Vrasja e fatorinos/ Prangoset Klodjan Morina, tentoi të arratisej në Kosovë

0
48

Anxhela Tato

 

 Bilal Çuni: Lajmi i arrestimit është një lehtësim për ne, të dënohet maksimalisht

 Rrëfimi i babait të 17-vjeçarit të vrarë: Ma vranë djalin për vetëm 150 lekë, nuk ishte aksidentale

 

 

fatorino julian cuniEkzekutoi fatorinon për vetëm 150 lekë, prangoset në tentativë arratisjeje Klodjan Morina. Policia bën me dije se 19-vjeçari është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Doganën e Morinës në Kukës, në tentativë për t’u larguar në Kosovë. Për familjen e viktimës ky arrestim është një lajm i mirë, pasi u vu në pranga autori kryesor që i mori jetën djalit të tyre. Gjatë gjithë kohës thirrja e familjes Çuni ishte arrestimi i Klodjan Morinës dhe dënimi i tij maksimal për një krim me dashje. Për ngjarjen e nëntorit të dy viteve më parë ishte arrestuar edhe Sulejman Morina, babai i 19-vjeçarit, i cili kishte marrë përsipër autorësinë e krimit për të përjashtuar të birin nga përgjegjësia penale. Kjo manovër e Sulejman Morinës, është denoncuar edhe nga babai i fatorinos në organin e akuzës, ku është depozituar filmimi i ngjarjes nga një kamera sigurie. Në pamje duket qartë përleshja e dhunshme mes dy personave babë e bir me fatorinon. Sulejman Morina me të birin kishin hipur në fugon në afërsi të Stacionit të Trenit dhe pranë rreth rrotullimit të Zogut të Zi janë konfliktuar me fatorinon për shkak të biletës 150 lekë që sipas tyre ishte 50 lekë më shtrenjtë. Në mbrëmjen e 25 nëntorit, 4 persona fillimisht sulmuan të riun me grushte dh më pas goditën me thikë Julian Çunin 17 vjeç, ku njëra prej goditjeve rezultoi fatale për jetën e të riut. Vrasja ndodhi në një furgon të linjës Tiranë – Durrës, në të cilin 17-vjeçari, sipas dëshmisë së familjarëve, kishte ditën e parë të punës.

 

Bilal Çuni

 “U vura në dijeni nga mediat sot në mëngjes që ishte arrestuar në kufi Klodjan Morina, ai është autori i vrasjes së djalit tim, që i dha goditjen fatale të vdekjes. Jemi pak të lehtësuar nga ky lajm, pasi më në fund ai u vu në pranga. Unë ia di për faleminderit Policisë së Shtetit që e arrestoi dhe ministrit Saimir Tahiri. Ndihemi më mirë dhe na u bë qejfi që ky shtet punoi dhe e arrestoi atë që na vrau djalin. Unë gjeta përkrahje tek policia dhe mu bë shumë qejfi që më fund ai u kap në arrati dhe kjo punë mbaroi. Ajo që ne kërkojmë nga drejtësia është që të zbatohet vetëm ligji për këtë krim, duke mos pasur ndikime të jashtme. Pra i bëj thirrje prokurorit dhe avokatit që të vihen në vendin tim dhe të kuptojë se është një vrasje me dashje për 150 lekë. Pra nuk është një krim aksidental, pasi nëse do të ishte i tillë unë do të flisja ndryshe. Djali im u vra kur po punonte që të nxirrte bukën e gojë për vetëm 150 lekë, dhe dua që drejtësia të japi dënimin maksimal. Fëmijës tim iu morr jeta për lekët e biletës nga katër persona, që sulmuan dhe dhunuan barbarisht. Ky krim kjo që ndodhi është diçka shumë e rëndë dhe makabre, një plagë që nuk do të mbyllet kurrë tek ne. Dua vetëm që drejtësia të bëj punën e saj duke mos u treguar tolerante, të jetë e pathyeshme dhe e papërkulur përballë këtij krimineli. Në lidhje me vendimin e dënimit prej 24 vjetësh burg për Sulejman Morinën dhe dy djemtë e tij, mund të them që për mua është qesharake. Ndonëse gjykata bëri detyrën e saj, nuk duhet që në asnjë moment të kishte ndikime apo ndërhyrje nga pala fajtore. Ndonëse shteti krye detyrën e tij dhe unë kam të drejtën që ta komentoj atë vendim, i cili për mua ishte qesharak, ajo masë dënimi prej vetëm 24 vjet burg për tre persona. Ende nuk kemi marrë ndonjë vendim se çfarë veprimesh do të kryejmë më tej. Më duhet që të këshillohem me gruan dhe vëllezërit e mi, nëse ne do të vendosim të apelojmë ose jo këtë vendim të gjykatës. Ju pyesni për vetëgjyqësinë dhe unë mund t’iu them që kjo është diçka shumë personale që më takon mua dhe familjes sime, që u prekëm dhe na u morr jeta e djalit. Për ne është e rëndësishme që autori kryesor i krimit u arrestua tashmë dhe është në qeli. Ne jemi në pritje të drejtësisë, të asaj që do të ndodhë. Do të presim gjykatën dhe vendimin e saj për këtë çështje. Kjo është ajo që unë mund të them”.

