 

Njësitë nëpër rrethe

 2. Në njësinë e përbashkët hetimore Durrës task-forcë, shtohen dy prokurorë të komanduar; -Dritan Gina; -Alma Kola. Pas ndryshimit të djeshëm, në këtë njësi do të ushtrojnë funksionet 5 prokurorë. 3. Në njësinë e përbashkët hetimore Vlorë task-forcë, shtohet një prokuror i komanduar; -Albert Kuliçi. Pas ndryshimit të djeshëm, në këtë njësi do të ushtrojnë funksionet 3 prokurorë. 4. Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan do të strukturohet njësia e përbashkët hetimore task-forcë. Krijimi i njësisë në Elbasan është deklaruar nga prokurori i Përgjithshëm gjatë analizës vjetore për vitin 2013, e cila u zhvillua në muajin shkurt 2014. Në këtë njësi janë caktuar tre prokurorë: -Enkelejda Millonai; -Bledar Mustafaraj; -Kreshnik Ajazi

 

 

Has/ Përplasen 2 automjete, humb jetën fëmija 5 vjeç

 Një aksident i rëndë rrugor pasditen e djeshme i ka marrë jetën një fëmije 5 vjeç, i cili po udhëtonte së bashku me dy prindërit e tij, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas të dhënave të policisë, autovetura tip “Mercedes-Benz” me targa AA 084 BM që drejtohej nga shtetasi A. Memishaj udhëtonte në aksin Krumë – Kukës, në afërsi të fshatit Zahrishtë, është përplasur me një tjetër mjet. Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen fëmija i mitur dhe kanë ngelur të plagosur fëmija tjetër i familjes dhe dy prindërit. Drejtuesi i mjetit dhe djali 5-vjeçar që kanë mbetur të lënduar, janë dërguar në spitalin e Kukësit, ndërsa bashkëshortja e A. Memishajt është sjellë më urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Blutë e Kukësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti. Sipas informacioneve të policisë, shkak i aksidentit mund të ketë qenë lagështira dhe shpejtësia me të cilën udhëtonin dy automjetet, të cila do t’i nënshtrohen ekspertizës teknike. Ndërsa trupi i pajetë i 5-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Nga dëshmitarët e vendit të ngjarjes mësohet se automjetet po lëviznin me shpejtësi dhe rruga është e dëmtuar. Numri i lartë i aksidenteve është një ndër problemet më shqetësuese për policinë. Pavarësisht nga marrja e masave, si shtimi i patrullave apo edhe kontrollohet e herëpashershme të Policisë Rrugore, mesatarisht në ditë shënohen 3-4 aksidente me viktima. Nga statistikat e policisë rezulton se në pjesën më të madhe të rasteve ndër shkaqet kryesore të aksidenteve janë shpejtësia tej normave, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe pija në timon.

 

 

Kapshticë/ U arratis nga burgu i Malandrinos, pranga shqiptarit

Një i dënuar shqiptar i arratisur nga burgu i Malandrinos është vënë në pranga nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës ditën e djeshme. Burime nga policia bëjnë me dije se i arratisuri kishte marrë leje për të dalë nga burgu dhe nuk ishte kthyer më aty. 31-vjeçari i dënuar për trafik droge, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije duhej të kthehej në qeli në 30 qershor 2011. Sipas policisë, i arratisuri fshihej në Shqipëri dhe ka tentuar të kalojë kufirin me pasaportë false.

 

 

Gjirokastër/ Sekuestrohen 150 kg kanabis, në kërkim drejtuesi i automjetit

 Rreth 150 kilogramë drogë është sekuestruar pas mesnate në Gjirokastër, ndërsa është shpallur në kërkim drejtuesi i mjetit. Droga është gjetur në një makinë tip “Mercedes-Benz” në aksin Gjirokastër – Tepelenë, gjatë realizimit të operacionit “Pacarela” nga sektori kundër narkotikëve në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Makina me targa false drejtohej nga shtetasi me iniciale S. K. nga Fieri, i cili sapo vuri re praninë e policisë, devijoi mjetin nga rruga kryesore duke u drejtuar për në fshatin Hormovë. Duke përfituar nga errësira, shtetasi S. K. braktisi mjetin dhe drogën e llojit marijuanë të blerë në fshatin Lazarat, ndërsa policia po punon për kapjen e tij. Lënda narkotike ishte e ndarë në 120 pako dhe ishte fshehur në bagazh dhe në sediljet e mjetit. Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit për procedim të mëtejshëm.

 

 

Korçë/ Bie nga ballkoni, në gjendje të rëndë 22-vjeçarja

 Dy ditë pasi një 15-vjeçare u rrëzua nga kati i dytë i një pallati në Korçë, teksa tentonte të zbriste nga ballkoni e varur pas perdes, një tjetër rast regjistrohet po në këtë qytet. Rreth orës 11:15 të ditës së djeshme, një 22-vjeçar me inicialet M. T. ka rënë nga kati i tretë i pallatit ku banonte, në lagjen 14 të qytetit të Korçës. 22-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje, ndërsa një grup hetimor është ngritur për të hetuar dhe për të zbardhur shkaqet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency