Florenc Drizari
Basha: Përvoja e suksesshme e anëtarësimit në NATO, e vlefshme edhe për integrimin evropian
“Zero kushte për integrimin e vendit në BE, mbështetje totale nga opozita ndaj mazhorancës, ndaj qeverisë, ndaj qytetarëve për çdo akt, masë dhe veprim që çon përpara procesin e integrimit evropian të vendit”. Kjo është një pjesë e fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të mbajtur dje në konferencën e parë ndërkombëtare të “Albanian Policy Center – Bashkëpunimi trans-atlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan – Axhenda shqiptare për integrimin në BE dhe NATO”. Duke folur për nevojën e një konsensusi të gjerë politik me palëve, Basha tha se ndryshe nga opozita e djeshme socialiste, e djathta sot nuk ka asnjë kusht për integrimin e vendit në BE dhe se do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë që është në të mirë të procesit. Ndërsa solli në vëmendje rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për shqiptarët anëtarësimi në NATO, Basha ka theksuar se shqiptarët lanë pas përgjithmonë dilemat ekzistenciale.
“Rrugën e kemi bërë besoj si opozitë, edhe më të lehtë. Besoj se mësimin pozitiv të anëtarësimit në NATO e përkthyem në veprim me rastin e përurimit tonë si opozita e vendit, me rastin e përurimit të ish-opozitës si mazhoranca e vendit, ku vendosëm një standard të pacenueshëm për ne; zero kushte për integrimin e vendit në BE, mbështetje totale nga opozita ndaj mazhorancës, ndaj qeverisë, ndaj qytetarëve për çdo akt, masë dhe veprim që çon përpara procesin e integrimit evropian të vendit. Në këtë pikëpamje, do të thosha që në kujtesën time kurrë nuk ka qenë e lehtë për anën tjetër, të kryejë me përpikmëri detyrat dhe të shtrijë dorën e bashkëpunimit, në mënyrë që në Bruksel të shkojmë së bashku, sepse në Bruksel, pavarësisht se je nisur për në selinë e NATO-s apo selinë e BE-së, mësimet e historisë na tregojnë se shkohet me opozitën dhe jo kundër opozitës, me shtetin ligjor jo kundër shtetit ligjor, me parimet demokratike, me respektin për institucionet e pavarura dhe jo kundër tyre. Jam i sigurt se në qoftë se e bëjmë këtë, dyert do të jenë të hapura, rruga do të jetë më e shkurtër, ndonëse punë do të kemi dhe punë do të na duhet të bëjmë shumë”, – deklaroi lideri i opozitës.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, politikanë dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishte drejtori për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore. Në panelin e të ftuarve ishte edhe ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së, Basha, tha se NATO është një aleancë politike e vendeve që ndajnë dhe adhurojnë idealet e parimet e lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Gjithashtu, kryetari i PD-së foli edhe për vonesën në integrimin në BE dhe kjo, sipas tij, pasi klima e bashkëpunimit u flijua për hir të interesave afatshkurtra politike.
Në fund të fjalës së tij, Basha theksoi se refleksionet e shprehura në këtë takim të shërbejnë për një intensifikim “për një rrugëtim më të shpejtë, reforma më domethënëse, demokraci më të konsoliduar, shtet ligjor funksional, një Shqipëri në Evropë”.
Shkodër
Basha e Topalli përkujtojnë demonstratën e 2 prillit `91: Dëshmorët, burim frymëzimi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, deputetë të PD-së në Shkodër, kreu i Bashkisë, Luka, e shumë të tjetër, përkujtuan dje vrasjet e 2 prillit të ndodhura në këtë qytet 23 vjet më parë të Arben Brocit, Bujar Beshanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës. “Vrasja e tyre në demonstratën e 2 prillit në Shkodër ka dhembur më shumë e ka indinjuar më shumë, sepse u vranë në befasi, në tradhti, prapa shpine, nga frëngjitë e burracakërisë, pashpirtësisë, antishqiptarizmit.
Sa më shumë kalojnë vitet dhe sa më shumë zënë vend në ndërgjegjen demokratike të shqiptarëve zakonet dhe standardet e demokracisë evropiane, aq më qartë del në pah karakteri politik, qëllimi kriminal dhe absurditeti i vrasjeve dhe plagosjeve të 2 prillit në Shkodër nga forcat e policisë dhe ish-Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. Shpeshherë, atë që bën koha në shërbim të së vërtetës nuk e bën dot asnjë lloj hetimi.
Le të kthehemi sot për pak sekonda në fillimprillin e vitit 1991 në Shkodër, le të përfytyrojmë qindra gjimnazistë shkodranë të ulur në shesh me çantat e tyre të shkollës. Janë sa të gëzuar, aq edhe të dëshpëruar. Demokracia që atëherë identifikohej me partitë e reja opozitare, ka fituar thellë në Shkodër, por nuk ka fituar në shkallë vendi në zgjedhjet e para shumëpartiake të një dite më parë. Me përjetimin e tyre njerëzor dhe rinor të një shansi të humbur, me ndjenjën e protestës së pastër që shoqëron këtë përjetim, ata, gjimnazistët shkodranë, janë pararendësit e përmbysjes që do të ndodhë pas një viti”, – thuhet në mesazhin e kreut të PD-së, Basha.
Nga ana e saj, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se ende dhe sot, Shqipëria nuk është vendi demokratik për të cilin ranë dëshmorët e rinj të demokracisë.