Takimi/ Ambasadori Arvizu: Procedurat e birësimit, shumë pengesa burokratike

0
123

Tiranë

 

Arben Isaraj: Të thjeshtohen procedurat gjyqësore të birësimeve

 

 Gjyqtarët: Shtëpitë e foshnjave duhet të kenë një jurist si përfaqësues, pengesë edhe adresat e pasakta të nënave biologjike

 

tryeza, arvizu, isarajThjeshtimi i procedurave burokratike në birësimin e një fëmije. Kjo ka qenë thirrja që ambasadori amerikan z. Alexander Arvizu dhe numri dy i Ministrisë së Drejtësisë, z. Arben Isaraj, kanë bërë dje në një tryezë të mbajtur në ambientet e këtij institucioni me temë “Çështjet e brësimit në Shqipëri”. Gjatë fjalës së tij në këtë tryezë, ambasadori amerikan theksoi se “shoqëria shqiptare vazhdon të jetë ende konservative për sa i përket birësimit të një fëmijë dhe shpeshherë ndodh që të gjykohen nga opinioni publik nënat për vendimin që marrin”. Sipas z. Arvizu, problemi nuk mund të zgjidhet duke “gjykuar një grua për vendimet që merr, ndoshta vendimin më të vështirë në jetën e saj”. Më tej në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori vlerësoi se Shqipëria ka një Kod të mirë të Familjes, ndërsa bëri të ditur se numri më i madh i birësimeve bëhet në Gjykatën e Tiranës. Arvizu bëri thirrje që të respektohen të gjitha proceduat gjyqësore për adoptimin e një fëmije nga të dyja palët në mënyrë që “gjithçka të funksionojë si duhet”. “Kur bëhet fjalë veçanërisht për çështjet e pronësisë, ne e kuptojmë që ka faktorë të jashtëm për të qenë të sinqertë që mund të ndikojnë në dhënien e një gjykimi. Por, kur bëhet fjalë për çështjet e birësimit, besoj që janë më shumë pengesa burokratike. Për këtë arsye ne do të donim të dëgjonim më shumë për nevojat që ju keni. Nëse bëhet fjalë për një ngarkesë të çështjeve me të cilat merret gjykatat, për çështje që ju gjykoni atëherë ne mund të flasim edhe me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Do të donim të dëgjonim mbi rekomandimet, cila është ajo gjë, me çfarë mund t’ju ndihmojmë ne?”, – tha ambasadori amerikan Arvizu. I pranishëm në këtë takim, zv.ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, e vuri theksin tek thjeshtimi i procedurave gjyqësore “shpeshherë artificiale” për birësimin e një fëmije. Të pranishmit kanë diskutuar edhe për rolin e organizatave joqeveritare të cilat shërbejnë në përkujdesjen e fëmijëve dhe veçanërisht të atyre që trajtohen në shtëpinë e fëmijëve.

 

Procedurat

 Nga diskutimet në tryezë rezultoi se nga koha e braktisjes së një foshnje derisa të birësohet, shteti shqiptar harxhon mesatarisht më shumë se një vit kohë procedura për t’i gjetur fëmijës një familje dhe më tej për t’ia njohur prindërit me një vendim gjykate. Kodi i Familjes në vendin tonë parashikon një afat 3-mujor, gjatë të cilit “Shtëpia e fëmijës” bën përpjekjet për ta gjetur nënën biologjike të foshnjës dhe vetëm pas kësaj kohe ai deklarohet i braktisur nga gjyqësori. Pas kësaj, çiftet e martuara apo edhe një person “single” mund t’i drejtohet Komitetit Shqiptar të Birësimeve me kërkesë për birësim dhe përgjatë dy muajve ata i nënshtrohen sesioneve verifikuese, që nga psikologët deri tek punonjësit socialë. Lidhur me këto procedura, të paktën te pjesa e gjyqësorit, gjyqtarë të seksionit civil që merren me birësimet në Gjykatën e Tiranës ngritën si shqetësim faktin që shpeshherë adresat e paraqitura në gjykatë të vendbanimeve të nënave biologjike ose nuk janë të sakta ose janë të shkurtra, ndërkohë që Shtëpive të Foshnjave u mungon një jurist si përfaqësues ligjor për të përfaqësuar institucionin, çka e vështirëson punën kur kjo bëhet nga juristë të tjerë.