 

 

Tiranë/Medikamente kontrabandë, arrestohet farmacisti

 Tregtonte ilaçe kontrabandë, arrestohet J. Bode. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se gjatë orëve të natës është finalizuar operacioni i koduar “Medikament III”. Sipas policisë, dyshohet se Bode, 28 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë, në farmacinë e tij tregtonte medikamente mjekësore pa pullë fiskale të Ministrisë së Financave dhe medikamente me përdorim spitalor. Pas kontrollit të mjetit të tij, është gjetur një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore pa pullën fiskale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sërë medikamentesh në sasinë prej 608 kuti dhe arrijnë vlerën 1.400.000 lekë. 28-vjeçari Bode është akuzuar për veprat penale “Tregtim dhe transport i mallrave kontrabandë” dhe “ruajtjes e depozitimit të mallrave kontrabandë”. Pas arrestimit, dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërkohë që vazhdon puna hetimore për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në aktivitet të kundërligjshëm, për konsumim të veprave penale të kontrabandës së medikamenteve mjekësorë.

 

 

Atentati ndaj kryekomunarit/Ngecin hetimet, asnjë provë dhe gjurmë për motivin apo autorin

 Ende asnjë provë që të çojë në identifikimin e autorit të atentatit ndaj kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plaku. Ndonëse dosja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk janë gjetur gjurmë gishtash ose elemente që të zbulojnë motivin e krimit. Në shkresën e shpalljes së moskompetencës nga ana e Prokurorisë së Tiranës citohet se kjo dosje i kalon Krimeve të Rënda, për shkak të detyrës së Plakut, duke mos referuar ndonjë provë konkrete që ta lidhë krimin me motivin e konfliktit të detyrës. Nga ana tjetër, Fatbardh Plaku nuk ka asnjë dyshim rreth motivit apo autorit të mundshëm të këtij atentati. I pyetur nga ana e policisë kryekomunari ka mohuar që të ketë konflikte ose probleme. Në këto rrethana hetimet për këtë ngjarje ngecin, duke mos pasur prova konkrete për pistën hetimor, që mund të çojë në zbulimin e autorit. Atentate janë krimet më problematike për t’u zbardhur nga ana e policisë, pasi në pjesën më të madhe të rasteve nuk lihen gjurmë nga autori dhe lënda plasëse shkatërron çdo provë të mundshme. Ndonëse luftës kundër bazave të prodhimit të lëndëve plasëse, asnjë rezultat për zbulimin e autorëve, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve janë të paguar nga dikush tjetër. Krimi ndodhi mëngjesin e 25 marsit, kur banesa e kryekomunarit u godit me antitank. Predha nuk arriti të shpërthente, për shkak të barutit të skaduar, ndërsa ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë. Sipas prokurorisë, goditja është bërë me antitank. Është gjetur predha e ngulur në mur, pasi ka çarë dy faqe muri dhe ka ngelur mes murit të jashtëm dhe korridorit, pa hyrë në brendësi të banesës. “Goditja është bërë në fushëpamje të pjerrët nga krahu i xhamisë që ndodhet në afërsi të shtëpisë. Mendohet se është përdorur ky vend për sulmin, pasi muri rrethues i vilës nuk e lejonte goditjen e banesës me predhë në fushëpamje horizontale sepse fuqia e predhës do të ndalonte në murin e avllisë”, – pjesë e hetimeve të policisë.

 

Lushnjë/Plagos kushëririn me sëpatë për konfliktin e pronësisë, në kërkim autori

 Një 15-vjeçar është plagosur rëndë pasditen e djeshme në Lushnjë, pasi u qëllua me sëpatë nga kushëriri i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Zhamë të Lushnjës, ku 15-vjeçari E. S. është qëlluar me sëpatë nga djali i xhaxhait pas një konflikti. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur për motive pronësie, pasi familjet e tyre janë në konflikt për një pronë. Autori i ngjarjes është shpallur në kërkim, ndërsa 15-vjeçari i plagosur u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për kurim më të specializuar. Ndërkohë, policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të plagosjes.