 

Tendenca

 Birësimet po njohin një trend të ri në Gjykatën e Tiranës. Janë shtuar kërkesat e çifteve shqiptare për birësim të fëmijëve, ndërsa më parë, kanë qenë të huajt ata që kryesonin listat e gjykatave me kërkesa për të birësuar një fëmijë. Gjithashtu, po shtohen rastet e çifteve të huaja që i drejtohen për të dytën herë Gjykatës së Tiranës dhe Komitetit Shqiptar të Birësimeve për të birësuar një fëmijë të dytë, pasi më herët kanë adoptuar një fëmijë shqiptar. Nga 22 vendime që ka dhënë Gjykata e Tiranës vitin e kaluar, rezulton se janë pranuar kërkesat e disa shtetasve të huaj, ndërsa dhjetë janë kërkesa të paraqitura nga shtetas shqiptarë dhe që gjykata i ka pranuar, ndërsa në 4 kërkesa për birësime, palët janë tërhequr. Gjyqtarët e seksionit civil që trajtojnë çështjet delikate të birësimeve shprehen se “deri 2 apo 3 vjet më parë, në kërkesat e birësimeve mbizotëronin të huajt, ndërsa tashmë shihet një interes i çifteve shqiptare që nuk kanë fëmijë të birësojnë një”. Por, sipas tyre, vihet re një interes i lartë edhe i femrave shqiptare që janë të martuara me të huaj, të cilat në pamundësi për të pasur një fëmijë, u kërkojnë bashkëshortëve të huaj që fëmijën ta birësojnë në vendin e tyre të origjinës, në Shqipëri.

 

 

 

Apel/Debate te ashpra mes avokatit dhe prokurorit, sot vendimi për ekstradimin e Arben Isufajt

Debate të ashpra kanë shoqëruar dje seancën e parashikuar për dhënien e vendimit për ekstradimin ose jo drejt Italisë për Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”. Debati juridik ka përfshirë avokatin Ardian Visha dhe prokurorin Genti Xholi, ku secili mbronte idenë e tij për çështjen e ekstradimit, por edhe momente të tjera. Prokurori kërkoi lënien në fuqi të masës “Arrest me burg” për Isufajn, duke argumentuar kërkesën e tij me dokumentacionin e pakët të ardhur nga pala italiane. Ndërkohë që më i ashpër ka qenë avokati Visha, i cili është një ndër përfaqësuesit ligjorë që e njeh më mirë se kushdo tjetër procedurën e ekstradimeve, për shkak edhe të funksionit të tij të mëparshëm si drejtues i zyrës që merrej me kërkesat e ekstradimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Avokati Visha ka kërkuar që klienti i tij Isufaj të lirohet menjëherë pasi, sipas tij, procedurat e ndjekura nga policia për ta arrestuar janë të paligjshme. Ndërkohë që një tjetër kërkesë e avokatit mbrojtës është edhe që çështja të transferohet në Gjykatën e Fierit, pasi arrestimi i tij është bërë në Fier dhe është e pakuptimtë që kërkesa për ekstradim të shqyrtohet në Tiranë. E gjendur përballë një situate të tillë, gjykata ka vendosur të tërhiqet për vendim dhe ta shpallë atë paraditen e sotme, në orën 10:15. Isufaj është vënë në pranga afro tri javë më parë me kërkesë të autoriteteve italiane. Ai figuronte si i kërkuar nga Interpoli si organizator i një grip kriminal dhe për trafik të lëndëve narkotike, ndërkohë që Gjykata er Torinos në qershor të vitit 2010 kishte caktuar për të masën “Arrest me burg”. Treshja gjykuese në Apel ka për relatore gjyqtaren fatmira Hajdari, e cila liroi nga burgu “Ben Qimen” me argumentin se nuk provohet se ai ishte vrasës i Pirro Koçiut.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency